Bordi i Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve (EAJ) ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke e lidhur situatën me zbatimin e Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese për sistemin e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të gjykatave.
Sipas EAJ, udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar dhe në Kuvend është paraqitur një projektligj që parashikon rillogaritje retroaktive të pagave. Shoqata argumenton se një ndërhyrje e tillë do të anashkalonte efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe do të cenonte karakterin e tij detyrues.
EAJ thekson se zbatimi efektiv i vendimeve gjyqësore është një element themelor i shtetit të së drejtës dhe se vendimet e gjykatave kushtetuese, për shkak të epërsisë së Kushtetutës, duhet të respektohen nga të gjitha autoritetet publike.
Bordi i EAJ vlerëson se zhvillimet e fundit rrezikojnë të prekin shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve, si dhe besimin te reformat e drejtësisë në Shqipëri.
EAJ ka deklaruar se do të mbështesë Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, anëtarin e saj, dhe se çështjen do ta vendosë në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në tetor në Lisbonë. Shoqata do të informojë gjithashtu aktorët ndërkombëtarë dhe evropianë për situatën.




