TIRANË– Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë paraqitur me një taktikë të përbashkët në seancën e kësaj të enjteje në GJKKO, në gjyqin ku akuzohen të dy për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.Të dy kanë goditur vlefshmërinë e provave, pasi sipas tyre janë marrë përmes procedurave të paligjshme.
Ilir Meta, i cili ishte për herë të parë me avokatin e tij të ri Bujar Musta pasi shkarkoi Cakranin, u përqendrua posaçërisht në mesazhet me Kastriot Ismailajn, përfshirë atë ‘më duhen 200 mijë’, që është referuar gjithmonë si kërkesë për 200 mijë euro nga ish Presidenti për biznesmenin e lidhur me aferën e CEZ-DIA. Meta thotë se prokurorët nuk kanë provuar kurrë që mesazhi është nisur nga ai, apo nëse më pas ka pasur veprim nga ana e tij apo Kastriot Ismailajt.
“Përgjimet e bisedave telefonike nuk duhet të jenë të paqarta. Kërkohet analizë e kujdesshme e provës. Të mos përdoren si prova mesazhet më Kastriot Ismailajn nga kjo kartë. Nëse ky mesazh lejohet të përdoret si provë kundër Metës, atëherë cenohet e drejta për proces te rregullt ligjor dhe do ngrihen pretendime për diskriminim për arsye politike. Çdo mesazh duhet të shkatërrohet, nëse jo atëherë do kërkojmë riekspertim. Edhe dëshmitë e Dritan Priftit, Ervis Matajt dhe Vojsava Ismailajt të mos përdoren”, tha avokati i Metës.
Ndërkohë që Monika Kryemadhi kundërshton të gjitha provat e marra nga celulari i saj, i sekuestruar. Sipas mbrojtjes së Kryemadhit SPAK e sekuestroi celularin e saj pa i marrë leje Kuvendit pasi ai ishte deputete dhe nuk mund t’i ushtrohej kontroll. Argumentimin e SPAK se telefoni u gjet në banesën e Fatime Kryemadhit, ish ligjvënësja e ironizon teksa i bën thirrje gjykatës që atëherë të vijë mamaja e saj dhe të japë llogari për mesazhet e gjetura aty.
“U mor ky telefon dhe ekstratua dhe u nxorën ato materiale që janë pjesë e procedimit, duke i nxjerrë nga konteksti të dhënat. Kërkojmë papërdoshmërinë absolute të gjithë të dhënave të ekstratuara nga telefoni i Kryemadhit”, tha avokati Redi Llanaj.
“Unë isha deputete dhe organi i akuzës nuk mund të vinte për të bërë kontroll. SPAK e dinte shumë mirë që jetonim në një shtëpi. E di shumë mirë që kontrolloi dhomën time të gjumit dhe pse në hipoteke ishte e Fatimes. Në këto vendime thuhet se telefoni nuk është i imi dhe 190 faqe të akuzës bazohen në këto mesazhe”, tha Kryemadhi.
Seanca zgjati rreth 6 orë me parashtrimet e mbrojtjes së Kryemadhit, ndërsa një moment interesant ishte kur Kryemadhi po deklaronte se përgjegjësinë për marrëdhënien me Shatkun e kishte vetëm ajo dhe Ilir Meta s’kishte lidhje. Kjo nxiti ndërhyrjen e avokatit të Metës i cili kërkoi nga gjykata që ky moment të regjistrohej se si e pandehura merr përsipër fajin dhe shfajëson klientin e tij.

Kliko këtu për të lexuar parashtrimet e mbrojtjes së Ilir Metës
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Kryemadhi debat me prokurorin: Akuzë seksiste! Kam bërë çfarë më ka dashur qejfi, jo çfarë donte Meta, isha e pavarur
Ish-deputetja Monika Kryemadhi është përfshirë në debate me prokurorin Sotir Kllapo gjatë seancës në GJKKO. Kryemadhi kërkoi pavlefshmërinë e provave të marra nga SPAK, edhe në një celular që asaj i është sekuestruar në banesë, duke thekuar se nuk mund t’i ushtrohej kontroll pa leje nga Kuvendi pasi në atë kohë ka qenë deputete.
Kryemadhi kërkoi nga SPAK që t’i vendosen në dispozicion të gjitha procesverbalet e mbajtura për ekspertimin e telefonit celular. Ndërsa, prokurori Sotir Kllapi deklaroi se të gjitha vendimet janë në fashikullin e vendosur në dispozicion të gjykatës, duke shtuar se nuk kanë qenë në dijeni që ky celular ishte i Kryemadhit, pasi është gjetur në banesën në emër të nënës së saj.
Në momentin e debateve, Kryemadhi deklaroi se akuza e ngritur ndaj saj është seksiste. Kryemadhi tha se SPAK pretendon se ajo bëntë çfarë i kërkonte Ilir Meta, ndërkohë tha se “ka bërë çfarë i ka dashur qejfi”.
Pjesë nga debati në GJKKO
Monika Kryemadhi:Do doja që SPAK të na vinte në dijeni për procesverbalin dhe çfarë vëzhgimi është bërë në telefonin e sekuestruar. E kemi kërkuar në të gjitha seancat. Mua më është mohuar e drejta për të qenë e barabartë në gjykim nga organi hetues. Kam firmosur vetëm procesverbalin e marrjes së 5 disqeve. Në to nuk ekziston, madje në diskun 3 janë disa file që nuk hapen. Ky telefon mbi të cilin është ngritur akuza, mbi çfarë ekspertimi është kryer? Këtë gjë nuk e kam në dosje, kur është ekspertuar, nga kush, çfarë është përftuar dhe mbi çfarë vendimi.
Sotir Kllapi:Të gjitha aktet e ekspertimit për të gjithë telefonat jo vetëm ai telefon që i referohet e pandehura, janë në fashikullin 62, në fashikullin 63 janë dy procesverbal të këqyrjes me të gjitha të dhënat. Janë dy procesverbale, jo një, me të gjitha të dhënat. Ne nuk e dinim që ky telefon ka qenë i znj Kryemadhi sepse telefoni është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Ne do mbajmë qëndrim më të plotë në seancat në vijim…. Si provë ka numrin 348.
Mbrojtja:Nuk jemi njoftuar, ndryshe nga veprimet e tjera që jemi njoftuar dhe kemi firmosur. Nëse është marrë vendim procedurial, si në rastin kontabël si në telefonin, duhet marrë një vendim që palët të firmosnin, pse nuk jemi njoftuar sipas procedurës penale, ku kemi të drejtën të mbajmë qëndrim. Të na e japi organi i akuzës dhe ne mbajmë qëndrimin tonë. Realisht nuk janë dorëzuar provat, vërtetohet që këto prova që pavarësisht se silleshin herë pas here, edhe sot që flasim kemi prova të pa marra. Nëse SPAK është i qartë për vendimet që ka marrë, ne në këtë fazë nuk jemi. Do kishim dhe të drejtën për të bërë memo, por ne nuk kemi provat. Të na vihen në dispozicion provat e aktet procedurale që dhe ne të dimë ku të fokusohemi.
Monika Kryemadhi:Marrim një provë dhe del provë tjetër, ajo që kam nxjerr unë nga telefoni, e para akuza është shumë seksiste sipas meje. Pretendon se Monika Kryemadhi në çdo aspekt bëja çfarë kërkonte bashkëshorti, ndërkohë unë kam bërë çfarë më ka dashur qefi. Me Edi Ramën kam komunikime pa fund, madje edhe bisedat me Pirro Xhixhon i kam njëherësh me Edi Ramën. Organi i akuzës nuk ka dënjuar ta marrë në pyetje Edi Ramën, ta pyeste të ka ardhur Kryemadhi apo Meta dhe të kanë kërkuar diçka për Adrian Shatkun, pse qenka Ilir Meta bashkëpunim me Kryemadhin, kur s’qenka Edi Rama dhe Aleksandër Meksin dhe Sali Berisha? Bashkëpunimi me Ilir Metën nuk është provë shkresore, bashkëpunimi me Ilir Metën kanë qenë vetëm 3 kalamajtë. Mesazhet me Edi Ramën kanë qenë bisedat për AKEP-in me Kryemadhin, pse s’merr SPAK mesazhin që Rama i kërkonte Kryemadhit mbarëvajtjen e marrëveshjeve për Lezhën, hipotekën, Vlorën, pse s’ka marrë Taulant Ballën? Mesazhin në adresë zyrtare me Engjëll Agaçin. Prandaj them se është akuzë seksiste, që do të thotë se ka qenë e varur nga Ilir Meta, por jo, kam qenë e pavarur.
Gjyqi në GJKKO/ Kryemadhi kërkon pavlefshmëri të provave të marra nga celulari i saj: Isha deputete, SPAK s’mund të bënte kontroll në banesën time

Edhe mbrojtja e Monika Kryemadhit paraqiti kërkesat paraprake në GJKKO, duke kundërshtuar një pjesë të provave të administruara nga SPAK. Avokatët kërkuan shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së provave të nxjerra nga telefoni i Kryemadhit. Kjo e fundit tha se SPAK pretendon se telefoni nuk është i saj, por i nënës Fatime Kryemadhi. Ish-deputetja shtoi me ironi që atëherë të vijë dhe të japë llogari nëna e saj për mesazhet me Vali Bizhgen, Albana Shtyllën, Engjëll Agaçin etj.
Kryemadhi insistoi se SPAK nuk mund të ushtronte kontrolle në banesën ku ajo jetonte me të emën, pasi ishte deputete.
Redi Llanaj, avokat i Kryemadhit: 3 herë SPAK tha se nuk ka korrupsion me biznesmenin për çështjen e banesës, por sqaroi se ka marrëdhënie korruptive. Marrëdhënia miqësore konsiderohet nga organi procedues marrëdhënie korruptive. Sqarojmë se të pandehurit e kanë pranuar edhe vetë që kanë miqësi, marrëdhënie njohjeje të hershme miqësore. Janë lënë disa detyra nga gjyqtari i seancës paraprake për moskoherencën e hetimit. Mendoj se nuk janë gabime, por paragjykime. Ligjërisht, kërkesa është shkruar nga 3 prokurorë; de facto është vetëm një prokuror, Altin Dumani. Drejtues ishte edhe Arben Kraja, por Arben Kraja është Arben Kraja, nuk u përdor si vegël.
Ndërhyn gjykata për prishje të solemnitetit dhe shkelje etike.
Llanaj:“Vegël” s’është gjuhë fyese, është instrument, nënkupton një instrument. Është e qartë, këtu ka një çështje politike, ndaj mbrojtësi përdori fjalën “vegël”. Kemi qenë, që nga fillimi i procedimit, të gatshëm. Kemi kontestim për aktet dhe pajisjet elektronike të gjetura në banesën e Kryemadhit. Është ushtruar kontroll dhe janë gjetur 6 telefona, ndërsa për 1 telefon është thënë se është i Kryemadhit.
U mor ky telefon, u ekstraktuan të dhënat dhe u nxorën ato materiale që janë pjesë e procedimit, duke i nxjerrë nga konteksti të dhënat. Kërkojmë papërdorshmërinë absolute të të gjitha të dhënave të ekstraktuara nga telefoni i Kryemadhit. Të bëhet një ekspertim dhe të bëhet krahasim me materialet që janë nxjerrë nga konteksti.
Kryemadhi:Doja të filloja me një kërkesë paraprake për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e të dhënave të telefonit. Kam bërë kërkesë, por ma kanë rrëzuar kërkesën për kthimin e sendeve dhe të telefonit. Gjyqtari e ka rrëzuar kërkesën me argumentin se telefoni nuk është i imi. Kështu e ka rrëzuar edhe Apeli.
Dhe prokuroria pretendonte se nuk është i imi, sepse është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Në momentin kur telefoni u ekspertua, në vitin 2023, unë isha deputete dhe organi i akuzës nuk mund të vinte për të bërë kontroll.
Organi i akuzës e dinte shumë mirë që jetonim në një shtëpi. E di shumë mirë që kontrolloi dhomën time të gjumit, edhe pse në hipotekë ishte e Fatimes. Në këto vendime thuhet se telefoni nuk është i imi, ndërsa 190 faqe të akuzës bazohen në këto mesazhe. Nëse është i Fatime Kryemadhit, të vijë ajo të sqarojë mesazhet me Vali Bizhgen, Albana Shtyllën, Engjëll Agaçin etj.
VIDEOLAJM/ ‘Është një ditë e mrekullueshme’, bluza e veçantë që zgjodhi Kryemadhi për të shkuar në gjyq
Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme, teksa kishte veshur një bluzë ku lexohej ‘It’s a wonderful day’, pra e përkthyer në shqip, ‘është një ditë e mrekullueshme’.
Në GJKKO sot do të zhvillohet seanca e radhës e gjyqit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për dosjen ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
‘Divorci’ me Kujtim Cakranin, Bujar Musta do të jetë avokati i ri i ish-Presidentit Ilir Meta
Bujar Musta do të jetë avokati i ri i ish-Presidentit Ilir Meta, pas ‘divorcit’ të kreut të Partisë së Lirisë me avokatin Kujtim Cakrani.
Avokati Musta u paraqit ditën e sotme në GJKKO, ku do të mbahet seanca e radhës e gjyqit të Ilir Metës e Monika Kryemadhit për dosjen ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
Musta ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit, i shkarkuar nga procesi i vettingut në sistemin e Drejtësisë. Ndërkohë edhe vetë Ilir Meta ka deklaruar në Gjykatë se avokati i tij do të jetë Bujar Musta, ndërkohë që ish-Presidenti ka revokuar prokurën për Kujtim Cakranin.




