Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Kronikë
  3. Afera ‘Partizani’/ Dëshmon në GJKKO, si ish-ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa kërcënoi Gjeneral Qirjazin: Firmose privatizimin me urgjencë se ma kërkojnë, ndryshe do kesh masë (VIDEO)
Kronikë

Afera ‘Partizani’/ Dëshmon në GJKKO, si ish-ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa kërcënoi Gjeneral Qirjazin: Firmose privatizimin me urgjencë se ma kërkojnë, ndryshe do kesh masë (VIDEO)

• 6 Korrik, 2026 • 17 min lexim • 👁 1
◉ WhatsApp 𝕏 X
News

Në gjyqin e aferës “Partizani”, me të pandehur për korrupsion Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Malltezi, i akuzuar dhe për pastrim parash, është radha për të dëshmuar e ish ministrit të Mbrojtjes (më pas zv. kryeministër) në kohën e qeverisjes Berisha, Gazmend Oketa. Ai është kërkuar si dëshmuar nga Prokuroria e Posaçme dhe po jep llogari para togave të zeza duke nisur nga ora 10:00. Oketa ishte një prej anëtarëve të kabinetit, ministër i Mbrojtjes që nga marsi 2008 deri në shtator 2009, që sipas dosjes së SPAK u përdor nga Berisha për të ushtruar presion që ish kompleksi Partizani të privatizohej me urgjencë.

Një moment i rëndësishëm për të cilin ish ministri i Mbrojtjes do të duhet të japë llogari është një takim që Oketa ka zhvilluar me Gjeneralin e asaj kohë në ushtri, Vladimir Qirjazi, i cili mbante detyrën e drejtuesit të Komandës së Mbështetjes, i vetmi zyrtar që kundërshtoi makinerinë e kryeministrit të asaj kohe dhe që doli hapur kundër privatizimit të kompleksit Partizan

Në dosje thuhet se më datë 31 mars 2009 Qirjazi u thirr në një takim me ministrin e Mbrojtjes që asokohe ishte Gazmend Oketa. Vetë Qirjazi, përmes një shkresë eprorit të tij shefit të Shtabit, i tregonte këtij të fundit se ku Oketa i ka kërkuar ballë për ballë që të firmosë privatizimin, pasi kjo i gjë i kërkoj edhe vetë atij.

“Me shkresën Nr. 1858 Regj. datë 02.04.2009, Gjeneral Brigade Komandant Vladimir Qiriazi, ka informuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuara, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, në lidhje me takimet e zhvilluara me Ministrin e Mbrojtjes Z. Gazmed Oketa për çështjen e dorëzimit të pronës me Nr. 11, ku në përmbajtje të shkresës ka sqaruar se ka informuar dhe për raste të tjera që Ministria e Mbrojtjes kërkon ushtarakët për të firmosur ndërkohë që ka në dispozicion Drejtorinë e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes. Në këtë shkresë shtetasi Vladimir është shprehur se, Ministri i ka kërkuar Vladimirit që të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij.

Sqaron se, ka marrë takim me ministrin më datë 31.03.2009 në orën 18.15 dhe se është ballafaquar me datë 01.04.2009 rreth orës 13.00 me personelin e DMIBM shtetasit Ardian Shashaj, Roland Llazari dhe Erinda Ndroqi, Fiqiri Kupe dhe Besnik Dervishi”, thuhet në dosje.

Gjatë hetimeve të SPAK për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, Qirjazi është marrë në pyetje dhe ai ka deklaruar se ministri Oketa i ka kërkuar të firmosë, por nuk ia kishte sqaruar se nga kush vinte kjo kërkesë. Madje Oketa e kishte paralajmëruar gjeneralin se mund të merreshin masa ndaj tij nëse nuk e hidhte firmën për urdhrin nr. 334 datë 13.03.2009 “Për dorëzim prone e lidhje kontrate” për pronën nr. 11, ish-kompleksi sportiv Partizani.

“I pyetur përgjatë hetimit shtetasi Vladimir Qiriazi ka deklaruar se: Unë i thashë Ministrit Gazmend Oketa se nuk mund të firmosja dhe ai më tha se edhe atij po ia kërkonin që të firmosej. Më tha “Duhet firmosur” por nuk më sqaroi se kush ia kishte kërkuar firmosjen. Ministri Gazmend Oketa me tha se kjo gjë mund te shkonte deri në masë se faktikisht ne raportin e komisionit te auditit Ministrit Oketa i kërkohej qe unë te ndëshkohesha me mase disiplinore”, thuhet në dosjen e SPAK për “Partizanin”.

Gjeneral Qirjazi përmes një letre të dërguar vetëm pak ditë para takimit e kishte informuar ministrin Oketa se urdhrin për privatizimin e Partizanit nuk mund ta firmoste dot pasi “Prona nr. 11 nuk është marrë në administrim nga Komanda e Mbështetjes; nuk është kontabilizuar në librat e llogarisë pasi nuk u është dorëzuar asnjëherë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes; nuk disponojnë çertifikatë pronësie të kësaj prone, nuk kanë në administrim asnjë dokument për privatizimin e pronës”.

SPAK përshkruan në dosje, një letër të gjetur në kryeministri, fotokopje, e cila nuk rezulton në arkivën e qeverisë. Duket se bëhet fjalë për një ankesë të familjeve të pronarëve të tokës për gjeneralin që po pengonte procedurën.

“Ne Kryeministri, është gjendur një shkresë fotokopje (por jo origjinalja) e datës 30.03.2009, drejtuar z. Sali Berisha, Kryeministër, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar” nënshkruar nga përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqari.

Dalja kundër Sali Berishës i kushtoi Vladimir Qirjazit, i cili u kërcënua, shantazhua, transferua dhe më pas u ndëshkua me shkarkim. Sali Berisha përdori ministrin e Mbrojtjes Oketa dhe zyrën anti korrupsion në Kryeministri, për t’u bërë presion me kontrolle korruptive dhe shkarkim Gjeneralit Vladimir Qirjazi. Për të gjitha këto ish ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa pritet të pyetet sot në GJKKO.

Read more:Partizani/ Pango ‘shet’ Berishën: Isha pro privatizimit, por jo për ndryshimin e destinacionit! Dhe isha kundër ndryshimeve ligjore të 2008-s që i hapën rrugë kullave

Veç ish ministrit Oketa janë thirrur për të dëshmuar sot edhe Elvira Lame, Paro Laçi dhe Isa Tare. Ky i fundit duhet të dëshmonte që në seancën e 22 qershorit, por tha se ndodhej jashtë shtetit.

Seancën e kaluar, dëshmi e fortë ishte ajo e Ylli Pangos, ish-ministrit të Sporteve, i cili tha se kishte qenë kundër ndryshimit të destinacionit të ambienteve të ish-klubit Partizani, pra ndërtimit të 19 kullave atje. Tha se edhe ndryshimi ligjor i vitit 2008 që e bënte të mundur këtë nuk ishte iniciativë e tij, por propozim i qeverisë Berisha.

Berisha akuzonte direkt Pangon më 18 qershor 2008 se me propozimin e parë kishte sjellë një ligj në qeveri, në mbrojtje të interesave të pronarëve të klubeve sportive. Megjithatë, në GJKKO ish-ministri mohoi të kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e qeverisë që vendosi kalimin e ligjit në Këshillin e Ministrave.

Lajm në përditësim…

——————————-

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 11:51

Oketa pyetet për ish Shefin e tij të kabinetit që takonte Qirjazin, Besnik Dervishi kishte biznes privat dhe bëri rreth 2 mln euro punë me ‘Kontakt’ dhe ‘Homeplan’, e njihte Malltezin

Në dëshminë e dhënë në GJKKO, SPAK e ka pyetur ish ministrin e Mbrojtjes Gazmend Oketa për punësimin si Shef Kabineti në vitin 2008 të Besnik Dervishit, një personazh që rezulton shumë I lidhur me Jamarbër Malltezin.

Dervishi u punësua në një kohë kur duhet të kalonte prona e ish kompleksit Partizani nga Ushtria te familjet pronare.

“Ai ka të njëjtin profesion si unë, inxhiner ndërtimi. Jemi njohur në rrethana pune. Me kalimin në pozicionin e ministrit i propozova t’i bashkohej ekipit tim”, tha Oketa në gjyq.

I pyetur nëse ishte në dijeni që Dervishi kishte aktivitet privat, Oketa tha se “Më parë e më vonë po, por jo kur ishte drejtor kabineti”.

Ndërsa Millonai e pyeti ish ministrin edhe nëse ishte në dijeni që Besnik Dervishi ka pasur komunikim me Vladimir Qirjazin për ccështjen “Partizani” dhe Oketa tha shkurt “Secili ka mbajtur vendin e tij të punës”.

Por çfarë rezulton nga dosja?

Besnik Dervishi kishte një kompani ndërtimi me emrin Standart Alb. Fillimisht edhe pse fillon pune në Ministrinë e Mbrojtjes më 14 prill 2008 ai vazhdon punën edhe si privat. Në dosjen e SPAK thuhet se një vit pas emërimit si drejtor i kabinetit të ministrit të mbrojtjes, më 9 qershor 2009 ai ia kalon aksionet Andrea Miços. Dhe menjëherë pasi ikën nga detyra e drejtorit të Kabinetit të Ministrit në shtator 2009, pra vetëm 3 muaj më pas e rimerr sërish kompaninë.

Read more:35 ditë protesta antiestablishment/ Strategjisti David Zaikin: Shqiptarët nuk duan Ramën dhe Berishën, kërkojnë një klasë të re politike

Dervishi më vonë, në vitin 2010, hap edhe kompaninë Supervizion Profesiona. Me këtë firmë ai rezulton se ka qenë supervizori i punimeve që shoqëria Kontakt do të kryente për llogari të Homeplan në kompleksin Magnet. Punimet në vitet 2010-2020 arrijnë rreth 220 mijë euro.

Gjithashtu nga analizimi i librave të blerjes të Kontakt SPAK ka zbuluar se Standart Alb, firma e parë e Dervishit, ka kryer shitje ndaj Kontakt në një vlerë totale prej 181,166,979 lekësh (pra mbi 1.8 milionë euro) në periudhën 2010-2021. SPAK ka gjetur edhe kontratën mes Standart Alb dhe Kontakt, përfaqësuar nga Fatmir Bektashi, për punime që do të realizohen në objektin “Homeplan”.

Ora 11:48

Afera Partizani/ ‘Firmose me urgjencë’, ish-ministri Oketa ‘harron’ në GJKKO kërcënimet ndaj gjeneral Qirjazit

1783331252_oketaspak.jpg

Ish-ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa po dëshmon në GJKKO për dosjen e aferës Partizani. Oketa u pyet nga prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai për takimet me gjeneralin Vladimir Qirjazi, i cili mbante detyrën e drejtuesit të Komandës së Mbështetjes dhe ishte i vetmi zyrtar që doli hapur kundër privatizimit të kompleksit.

Në dosje thuhet se më datë 31 mars 2009 Qirjazi u thirr në një takim me ministrin e Mbrojtjes që asokohe ishte Gazmend Oketa. Vetë Qirjazi, përmes një shkresë eprorit të tij shefit të Shtabit, i tregonte këtij të fundit se ku Oketa i ka kërkuar ballë për ballë që të firmosë privatizimin, pasi kjo i gjë i kërkoj edhe vetë atij.

Por, Oketa e mohoi të kishte ushtruar presion ndaj gjeneralit, duke deklaruar se prona ishte jashtë planit të përhapjes së Forcave të Armatosura dhe se procedura e ndjekur ishte e njëjtë me atë të pronave të tjera. Ai pranoi se kishte zhvilluar disa takime me Qirjazin, por tha se nuk mbante mend t’i kishte dhënë ndonjë përgjigje shkresave me të cilat gjenerali kundërshtonte dorëzimin e pronës.

Enkeleda Millonai: I keni kërkuar që ta zbatonte urdhrin, duke i thënë se kështu jua kërkonin edhe juve?

Gazmend Oketa: Kur urdhri dorëzohet me shkrim, të tjerat nuk kanë rëndësi. Ai ashtu e ka peshuar. Mendoj se edhe unë i di arsyet pse ka vlerësuar të thotë kështu. Di që pretendimi ishte se prona nuk ishte e regjistruar. Por ai, bazuar në urdhrin tim, ngriti një grup pune për të vijuar procedurën për regjistrimin e pronës.

Pjesë nga dëshmia e Gazmend Oketës në GJKKO

Enkeleda Millonai: VKM thotë 28 mijë m², më vonë ka rezultuar 32 mijë m². Ju, kur e firmosët urdhrin, jeni njohur me ndonjë akt për këtë pronë apo thjesht me urdhrin?

Gazmend Oketa: Urdhri është kopertina e një praktike të gjatë, e cila i është bashkëngjitur urdhrit. Të gjithë kanë nënshkruar për praktikën. Nuk është prona e vetme që është ndjekur me një procedurë të tillë. Shumë prona pas vitit ’90 dolën të tepërta dhe pati një plan përhapjeje, ku një pjesë që nuk ishin më të nevojshme u ktheheshin pronarëve apo përdoreshin për të tjera gjëra. Urdhri im u pasua me urdhrin e komandantit për ngritjen e grupit të punës. Është ngritur çështja nëse ka qenë e regjistruar në hipotekë.

Enkeleda Millonai:Nga Vladimir Qirjazi dhe nga një tjetër jeni bërë me dije se nuk është e Komandës Mbështetëse dhe se nuk është marrë mendimi. Ju keni autorizuar dhe keni këmbëngulur t’i kalonte Komandës. Përse?

Read more:Afera ‘Partizani’/ SPAK thërret si dëshmitarë në GJKKO 8 persona, nis i pari Taulant Balla në cilësinë e kallëzuesit

Gazmend Oketa:Prona në fjalë ka qenë jashtë planit të përhapjes të Forcave të Armatosura. Kështu që nuk arrij ta kuptoj sensin e këtyre pretendimeve. Po, gjeneral Qirjazi dha urdhër për ngritjen e grupeve të punës. Çështja e regjistrimit vijon edhe sot e kësaj dite. Ka qenë që të regjistrohej e të mbaronte ajo punë.

Enkeleda Millonai: Përse nuk caktuat një funksionar të Ministrisë, por kërkonit të caktohej struktura mbështetëse?

Gazmend Oketa:Ligji e tha të kthehej prona. Është përdorur një standard për këtë pronë, si për të tjerat. Është e njëjta praktikë që ndiqet edhe sot. Nëse në rastet e praktikave të tjera është ndryshe, atëherë pretendimet mund të jenë të njëjta. Por standardet janë të njëjta.

Enkeleda Millonai: A keni marrë takim personalisht me Vladimir Qirjazin për problematikat që ngrinte ai?

Gazmend Oketa:Pse Komanda Mbështetëse? Është pjesë e Ministrisë dhe komandanti i Komandës Mbështetëse është me uniformë. Nuk do të thotë se transferoj përgjegjësitë e mia, por pretendimet pse ia latë Qirjazit e jo dikujt tjetër, nëse gjeneralët janë vetëm për yje, por jo për përgjegjësi. Me Qirjazin kemi pasur disa takime, herë në prani të komandantit të Shtabit e herë vetëm. S’e kuptoj pyetjen.

Enkeleda Millonai:Pyetje për punësimin e Hysni Dervishit, Ardian Shashajt, Roland Llazarit, Erinda Ndroqit, Kupes.

Gazmend Oketa: Hysniu ka qenë shef kabineti, Ardian Shashaj ka qenë drejtor, kurse Kupe ka qenë sekretar i përgjithshëm. Kemi pasur mbledhje të zgjeruara dhe nuk është çudi të ketë pasur bisedime me Qirjazin.

Enkeleda Millonai:A ju kujtohet ndonjë takim me Qirjazin?

Gazmend Oketa: Më kujtohet se kemi pasur shumë takime.

Enkeleda Millonai: Tema lidhej me problemet e ngritura nga Qirjazi për mosmarrjen në dorëzim të pronës.

Read more:LIVE- “1 muaj revoltë, s’largohemi nga sheshi pa larguar Ramën”/ Protestuesi: Policia të mos provokojë qytetarët, kryeministri ka vendosur…

Gazmend Oketa:Nëse bëhet fjalë për memon e përgatitur, ai gjithmonë përgatiste memo. Ai, nëse do të kishte diçka, një gjeneral i NATO-s do të shkruante me dy rreshta që për këtë arsye urdhri nuk zbatohet.

Enkeleda Millonai: I keni kërkuar që ta zbatonte urdhrin, duke i thënë se kështu jua kërkonin edhe juve?

Gazmend Oketa:Kur urdhri dorëzohet me shkrim, të tjerat nuk kanë rëndësi. Ai ashtu e ka peshuar. Mendoj se edhe unë i di arsyet pse ka vlerësuar të thotë kështu. Di që pretendimi ishte se prona nuk ishte e regjistruar. Por ai, bazuar në urdhrin tim, ngriti një grup pune për të vijuar procedurën për regjistrimin e pronës.

Enkeleda Millonai: (Lexon shkresën e Qirjazit të marsit 2009, ku thuhet se prona nuk është marrë në dorëzim dhe se nuk ka asnjë dokument për privatizimin e pronës, dhe në këto kushte Komanda Mbështetëse nuk mund të bënte procedurën e kthimit të pronës). Ju kujtohet çfarë përgjigje i keni dhënë?

Gazmend Oketa: Jo.

Ora 10:58

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’, dëshmia e ish-ministrit Oketa në GJKKO: Firmosa urdhrin që Komanda të dorëzonte pronën

Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, po dëshmon në GJKKO lidhur me aferën ‘Partizani.’ Para prokurores Enkeleda Millonai, ai thotë se dikasteri që drejtonte s’kishte si tagër të bllokonte privatizimin e pronës. Më tej shton se kur praktika kishte shkuar në zyrën e tij, ishte tashmë e përmbyllur.

Ai pranon se ka firmosur urdhrin që komanda të dorëzonte pronën.

Enkeleda Millonai: Në cilën periudhë keni qenë Ministër i Mbrojtjes dhe më parë e më vonë çfarë funksionesh keni pasur?

Gazmend Oketa:Më parë kam qenë zv/ kryeministër e më vonë Ministër Mbrojtjeje, më vonë kam qenë deputet.

Enkeleda Millonai: Çfarë ka qenë Sportklub Partizani?

Gazmend Oketa:Në aspektin e sigurisë klubi Partizani kishte zero interes, se nuk kishte të bënte me Forcat e Armatosura dhe mbrojtjen e vendit. Më shumë se ministër kam dëgjuar për klubin. Nuk kishte interes se administrohej nga persona privatë dhe pothuajse në asnjë nga diskutimet në ministri për buxhetin s’ka pasur ndonjë zë për alokimin e fondeve për këtë klub.

Read more:Pas Iranit, Greqisë dhe Serbisë, PS akuza edhe për Moskën në lidhje me protestën! Balla: Ka dorë Kremlini

Enkeleda Millonai: Thatë se nuk kishte interes për Ministrinë e Mbrojtjes, por me një VKM të vitit 2008 për transformin e klubeve sportive në shoqëri aksionare. Juve ishit ministër i mbrojtjes dhe më vonë Arben Imami ka marrë masa për zbatimin e VKM. Ju keni marrë veprime për zbatimin?

Gazmend Oketa: Ministri i Mbrojtjes nuk është i sporteve. Klubi Partizani në kujtesën time ka qenë një klub privat. Nuk kemi patur një kujdes të veçantë për një klub që nuk kishte të bënte me Ministrinë e Mbrojtjes, se një klub nuk e përbënte godina, por njerëzit dhe ata që kanë pasur kompetenca.

Enkeleda Millonai:Nisur nga ligji për pronat e paluajtshme të shtetit. Në lidhje me këtë pronën që ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jeni interesuar për ta administruar sipas përcaktimeve ligjore.

Gazmend Oketa:Kjo çështje është e paraqitur kur është prezantuar praktika për kthimin e pronave tek ish pronarët. Kur u paraqit tek zyra ime praktika ishte përmbyllur në gjithë institucionet dhe Ministria e Mbrojtjes nuk kushte ndonjë tagër ta bllokonte këtë proces.

Enkeleda Millonai:Kush e kishte në inventarizim këtë pronë?

Gazmend Oketa: Nëse futeni në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, kur kryeministër ishte Nano një VKM, sipas së cilës klubi Partizani lidhej jashtë inventarit të pronave dhe se urdhërohej për ta regjistruar. Por vijoi ende procedura për regjistrimin e pronës se ende s’ka përfunduar. Prona në kujtesën time kishte pretendime nga ushtarakë se nuk ishte regjistruar. Prandaj ka qenë VKM për të ndjekur procedurën për ta regjistruar dhe kthyer pronën tek ish pronarët. Klubi Partizani s’ka qenë prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes dhe as i imi.

Enkeleda Millonai: Keni autorizuar ndonjë ushtarak të ishte pjesë e komisionit të vlerësimit?

Gazmend Oketa:Nuk më kujtohet. Një zyrtar komunikon me shkresa zyrtare dhe ato janë aty. Nëse ka një praktikë të tillë që është nënshkruar nga unë i dal për zot. Por nuk më kujtohet të kem autorizuar ndonjë ushtarak të jetë pjesë e grupit të vlerësimit. Sigurisht Ministria e Mbrojtjes ka pasur 12 mijë vetë personel civil e ushtarak që në fillim. Unë kam deleguar kompetencat. Pasi në çdo pozicion mendoj se puna bëhet në kolektiv. Bëj pjesë tek ata politikanë që kanë deleguar kompetenca, që mendoja se ata persona duhej të ishin bashkëpunëtorë të ministrit.

Enkeleda Millonai: Keni urdhëruar komandën mbështetëse të përfaqësonte ministrinë?

Gazmend Oketa: Urdhri i tillë që ngarkonte këtë komandë dhe për këtë arsye kam firmosur urdhrin që kjo komandë të dorëzonte pronën tek pronarët e ligjshëm.

Lexo edhe
Kronikë

Zjarr në Topojë të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era! Rrezikohet një banesë, banorët i bashkohen aksionit për shuarjen

Kronikë

Vlorë/ Abuzoi seksualisht me një grua dhe i vodhi asaj një shumë parash, shpallet në kërkim 43-vjeçari (EMRI)

Tags: #afera partizani #aferat e klanit berisha #Aktivitet #Biznes #Deputet #Elvira Lame #gazmend oketa #gjyqi partizani #Paro Laçi #sali berisha

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • Zjarr në Topojë të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era! Rrezikohet një banesë, banorët i bashkohen aksionit për shuarjen
  • Vlorë/ Abuzoi seksualisht me një grua dhe i vodhi asaj një shumë parash, shpallet në kërkim 43-vjeçari (EMRI)
  • I dërgonte mesazhe seksuale nxënëses, arrestohet mësuesi 60-vjeçar në Lushnje
  • Shoferët në Fier nuk e heqin këmbën nga gazi, 989 gjoba për shpejtësi brenda një jave! 2 të arrestuar, kontrolle edhe për transportin e nxënësve
  • Policia zbardh 6 raste vjedhjesh në Kavajë! 2 të dyshuarit kapen me një automjet të vjedhur! Njëri dyshohet edhe për grabitjen e xhiros së një karburanti (EMRAT+VIDEO)
Nga të njëjtat tag-e
  • Shqipëria përfiton 3 mln dollarë grant nga Banka Botërore për turizmin, Gonxhja: Më shumë destinacione do të futen në itineraret turistike
  • “Rama dhe Berisha u takuan në Rinas”, Salianji bën deklaratën e fortë: Kreu i PD të tregojë çfarë biseduan. U kërcënuan punonjësit e Gardës…
  • Zbulohen 6 lokale ku luheshin lojëra fati në Tiranë, 8 të arrestuar (VIDEO)
  • Avokatët bojkot masave të sigurisë, rregullorja censuruese përçan gjyqtarët e GJKKO! Njëra palë kundër Erion Banit: Duhet dialog! Tjetra kërkon ndëshkime më të ashpra
  • Gazment Bardhi: Rama sulmon mediat që nuk i kontrollon dot dhe s’janë pjesë e oborrit të tij (VIDEO)
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Politikë “Shkoi dhe erdhi si karafil”/ Arben Kola për vizitën e kryeministrit në SHBA: Bota i ka ‘hequr fishën’, Amerika e braktisi! Nuk ka asgjë që heq vëmendjen nga krimet 28 lexime · 2 ditë më parë
  2. 02
    Kronikë Tiranë/ Në emrin e Armand Dukës, 2 të rinjtë kapen teksa tentuan t’i zhvasnin 100 mijë euro 64-vjeçarit! Dyshohet se pas tyre fshihet Florian Gjergji (EMRAT+VIDEO) 16 lexime · 1 ditë më parë
  3. 03
    Politikë “Çfarë ndodh nëse Rama dorëhiqet?”, ish-presidenti Topi tregon këshillën që do t’i jepte Ramës: Fillo bëj ulje graduale… 13 lexime · 1 ditë më parë
  4. 04
    Politikë “PD duhet të ngrejë në këmbë Shqipërinë, këta ikin për turizëm në Strasburg!”, Salianji: Berisha ‘patericë’ e Ramës. Nëse s’do ishte ai, kryeministri binte për 2 muaj 7 lexime · 1 ditë më parë
  5. 05
    Kronikë ‘Jam Balla, më duhen 100 mijë € në kriptovaluta!’ Armand Duka i denoncon, 2 mashtruesit bien në kurthin e policisë! Ishin ‘vegël’ e Florian Gjergjit (EMRAT + VIDEO) 7 lexime · 1 ditë më parë
  6. 06
    Politikë “Kurti e hoqi, ai e mori”, Topi: Vlora Hyseni erdhi në Shqipëri kur marrëdhëniet Rama-Kurti ishin të tensionuara 6 lexime · 1 ditë më parë
  7. 07
    Politikë Rama anuloi konferencën, Noka: Duhej të jepte llogari për emërimet e tij, iu tremb pyetjeve për SHISH-in dhe Vlora Hysenin 6 lexime · 2 ditë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Kronikë

Zjarr në Topojë të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era! Rrezikohet një banesë, banorët i bashkohen aksionit për shuarjen

Njē sipērfaqe me kashtë misri ështē pērfshirë nga flakët në fshatin Topojë të bashkisë Fier. Flakët të favorizuara…

• 24 orë më parë • 1 min lexim
Kronikë

Vlorë/ Abuzoi seksualisht me një grua dhe i vodhi asaj një shumë parash, shpallet në kërkim 43-vjeçari (EMRI)

Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim një 43-vjeçar, Fatos Ymeri, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me…

• 24 orë më parë • 1 min lexim
Kronikë

I dërgonte mesazhe seksuale nxënëses, arrestohet mësuesi 60-vjeçar në Lushnje

Mësuesi i një shkolle në Lushnje u arrestua nga policia. Sipas denoncimit, 60-vjeçari dyshohet se ka ngacmuar me…

• 24 orë më parë • 1 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
    • Kronikë
    • Politikë
    • Sociale
  • Editoriale
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by
    ►
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    ►
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    ►
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    ►
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    ►
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by