TIRANË-Një përballje e tensionuar mes ish-çiftit të bashkëshortëve, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në seancën e radhës në GJKKO. Kreu i Partisë së Lirisë, Meta mohoi të ketë marrë përfitime nga Ardian Shatku, kushëriri i Monika Kryemadhit. Ndërsa kësaj të fundit i kujtoi akuzën që prokuroria ka ngritur në dosje se bashkë me Shatkun ndanin përqindjet e fitimeve nga kompania e tij. Ishte ky qëndrim i Metës, bashkë me deklaratën e tij se Kryemadhi duhet të mbajë vetë përgjegjësi për veprimet e saj, që nxiti edhe reagimin e ashpër të ish-deputetes. Ajo i mohoi akuzat, duke e akuzuar ish-bashkëshortin se po bëhej ushtar i SPAK.
Ilir Meta: Edhe Adrian Shatku duhet të vinte të sqaronte çdo gjë që kishte të bënte me këto pretendime. Unë jam rrëmbyer bazuar në një letërporosi, e cila pas pak kohe erdhi ndryshe, duke treguar se nuk kisha lidhje me ato pagesa. Nuk ekziston asnjë ndërhyrje e imja, as e ligjshme dhe as shoqërore, te askush. Për veprimet e Kryemadhit di vetë ajo. Po të kisha pasur veprimtari, ato historitë me përqindje do të kishin ardhur në celularin tim.
Monika Kryemadhi: Po ku e di ti a janë të vërteta?
Ilir Meta: Unë merrem me prokurorinë.
Monika Kryemadhi: Bëhu ushtar i prokurorisë.
Ilir Meta: Unë po i referohesha pretendimeve të prokurorisë për mua, për ato momente që prokuroria i quan komprometuese. Ato nuk figurojnë tek unë. Nuk ekziston asnjë gjë.
Në seancë, avokati i Metës, Kujtim Cakrani kundërshtoi akuzat e ngritura nga SPAK për çështjen CEZ-DIA dhe tha se ish-presidenti është i pafajshëm.
“Me atë çfarë ka ndodhur me CEZ-DIA, kjo çështje ka nisur në vitin 2017 me një kallëzim nga Romeo Karaj. Kallëzimi është bërë menjëherë pasi ka përfunduar procedimi ndaj Kastriot Ismailajt, kur ai u dënua me vendim të formës së prerë dhe mbaroi edhe procedura në arbitrazh. Karaj ka qenë i përfshirë në këto procese. Kallëzimi fillimisht ka qenë për Sali Berishën dhe gjithë qeverinë Berisha, e më pas ka kaluar te Meta.
Kundërshtarët politikë gjejnë njerëz si Karaj dhe Vojsava Ismailaj, të cilët, për hallet e tyre familjare apo mendore, japin intervista jashtë Shqipërisë, të cilat në këtë rast janë marrë në konsideratë. CEZ-DIA ishte një koncesion shtetëror. DIA është një kompani amerikane që operon në të gjithë botën dhe drejtohej nga Rebeka. Ajo nuk ka pasur nevojë as për ndihmën e Berishës dhe as të Metës. I mjaftonte Dritan Prifti. Ky i fundit vetëm incizonte dhe, kur miza kalonte te ministria, ai merrte gjobën. Kështu ka qenë, jo se dua ta anatemoj.
Në procesin ndaj Ismailajt dhe të tjerëve, asnjëherë nuk është përmendur Meta. Edhe ata që kanë dëshmuar nuk e kanë përmendur Metën asnjëherë. Kur është mbyllur marrëveshja nga Gjiknuri, nuk është përmendur Meta. CEZ-DIA është përdorur për të goditur Metën. Në 15 faqe diskutohet nga prokuroria kjo që paraqitet si çështja e shekullit. Përmendet ambasadori Plepshi. Nuk ka asnjë të dhënë që ai ka qenë edhe ambasador, edhe këshilltar tregtar. Ambasadat kanë atashe tregtarë e me radhë. Nuk mund të relatohen gjëra që nuk rezultojnë në dosje apo në akte zyrtare.
Edhe pse mund të ketë udhëtuar në një avion me Ismailajn, Meta është kthyer me urgjencë më 2 dhjetor për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Atëherë ka pasur vetëm një sportel VIP ku hynin politikanët apo biznesmenët. Fakti që kanë hyrë në të njëjtën ditë nuk e kriminalizon Metën. Të gjitha gazetat opozitare, apo njerëz dhe media të paguara, bënin shkrime që shkonin deri në Vjenë kundër zotit Meta. Por kjo nuk mund të materializohet në akuzë. Pse nuk ka bërë SPAK analizë financiare të Metës? Çfarë ka ndodhur në jetën e tij? Akuza për CEZ-DIA nuk qëndron, sepse në vitin 2009 Meta nuk ka qenë funksionar publik, por deputet në opozitë.
Nuk ka lidhje një mesazh ku thuhet: ‘Më duhen 200 deri nesër’, kur ky mesazh nuk gjendet as në dosje.Është cenuar rëndë Kushtetuta, sepse nuk ka vendim për përgjim. Kur është vendosur nën përgjim një deputet në atë kohë? Ku është subjekti i posaçëm që ka kryer korrupsionin pasiv në vitin 2009? Duhet të kesh qenë funksionar publik. Meta nuk ka qenë funksionar, por vetëm deputet në opozitë. Nëse kjo është marrë nga prokuroria dhe është materializuar në akuzë, atëherë prokuroria ka përdorur një mesazh të përgjuar ndaj një deputeti pa vendim gjykate. Mendoj se kjo është shkelje nga ana e akuzës.Episodi i CEZ-DIA është i sforcuar, sepse duhej ndërtuar një akuzë. Ne mendojmë se jemi të pafajshëm për CEZ-DIA.Kur zhvillohej procedura e arbitrazhit në Vjenë, mediat shkruanin se kryeministër kishte qenë Meta dhe këto insinuata janë kthyer në akuzë nga SPAK”, tha Cakrani.
Avokati kërkoi papërdorshmërinë e akteve dhe fashikujve për episodin e parë në dosje që është CEZ DIA.
“Intervistat e gazetarëve me Ervis Metajn dhe Vojsava Ismailajn duhet të deklarohen të papërdorshme dhe të përjashtohen nga gjykimi. Po ashtu, të përjashtohen nga gjykimi provat lidhur me CEZ-DIA:
Mesazhi SMS i vitit 2009;
Video-përgjimi i Dritan Priftit, sepse thëniet e tij nuk mund të provohen pasi ai ka ndërruar jetë. Dritan Prifti merrej me incizime, fuste njerëzit në zyrë dhe i regjistronte. Nuk duhet ta përmendim se sot është i ndjerë, por kështu është.
Materialet nga arbitrazhi janë absolutisht të ndaluara të përdoren si prova në një proces penal në vendin tonë, kur ato janë marrë sipas procedurave të atij arbitrazhi.
Edhe nëse konsiderohen intervistat, ato nuk përbëjnë fakt penal. Intervistuesi orienton bisedën. Nuk janë të besueshme.
Sa i përket mesazhit ‘Deri nesër më duhen 200’, aty nuk ka asgjë që të provojë pretendimin e prokurorisë se bëhet fjalë për 200 mijë euro. Ndërkohë Meta ishte deputet dhe kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të imunitetit parlamentar.
Nuk ka të dhëna se si është ruajtur kjo provë për 15 vjet. Të përjashtohet nga fashikulli dhe të deklarohet e papërdorshme”, tha Cakrani.
Meta dhe Kryemadhi do të gjykohen me proces të zakonshëm dhe akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim…..
Lobimi në SHBA/ Meta: U bë për reformën në drejtësi, Rama po manipulonte DASH! Ftesën për inaugurimin e Trump e kisha si kryetar Kuvendi, kontrata 15 mijë € u denoncua

Ilir Meta mbrojti në GJKKO kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA, duke deklaruar se ajo u lidh për të mbështetur reformën në drejtësi dhe për të garantuar që procesi të realizohej me konsensus politik. Kjo sepse sipas Metës, Edi Rama po tentonte ta bënte reformën në drejtësi të njëanshme dhe duke manipuluar DASH.
Ndërkohë, sa i takon vizitave në Amerikë gjatë kohës që mbante postin e kryetarit të Kuvendit, Meta thotë se kanë qenë vizita zyrtare të paguara nga Kuvendi dhe të koordinuara me ambasadat e të dy vendeve. Sipas tij, nëse do të kishte pasur shkelje ligjore në SHBA, autoritetet amerikane do të kishin nisur hetime ndaj tij, ndërsa akuzoi prokurorët se nuk kanë treguar interes për provat.
Për takimin me Donald Trump, Meta tha se kur ka shkuar atje, është njoftuar për një kontratë 15 mijë euro për pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit. Ai theksoi se kjo kontratë është denoncuar sepse Meta kishte ftesë si kryetar Kuvendi dhe nuk i duhej ajo kontratë.
Pjesë nga dëshmia e Ilir Metës në GJKKO
Kam një përgjigje për Arben Krajën. Të detyrohet Kryeministria të japë informacion për shpenzimet e vizitës sime. Shpenzimet i kërkonte Kryeministria dhe jo ministria. Për të gjithë të tjerët janë dhënë, për mua nuk i kanë dhënë. Si zëvendëskryeministër, shpenzimet e mia i paguante Kryeministria. Kjo është e qëllimshme që nuk i japin. Kjo bëhet për të krijuar mjegull, në mungesë të akteve. Ndryshimi i itinerarit ka ndodhur për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Nuk diskutohet cili ka qenë roli im në vendimmarrje sa i përket çështjes CEZ. Kalojmë te lobimi.
Bashkëngjitur është kontrata e regjistruar në SHBA dhe në KQZ. Është edhe vendimi i gjykatës së SHBA-së. Mendoj se prokurorët nuk kanë qenë të interesuar për provat, edhe pse kanë pasur akses në to.
Ne na duhen faturat dhe shërbimet që janë bërë. Për çdo shpenzim mbi 1 mijë dollarë është e specifikuar se nuk mund të kryhej pa miratimin e LSI-së. Pa miratim nuk bëhej pagesa.
Kur kam shkuar atje, më thanë për një kontratë prej 15 mijë eurosh për pjesëmarrjen në inaugurimin e Trump. Nuk ka pasur fare kontratë dhe kjo është denoncuar. Unë e kisha takimin si kryetar Parlamenti kohë më parë. Nuk më duhej ajo kontratë.
Marrëveshja u bë vetëm për reformën në drejtësi, që ajo të realizohej me konsensus. Duke parë që Rama manipulonte një pjesë të Departamentit të Shtetit, të cilët nuk merreshin me reformën, por me zonën gjeografike, unë mora këtë angazhim me fonde të partisë, që reforma të bëhej sipas interesit të vetë SHBA-së dhe të mos kishte manipulim.
Bëhej fjalë për periudhën shkurt-maj, sepse më pas do të vinte rekomandimi i Komisionit të Venecias. Reforma përfundoi në maj dhe Komisioni i Venecias dha rekomandimet e veta. Ishte e vetmja periudhë e vizitave intensive në SHBA, të cilat kanë qenë të paguara nga Kuvendi. Të gjitha janë zhvilluar me koordinimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe të Ambasadës sonë në Uashington.
Për të takuar senatorë dhe kongresmenë mjafton të pyesni zotin Mediu. Kontrata ka qenë vetëm për reformën në drejtësi, sepse duhej marrë edhe miratimi nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave. Nëse gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar kaq shumë takime, atëherë për çfarë do të paguheshin 300 e ca mijë dollarë për një periudhë kur unë nuk kam qenë fare në SHBA? Këto janë pagesat që pretendohet se i ka bërë Shatku. Prandaj, të përqendrohemi te provat që vijnë bazuar në pyetjet dhe faktet konkrete.
Reformën në drejtësi e kërkuam ne, jo amerikanët apo europianët. Ata planifikuan fondet dhe ishin të angazhuar, pasi donin që të kalonin edhe fondet e parashikuara për këtë proces.
Nëse për këtë periudhë tre mujore janë paguar rreth 90 mijë dollarë nga Kuvendi për vizitat dhe aktivitetet zyrtare, atëherë shtrohet pyetja: 300 mijë dollarët që pretendohet se janë paguar nga Shatku, për çfarë janë paguar? Nëse SHBA do kishte diçka me Ilir Metën, do më kishte hapur një proces atje se kam denoncuar kriminelë si McGonigal.
Gjyqi/ Pas sherrit me Metën, Kryemadhi shigjeton edhe Blushin: Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më

Pas sherrit me Ilir Metën për përfitimet nga kompania e Ardian Shatkut, Monika Kryemadhi ka shigjetuar edhe Tedi Blushin. Ky i fundit ndodhej në sallën e gjyqit, ndërsa në mesin e debatit Kryemadhi u shpreh se nuk e duron më, sikur edhe babi i saj të çohet nga varri. Madje, ish-bashkëshortin e saj, Ilir Metën, e pyeti “Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”.
“Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”, tha Kryemadhi në gjyq.
‘Ushtar i SPAK’, ‘mos u merr me llafe grash’, Kryemadhi sherr me Metën në GJKKO për përfitimet nga Shatku! Kreu i PL: Mbaj vetë përgjegjësi për veprimet e tua

Ish-çifti i bashkëshortëve, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi u përplasën gjatë seancës në GJKKO. Ishte një deklaratë e ish-presidentit që nxiti debatin mes palëve teksa tha se Monika Kryemadhi duhet të mbajë vetë përgjegjësi për veprimet e saj, duke iu referuar akuzës së SPAK se Kryemadhi bashkë me Shatkun ndanin përqindjet e fitimeve nga kompania e tij.
Ilir Meta:Dua të theksoj se nuk ekziston asnjë lloj ndikimi politik, as i ligjshëm dhe as i paligjshëm, as për Adrian Shatkun dhe as për ndonjë person tjetër. Nuk ekziston asnjë SMS e Ilir Metës, e Monikës, apo e Pirro Xhixhos, Shatkut, Haxhinastos, për çështje të ligjshme apo të paligjshme. Janë të gjitha shpifje. Nuk ka asnjë bisedë me Theodhori Canin, por ai është nga ata grekët që kanë therur çamë. Kjo është histori greke dhe e UDB-së. Edhe Adrian Shatku duhet të vinte të sqaronte çdo gjë që kishte të bënte me këto pretendime.
Unë jam rrëmbyer bazuar në një letërporosi, e cila pas pak kohe erdhi ndryshe, duke treguar se nuk kisha lidhje me ato pagesa. Nuk ekziston asnjë ndërhyrje e imja, as e ligjshme dhe as shoqërore, te askush. Për veprimet e Kryemadhit di vetë ajo. Po të kisha pasur veprimtari, ato historitë me përqindje do të kishin ardhur në celularin tim.
Monika Kryemadhi: Po ku e di ti a janë të vërteta?
Ilir Meta: Unë merrem me prokurorinë.
Monika Kryemadhi: Bëhu ushtar i prokurorisë. Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”
(Pas këtij momenti pati debat mes Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës.Gjykata paralajmëroi Kryemadhin që t’u bindet urdhrave të saj, duke theksuar se në rast të moszbatimit të tyre mund të gjobitet ose të largohet nga salla.)
Ilir Meta: Unë po i referohesha pretendimeve të prokurorisë për mua, për ato momente që prokuroria i quan komprometuese. Ato nuk figurojnë tek unë. Nuk ekziston asnjë gjë. Për të kuptuar gjithë këtë përrallë me Adrian Shatkun, thuhet se kam shkuar në Marok për hatër të Adrian Shatkut. Prokuroria pretendon se Monika i ka thënë Shatkut: “Po ti do të vish, se Iliri për ty po vjen”. Sipas SPAK, aq i madh ka qenë ndikimi i Adrian Shatkut tek unë, sa unë po shkoja në Marok për të. Po sipas SPAK, Shatku i ka thënë se takimin me kryeministrin e Marokut e rregullonte ai. Ndërkohë, vizita ishte vizitë shtetërore. Në Marok kanë qenë edhe biznesmenë të tjerë.




