Zjarri i rënë prej mbrëmjes të së premtes në Malin e Shëngjinit, pranë lagjes “Sakë”, vijon të jetë aktiv, por me intensitet më të ulët. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë gjithë natës është punuar pa ndërprerje për izolimin e flakëve, me angazhimin e 7 mjeteve zjarrfikëse nga Lezha, Vau i Dejës, Shkodra dhe Mirdita. Në operacion janë përfshirë gjithashtu efektivë dhe autobotë uji të Forcave të Armatosura, punonjës të Shërbimit Pyjor, të Shërbimeve Publike të Bashkisë Lezhë dhe të Emergjencave Civile të Bashkisë Lezhë.
Sipas autoriteteve, zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe autori i dyshuar është identifikuar e është vënë përpara përgjegjësisë ligjore tashmë. Në orët e mëngjesit të kësaj të shtune pati edhe ndërhyrje me helikopter nga ajri, të cilët mundësuan vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit.
Për shkak të erës dhe bimësisë së dendur, gjatë gjithë natës situata ishte e vështirë. Terreni i thyer e vështirësoi ndërhyrjen e forcave në terren, ndërsa pati edhe një shpërthim brenda vatrës së zjarrit, ku një copë guri plagosi pasagjerin e një makine që po udhëtonte drejt Shëngjinit. I riu u transportua menjëherë në Spitalin e Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore dhe, fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve, zjarri në Malin e Shëngjinit do të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm deri në shuarjen e plotë të tij, ndërsa vijojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve të rënies së flakeve të cilët u shfaqen rreth orës 21:00 të së premtes.
Zjarri në malin e Shëngjinit, kryebashkiaku Ndreu dhe Haki Çako në terren (VIDEO)
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbrojtjes Civile,Haki Çako, kanë inspektuar nga afër situatën e krijuar nga zjarri në malin e Shëngjinit, pranë lagjes “Sakë”.
Gjatë vizitës në terren, ata u njohën me ecurinë e operacionit për shuarjen e flakëve dhe masat e marra nga strukturat e emergjencave civile. Në prononcimet për mediat, theksuan se forcat zjarrfikëse dhe të gjitha strukturat e angazhuara vijojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit dhe mbrojtjen e zonës së banuar.
Autoritetet apeluan për kujdes maksimal dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa operacioni në terren vazhdon.
Tjetër vatër zjarri në Lezhë, flakët përfshijnë sipërfaqe me shkurre në fshatin Pllanë
Një tjetër zjarr është regjistruar këtë të shtunë në territorin e Lezhës. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi në fshatin Pllanë.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Shërbimit Zjarrfikës, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonës së banuar.
Read more:Promovohet kolana ‘Lezha 1918 – Analizë e Regjistrit Austriak’, vepër e autorit Evaristo Coli
Aktualisht, operacioni vijon në terren, ndërsa pritet që situata të vihet nën kontroll. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit.
K.M/E.H/Shqiptarja.com




