Ish-deputetja Monika Kryemadhi, pas daljes nga Gjykata e Posaçme, ku u paraqit sot, ka komentuar edhe hetimet e SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i arrestuar më herët për dosjen AKSHI.
Kryemadhi tha gjatë fjalës së saj se Vlora Hyseni kishte vendosur gjithë Shërbimin Informativ në funksion të përndjekjes së kundërshtarëve politikë të kryeministrit Edi Rama, por edhe në funksion të kundërshtarëve të Ergys Agasit.
Duke cituar mesazhet mes Hysenit dhe Agasit, të rrjedhura nga dosja e SPAK, Kryemadhi me ironi tha se ish-drejtuesja e SHISH për ‘një rrahje zemre i fikte radarët, imagjino për një anije apo nëndetëse’.
Ajo më tej hoqi një paralelizëm mes Ilir Metës dhe Vlora Hysenit, duke thënë se ish-bashkëshorti i saj po mbahet në qeli pa asnjë provë, ndërsa drejtoresha e shkarkuar e SHISH, edhe pse sipas saj e përfshirë në organizatë kriminale, po hetohet në gjendje të lirë.
“Unë kam qenë një personazh i politikës që kam qenë kundër bojkotit, por edhe e detyruar nga rrethanat në të cilat bashkëpunon apo solidarizohesh, je e detyruar që ta vazhdosh. Nëse ju kujtohet, djegia e mandateve, që erdhi si një propozim nga PD dhe ne si opozitë e ndoqëm të gjithë nga pas. Pavarësisht se ajo kishte pastaj pasojat fatale që ka sjellë që SHISH fik radarët për krimin e organizuar. Për një rrahje zemre i fik radarët, mendo për ndonjë anije apo nëndetëse se çfarë mund të bëhet.
Megjithatë avokatët janë në bojkot, për arsye të të gjithë procesit. Unë jam e interesuar si palë që ta kem procesin, të vazhdoj shpjegimet e mia, sepse nga 5 seksione që ka gjithë dosja, unë kam bërë vetëm njërën pjesë, kam edhe 4 të tjera për të parashtruar gjithë kërkesat e mia, qoftë për dëshmitarët apo për prova shkencore që duhet të merren nga gjykata. Mendoj se çdo shtyrje është në kurriz të zotit Meta, të cilit i pezullohen afatet e paraburgimit, gjë që në njëfarë mënyre e dëmton atë.
Duke pasur parasysh se ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur, vetë organi i akuzës, SPAK, ka grupe apo individë që akuzohen për grupe të strukturuara kriminale dhe janë në gjendje të lirë me detyrim paraqitje, ndërkohë që zoti Meta është për asgjë, sepse e gjithë dosja rrotullohet rreth meje. Ka të bëjë me një lloj marrje peng të një kryetari të një partie politike.
Kot nuk them unë karma is a bitch. Ju e patë si ishte bërë si pikëpyetje Ilir Proda, sepse i pëlqeu shumë atëherë, sepse qeshte dhe vuri edhe video për të parë si do të bënte arrestimin e Metës. Apo Vlora Hyseni që ka bërë gjithë Shërbimin Informativ në funksion të përndjekjes të të gjithë njerëzve që ishin kundërshtarë politikë jo vetëm të Edi Ramës dhe Ergys Agasit, por edhe gjithë çunave që ishin kundër Gysit”, tha mes të tjerash Kryemadhi.
Më tej Kryemadhi, duke iu referuar ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta, tha se për të nuk i fiku njeri radarët. Sipas saj, Meta vetëm i ndizte radarët, pasi kishte hallin e Shqipërisë dhe Kushtetutës. Për Kryemadhin, si PS, ashtu edhe PD, e ‘kanë kthyer Kushtetutën në letër higjenike’.
“Por nga ana tjetër do shikojmë sesi policia është përdorur për dëmtimin e provave në grupet e interesit të Gysit dhe fikjes së radarëve. Kështu që çdo ditë e më shumë gjërat do të zbardhen. Është për të qarë se na çfarë derexheje ka rënë shteti shqiptar. Si fiku njeri për mua për dashuri radarët. Asnjëherë nuk u fikën radarët për mua. Tani nuk i hyj më në punë njeriu. Ish bashkëshorti i ndizte radarët se kishte hallin e Shqipërisë, hallin e kushtetutës. E mbani mend si e puthte kushtetutën? Kushtetutën këta e kanë përdorur si letër higjenike. Këta këtej dhe ata andej”, shtoi Kryemadhi.
Ndërkohë para nisjes së deklaratës për Media, Kryemadhi takoi një avokat dhe shkëmbeu me të edhe disa batuta.
“Ça kanë me ty këta. Unë jam avokat dhe ty të vijnë anas ata dhe të marrin pleshtat. Sepse ti s’ke bërë asgjë, je zonjë fisnike”, i tha një avokat-Kryemadhit pas daljes nga SPAK.
“Po edhe po të kisha bërë, ehuu, punë e madhe fort. Gjynaf që s’kena bo bilës”, iu përgjigj Kryemadhi-avokatit.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Kryemadhi: Në dosjen e SPAK, më shumë ka komunikime të miat me Ramën, sesa me Metën! Nuk jam pajtuar me ish-bashkëshortin dhe s’kam për t’u pajtuar kurrë! Jeta vazhdon
Ish-deputetja Monika Kryemadhi pas daljes nga ambientet e Gjykatës së Posaçme, është shprehur se e gjithë dosja ku është i përfshirë edhe ish-Presidenti Ilir Meta, rrotullohet rreth saj.
Kryemadhi tha se në dosjen e SPAK, nuk ka asnjë firmë apo komunikim të Ilir Metës, teksa shtoi se ajo ma pasur më shumë komunikim me kryeministrin Edi Rama sesa me ish-bashkëshortin e saj.
Kryemadhi tha gjithashtu se nuk është pajtuar dhe nuk do të pajtohet më kurrë me Metën, teksa shtoi se jeta për të vazhdon.
“Unë jam shumë e zhgënjyer, sepse Vlora i fikte radarët për Gysin. Përsa i përket çështjes sonë, dosja jonë është një dosje që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve. Nuk është çështja për të bërë drejtësinë e vërtetë, por për t’i linçuar njerëzit. Për t’i futur në një kafaz dhe ta mbash në një izolim total. E gjithë dosja rrotullohet rreth meje. Sepse në të gjithë dosjen nuk ke asnjë firmë apo komunikim të Ilir Metës. Përsa i përket aspekteve apo seksioneve që ngrihen në akuzë, janë tre seksione që kanë dalë si rezultat i telefonit, në të cilat Ilir Meta është zero në komunikim dhe është Edi Rama personi kryesor, që ka firmosur dhe që ka qenë në kontakt me mua më shumë se Meta përsa i përket veprimtarisë. Nuk është pyetur Rama, jo më të merret i pandehur. Terroristët në Europë ulen në bankë krah avokatit, këtu mbyllen në kafaz. Me Metën nuk jam pajtuar dhe nuk pajtohem. Jeta vazhdon”, tha mes të tjerash Kryemadhi.
Monika Kryemadhi batuta për mesazhet mes ish-kreut të SHISH dhe Agasit: E pe si i fik radarët? Neve vetëm na i ndezin (VIDEO)
Mesazhe të reja midis Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit po qarkullojnë në media ku sipas të cilave, ish-kreu i SHISH i ka thënë biznesmenit se “për të i fik të gjithë radarët.”
Këtë e komentoi edhe Monika Kryemadhi, e cila sot u paraqit në GJKKO për seancën e radhës duke mos kursyer batutat.
“E pe si i fik radarët? Dashnia gjë e madhe. Si s’na i fiku njeri radarët ne, vetëm na i ndezin”, tha Kryemadhi.




