Policia ka zbardhur rrethanat e vrasjes që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri Endri Goxhaj dhe mbeti i plagosur Dali Nela.
Blutë kanë arrestuar 47-vjeçarin Aldo Kalemi dhe 25-vjeçarin e plagosur Dali Nela.
D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç dhe vëllai i tij, shtetasi M. N., 28 vjeç, të dy për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Kanosja”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se mbrëmë ka patur një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit D. N., M. N., D. N., A. K. dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe E. G.
Gjatë konfliktit, dyshohet se shtetasi E. G. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. N. (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, 2 vëllezërit e shtetasit D. N. (2 shtetasit e shpallur në kërkim, D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç), dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. G. (i cili, si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital).
Të dy këta shtetas janë larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: arma e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se shtetasi E. G. (i cili më pas humbi jetën) plagosi shtetasin D. N., 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.


