Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka folur në Kuvend për incidentin e ndodhur disa ditë më parë, kur një grup protestuesish e ndoqën teksa po shkonte drejt seancës plenare.
Luarasi tha se protestuesit i ishin drejtuar me fyerje dhe deklaroi se sjellja e tyre i kishte kujtuar “pionerët e Enverit”.
Sipas Luarasit, gjatë pesë ditëve, nga 8 deri më 12 shtator, emri i saj është përmendur në 708 artikuj dhe postime, në 64 media online dhe 134 llogari të emërtuara.
Luarasi deklaroi gjithashtu se janë evidentuar rreth 730 komente që i cilësoi si ndëshkuese ose potencialisht të dhunshme, duke përmendur mesazhe që flisnin për burgosje, zhdukje, varje, djegie dhe pushkatim.
“Të gjithë ju e keni parë se një javë më parë, teksa po vija drejt seancës plenare, u ndoqa nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit, që ulërinin fyerje që mendoj se nuk i meritoj. Kjo ishte një video që u pa nga miliona njerëz. Unë s’jam këtu për ta ritreguar, por jam këtu për të treguar atë që ndodhi pas videos.
Sepse aty qëndron çështja që kjo konventë synon të rregulloj. Ajo që pasoi u monitorua në mënyrë të pavarur, publikim pas publikimi, në 5 ditë, nga data 8-12 shtator, emri u përmend në 708 artikuj dhe postime, në 64 media online, në 134 llogari të emërtuara. Shtrirja e përgjithshme 14.9 milionë. Shikimet 4.8 milionë. Ndërveprimet, 134 mijë.
Dhe 80 % e të gjithë kësaj ndodhi brenda 48 orëve. Nga këto 730 komente ndëshkuese, ose potencialisht të dhunshme, burg, zhdukje, varje, djegie, pushkatim. Jo çdo fyerje është gjuhë urrejtje në kuptimin ligjor dhe unë e kam të qartë këtë.
Jo çdo fjalë e dhunshme është kërcënim i drejtpërdrejtë, por 730 komente që flasin për varje dhe pushkatim për një grua që ecën në qendrën tregtare për të shkuar në punë, nuk janë debat politike, janë ato që Konventa, e quan në nenin 5, rrezik për aksesin e drejtpërdrejtë dhe të barabartë në debatin publik. Sot nuk flas si viktimë, por si relatorë që ka të dhëna. Nervat i kam të forta, kam kolegë që reaguan, kryeministri, deputetet, mijëra telefonata dhe mesazhe dhe jam mirënjohës, tha ajo.




