Seanca plenare ku pritet të zhvillohen dy interpelanca të kërkuara nga deputetët e opozitës nisi me një minutë heshtje për ish-kreun e Kuvendit Servet Pëllumbi. Sot do të mbahet një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
PD kërkoi ndryshimin e rendit të ditës për të zhvilluar diskutime për Raportin e Parlamentit Evropian, të miratuar në Komisionin e Jashtëm të PE por u rrëzua nga mazhoranca.
Lajm në përditësim…
‘S’dua të bëj interpelancë me ty’, Braçe lexon përgjigjen e ministrit: E di që ka njerëz që s’duan të bëjnë punën, por mungesa e respektit për Kuvendin është e tepërt

Deputeti Erion Braçe ngriti në Kuvend problematikën e përsëritur të skadencës së disa kërkesave për marrje informacioni e interpelancash. Braçe tha se e kupton që ka njerëz që s’duan të bëjnë punën e tyre, por ai është i angazhuar në të tijën. Deputeti lexoi edhe një përgjigje nga një ministër që i ka thënë se s’do të bëjë interpelancë me ty.
“E kuptoj që edhe në zyra shteti ka njerëz që nuk duan ta bëjnë punën, por të kenë këtë mungesë respekti për Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht që është e tepërt. Po marr një shembull: i jam drejtuar Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe kam marrë dy përgjigje, një prej Agjencisë që thotë nuk është kompetencë imja dhe një përgjigje nga ministri që thotë “s’dua të bëj interpelancë me ty’ se nuk e kam kompetencën. E kuptoj që ka njerëz në qeveri që s’duan ta bëjnë punën e tyre, unë jam këtu për të bërë punën time. Nëse kjo histori vazhdon kështu që 7 kërkesave s’u përgjigjet askush, më mirë na thoni mos të bëjmë kërkesë për marrje informacioni dhe interpelanca”, tha Braçe.
Aksidenti tragjik në Durrës, shtyhet diskutimi për Kodin Rrugor! Balla: Kemi propozuar amendamente për masa parandaluese, kërkojmë më shumë kohë
Taulant Balla kërkoi shtyrjen e diskutimit për Kodin Rrugor, duke iu referuar aksidentit në Durrës ku humbën jetën dy të mitur. Ai tha se dy deputetë të PS kanë depozituar disa amendamente për masa kundër shoferëve të papërgjegjshëm, duke kërkuar rrjedhimisht më shumë kohë për shqyrtimin, kërkesë që u miratua.
“Dy deputetë të PS, kanë depozituar disa amendamente, për marrjen e masave parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve të papërgjegjshëm, dhe në këtë mënyrë për të lënë kohë që edhe kolegë të grupit parlamentar të PD dhe komisioni po ashtu dhe ministria përkatëse kërkojmë shtyerjen e diskutimit të kësaj çështje me qëllim që të kemi konsensus të plotë. Besoj biem të gjithë dakord për ta shtyrë bashkë me kolegët”, tha Balla.
Kërkesa e PD për diskutimin e raportit të PE, Balla: S’mund ta miratojmë ne para PE, javën tjetër diskutimi
Pas kërkesës së grupit parlamentar të PD për të ndryshuar rendin e ditës në Kuvend për të përfshirë diskutimin për miratimin e raportit të PE për Shqipërinë, Taulant Balla tha se diskutimi mund të presë deri javën e ardhshme, ndërsa s’mund të miratohet pa e bërë vetë Parlamenti Europian.
“PE këtë dokumentin do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë parlamenti. Na kërkohet ta miratojmë ne para se ta bëjë PE. Ne jemi shumë të gatshëm, por e kemi planifikuar javën tjetër më 14 maj. Kjo historia për të marrë këtë 2-minutëshin këtu, kjo nuk shkon. E para na bën qesharakë se do të presim ta miratojë PE. Besoj se do të jemi një delegacion nga ne në PE. Projektrezoluta e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional. E mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet”, tha Balla.
Procesi i integrimit në BE, Bardhi akuza mazhorancës: Po bëni përpjekje për përjashtimin e opozitës
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ngriti akuza ndaj mazhorancës due thënë se kjo e fundit po bën përpjekje për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit europian.
Read more:Çka po ndodh në LDK? Rama afron PDK-në pa 'urdhër' të partisë
“Meqë jemi të integrimi dua të sjell në vëmendje që mazhoranca që po bën veprime për përjashtimin e opozitës nga procesi, ka vijuar njëlloj edhe në këto ditë, edhe kur raporti bën thirrje për bashkëpunim. Nesër keni thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit, dua të informoj këta që ngrihen në foltore dhe kërkojnë bashkëpunimin e opozitës, se i vetmi forum ku ne jemi të përfaqësuar, na vjen një axhendë që nis me Taulant Ballën dhe mbyllet me 10 Taulant Balla të PS. Në axhendë nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës”, tha Bardhi.
Kuvend/ Rrëzohet kërkesa e PD për debat për raportin e PE për Shqipërinë
Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e PD për të futur në rend dite diskutimet për raportin e PE për Shqipërinë.
Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, Kuvendi nis me një minutë heshtje në nderim të tij (VIDEO)
Seanca plenare e Kuvendit u hap me një minutë heshtje për ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, që u nda nga jeta më 5 maj.
“Grupi parlamentar i PS ka kërkuar të mbahet një minutë heshtje solemne në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi”, tha Niko Peleshi, ndërsa kërkesa u pranua unanimisht.
“Në këtë detyrë të lartë shtetërore, Servet Pëllumbi drejtoi me vizion, urtësi e mënçuri, tolerancë e përkushtim shembullor, si një politikan largpamës e patriot. Gjatë gjithë jetës së tij si dijetar dhe intelektual erudit, Profesor Pëllumbi formoi breza të tërë studentësh dhe la një trashëgmi të pasur në shkencat politike dhe sociologjike shqiptare”, tha Peleshi.
Deputetët u ngritën në këmbë në nderim të Servet Pëllumbit.
Sot Kuvend/ PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës: Të diskutohet për raportin e Parlamentit Europian

PD ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend dhe i kërkon kryeparlamentarit Niko Peleshi që të fusë në rend diskutimet për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë.




