Kontrolli parlamentar mbi zbatimin e ligjit të turizmit ka nxjerrë në dritë vonesa të konsiderueshme administrative. Nga 14 akte nënligjore të parashikuara, pesë prej tyre janë miratuar me vonesa që shkojnë nga 116 deri në 396 ditë, ndërsa tri akte kyçe – përfshirë sistemin e të dhënave statistikore – mbeten ende të pamiratuara. Relatorja e çështjes ngriti shqetësimin se ndryshimet politike nuk mund të jenë arsyetim për administratën.
“Si ka mundësi që pesë akte janë pas afatit me një shkelje të tillë… urdhrat e ministrit deri në 396 ditë pas afatit? Ministrat mund të lëvizin, janë zgjedhje politike, por prandaj është administrata. Krijimi i akteve është funksion themelor i saj dhe Kuvendi kërkon përgjegjësi”, tha Evis Kushi.
Përfaqësuesit e Ministrisë e arsyetuan vonesën me riorganizimin e institucionit dhe nevojën për koordinim me agjenci të tjera si AKSHI apo Ministria e Bujqësisë. Nga ana tjetër, sektori i sportit raportoi zbatim të plotë brenda afateve ligjore.
“Kjo ka ardhur edhe për shkak të riorganizimit të Këshillit të Ministrave kur turizmi ka kaluar nga një ministri në një tjetër. Për sistemin e të dhënave kemi zhvilluar takime me AKSHI-n dhe jemi në proces për sigurimin e financimit dhe termave të referencës”, u shpreh zv.ministrja e Kulturës, Lira Pipa.
Në përfundim të seancës, komisioni i la afat prej 10 ditësh Ministrisë së Turizmit për të dorëzuar një raport të detajuar mbi shkaqet e vonesave dhe afatet konkrete se kur do të miratohen të gjitha aktet e mbetura.




