Përgjegjësia për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it bie jo vetëm mbi kryeministrin Edi Rama por edhe mbi Presidentin Bajram Begaj, ndërsa dëmi i mundshëm ndaj sigurisë kombëtare kërkon sqarim të hollësishëm publik. Ky ishte përfundimi i ekspertit të sigurisë Evarist Beqiri dhe analistit Ben Andoni gjatë diskutimit në emisionin «Sot Live në Shqipëri» në Report TV.
Beqiri, i cili ka punuar për rreth një dekadë e gjysmë në SHISH, e cilësoi hetimin ndaj ish-drejtoreshës një dështim të mekanizmave shtetërorë të verifikimit dhe mbikëqyrjes. Sipas Beqirit, përgjegjësia nuk ndalet vetëm tek Vlora Hyseni, por shtrihet edhe te mbikëqyrja e institucionit. Ai tha se Parlamenti është lënë ‘jashtë loje’ dhe kërkoi një ligj të ri për mbikëqyrjen parlamentare të SHISH-it.
“Kur shoh pamjet dhe deklaratat e Vlora Hysenit më vjen shumë keq ku është katandisur shteti shqiptar sot. Ne kemi një cënim të sigurisë kombëtare, dështim shtetëror, Nuk mund të fshihemi pas gishtit. Kanë dështuar mekanizmat e shtetit për të bërë verifikimet e duhura para emërimit të një individi të tillë. Ka një mekanizëm për të verifikuar punonjësit jo më drejtuesit. Ndërkohë që këtu, me qëllim, janë anashkaluar këto mekanizma për të kapur institucionin dhe për ta përdorur. Përgjegjësia nuk është vetëm e asaj. Këtu ka një dështim të atij që kishte përgjegjësinë për të mbikëqyrur punën e saj. Parlamenti është jashtë loje. Ne kemi nevojë për një ligj të ri për mbikëqyrjen parlamentare të SHISH. Ky institucion varet nga kryeministri. Nuk është një institucion i thjeshtë varësie por funksionon me ligj, ku titullari emërohet me dekret të Presidentit. Kryeministri ka përgjegjësinë për drejtimin politik të vendit dhe për propozimin e emrit të drejtuesit. Para se të arrinte tek propozimi duhet të kishte parë me kujdes çfarë përfaqësonte Hyseni, sepse ka pasur sinjale. Ajo u shkarkua në Kosovë me shumë pikëpyetje. Këtu kam punuar me të për afro një vit. Individ në fjalë ka pasur pikëpyetje. Arsyet pse u vendos në krye duhet të na i shpjegojë Rama. Është investimi i tij personal .Nuk mund të lajë duart kështu. Këtë turp në arenën ndërkombëtare mund të na e kishte shmangur. Na ka bërë dëm në komunitetin botërore të inteligjencës. Kush e kthen besimin tek institucionet. A mban njeri përgjegjësi? Si u delegoka siguria kombëtare tek shefja e kabinetit. Kjo është braktisje e detyrës kushtetuese” tha Beqiri duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e dëmit të shkaktuar ndaj institucionit.
Edhe analisti Ben Andoni kërkoi përgjegjësi për mënyrën si u përzgjodh drejtuesja e shërbimit. Ai tha se përgjegjësia e parë personale i takon Hysenit, por kryeministri dhe Presidenti duhet të japin llogari për propozimin dhe dekretimin e saj. Sipas tij, Shqipëria është në një nga ditët më të errëta të saj politike.
“Nuk ka turp më të madh për shtetin shqiptar që në vendin tonë, njeriu primat i shërbimit informativ është në këtë nivel, përballë kësaj situate. Politika jonë i neverit filtrat dhe i ka hequr filtrat për interesa të ngushta. Është një përgjegjësi personale e zonjës. Të marrësh një detyrë duhet të tregosh që ke tagrin dhe aftësinë ta mbash detyrën. Përgjegjësia e dytë i takon kryeministrit dhe e presidentit. Ai s’mund të lajë duart dhe të dekretojë këdo emër që të vjen nga ana e kryeministrit. Presidenti ka një staf me këshilltarë e njerëz që marrin informacion. Me fuqinë që ka BIA në Kosovë unë besoj që Shqipëria duhej të mendohej mirë që një individ të tillë ta sillte nga Kosova në Shqipëri. Këtu ka shumë njerëz me integritet që janë lënë në hije dhe meritonin të merrnin këtë shërbim. Dëmi është i pakufishëm. Nuk mendoj se Rama do ketë kurajon të bëjë qesëndi para parlamentit por do të bëjë shou. Duke ndjekur parlamentin sot, Shqipëria është në një nga ditët më të errëta të saj politike” tha Ben Andoni.
Read more:Evarist Beqiri: A është e sigurt Shqipëria pa një NATO të fortë?




