Rregullorja e re e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “është hartuar në mungesë të plotë transparence dhe pa asnjë bazë ligjore”. Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, profesor doktor Maksim Haxhia, në një reagim për Report TV shprehet i revoltuar për dokumentin e GJKKO-së, i cili parashikon kufizime të rënda jo vetëm për gazetarët, por edhe për vetë avokatët në ushtrimin e mbrojtjes së klientëve të tyre. Ai thotë se, personalisht, do t’u propozojë strukturave të Dhomës së Avokatisë bojkotimin e seancave në këtë gjykatë.
Rregullorja e re, e hartuar nga kryetari në detyrë Erion Bani, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator. Sipas avokatit Haxhia, “përveçse pa transparencë, ajo është hartuar dhe publikuar në mënyrë djallëzore, në periudhë pushimesh, gjatë së cilës, ashtu si strukturat e Dhomës së Avokatisë, edhe institucione të tjera janë të mbyllura”.Në fakt, rregullorja është miratuar që më 17 korrik, por publikimi i saj u njoftua vetëm më 31 korrik.
Një nga parashikimet më problematike të rregullores së re është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore. Ky ndalim nuk prek vetëm gazetarët, por shtrihet edhe ndaj avokatëve. Haxhia e konsideron të papranueshme një masë të tillë.
“Telefoni është mjet pune, është një studio ligjore lëvizëse për një avokat”, deklaron ai për Report TV.
Sipas kryetarit të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, “rregullorja nuk ka asnjë bazë ligjore. Këto janë kompetenca të KLGJ-së dhe jo të drejtuesit të GJKKO-së”,vë në dukje ai, duke shtuar se, megjithatë, “nuk është e habitshme, pasi në mënyrë graduale ka pasur një trajtim denigrues që në koncept ndaj avokatëve”.
Haxhia thotë se do të kërkojë mbledhjen e strukturave të Dhomës së Avokatisë në ditët e para të shtatorit për të marrë në shqyrtim dokumentin e GJKKO-së dhe për të dalë me një qëndrim institucional.
“Unë do të propozoj bojkot, sepse kjo situatë nuk mund të lejohet të vijojë më kështu. Ka mbetur vetëm që ta heqin fare avokatinë”, përfundon ai.
Edhe juristi e avokati Ylli Manjani kundërshton me forcë kufizimet e reja. Ai propozon që në sallat e gjyqit të instalohet një webkamera fikse dhe seancat të transmetohen përmes një linku publik, duke argumentuar se kjo do të garantonte transparencë pa cenuar interesin publik për informim. Sa i takon celularëve Manjani u shpreh se ai është një mjet pune për çdo avokat.
“Në web-kamer në sallën e gjyqit që të transmetojë çdo gjë në kohë reale. Çdokush që ka interes çfarë ndodh në sallën e gjyqit duhet të ketë mundësinë ta bëjë këtë gjë”, shprehet ai për Report Tv.
Ndërkohë, avokati Plarent Ndreca i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë me një memorandum, ku kërkon kundërshtimin e Udhëzimit nr. 716 të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Rregullores së Sigurisë së GJKKO-së. Sipas tij, këto akte administrative tejkalojnë kompetencat e organeve që i kanë miratuar dhe cenojnë parime kushtetuese, si publiciteti i gjykimit, pavarësia e avokatit dhe funksioni gjyqësor. Në memorandum, Ndreca argumenton se kufizimet ndaj të drejtave dhe lirive themelore mund të vendosen vetëm me ligj dhe jo me akte administrative.
Reagimet e avokatëve dhe juristëve vijnë ndërsa rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator. Mbetet për tu parë nëse Gjykata e Posaçme do të rishikojë dokumentin e prodhuar nga kryetari saj Erion Bani, apo do të zgjedhë një kurs përplasjeje, me komunitete të gjera, përfshirë dhe mediat, që po e kritikojnë atë hapur.
GJKKO censuroi mediat, Manjani për Report Tv: Të vendoset një web-kamer që të transmetojë live seancat, ku të kenë akses edhe gazetarët

Ish-ministri i Drejtësisë, juristi Ylli Manjani komenton për Report Tv rregulloren e re të GJKKO-së që censuron mediat. Ai propozon që seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt përmes një kamere fikse (webcam), ku gazetarët të kenë akses në kohë reale për të ndjekur zhvillimin e tyre. Me ironi Manjati tha se nëse teknologjia do të hiqet nga salla e gjyqit, mbetet që atje të shkohet ‘me karroca supermarketi’.
Në cilësinë e avokatit, Manjani tha se nëse i hiqet e drejta për të mbajtur celular apo Ipad në sallë, ai e ka të pamundur që të zhvillojë një seancë gjyqësore.
“Unë kam këtë bindje, që ka një zgjidhje që i përfshin të gjitha problemet. Zgjidhja është që në sallën e gjyqit të jetë një kamer, që transmeton në kohë reale në një link gjithçka ndodh në sallën e gjyqit. Ky link duhet të jetë i aksesueshëm nga gazetarët, nga mediat. Mund ta bësh edhe nga zyra jote dhe t’i të kuptosh gjithçka ndodh aty. Gjyqi është i hapur dhe nuk ka pse të jetë debati mbyllet apo nuk mbyllet. Rastet e mbylljes së gjyqit duhet të jenë shumë të rralla. Ky është koncepti i gjykatës së hapur.
Sepse nga njëra anë nxitet përdorimi i teknologjisë, nga ana tjetër duke hequr teknologjinë nga salla e gjyqit me ça të shkojmë tani, me karroca supermarketi me dosje. Nuk shkon kjo gjë. Ju e keni parë salla e gjyqit ka edhe ekran, edhe televizor. Pra duhet harmonizuar në raport me kohën ku jetojmë hapja e procesit. Kjo është më e mirë se hapja e procesit me dokumenta konfidenciale që dalin rrugëve.
Për mendimin tim kjo është mënyra më e mirë, një ëeb-kamer në sallën e gjyqit që të transmetojë çdo gjë në kohë reale. Çdokush që ka interes çfarë ndodh në sallën e gjyqit duhet të ketë mundësinë ta bëjë këtë gjë. Gazetarët me pak më shumë përparësi. Sepse edhe futja e kamerës për të bërë një plan në një sekuencë të caktuar dhe pastaj t’i ta përdorësh planin si të duash ti, kjo nuk është normale. Jo mo thuaje planin nga fillimi në fund. Shumica e punës në sallën e gjyqit bëhet me celular dhe Ipad. Nëse gjykata vendos këtë, unë nuk bëj dot gjyqe. Pengohem në ushtrimin e detyrës për të mbrojtur klientin. Po prokurori pse ka celular në sallën e gjyqit?”, tha mes të tjerash Manjani.
Veç pranisë së gazetarëve, me vendimin e ri të GJKKO-së në sallën e gjyqit, kufizim do të ketë edhe në praninë e kamerave. GJKKO-ja citon parimin e publicitetit të gjykimit, por thotë në nenin 78 se “fotografimi, regjistrimi ose transmetimi audioviziv i seancave gjyqësore nuk përbën element të domosdoshëm të këtij parimi dhe autorizohet vetëm në kushtet e parashikuara nga kjo rregullore”. Një përkufizim që nuk përpiqet as të fshehë qasjen kufizuese ndaj medias dhe rolit të saj.
Censura e GJKKO-së ndaj mediave, avokati Plarent Ndreca kërkon pezullimin e rregullave të reja: Cenojnë të drejtën e informimit dhe publicitetin e gjykimit

Ndaj rregullores së re të GJKKO-së, e cila parashikon kufizime të rënda jo vetëm për mediat, por dhe për avokatët, ka reaguar ashpër dhe komuniteti i juristëve. Avokati Plarent Ndreca i ka drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë një Memorandum, ku kërkon pezullimin e rregullores së re.
Sipas memorandumit, këto akte administrative tejkalojnë kompetencat e organeve që i kanë miratuar dhe cenojnë parime kushtetuese, si publiciteti i gjykimit, pavarësia e avokatit dhe funksioni gjyqësor. Ndreca argumenton se kufizimet ndaj të drejtave dhe lirive themelore mund të vendosen vetëm me ligj dhe jo përmes akteve administrative.
Në dokument i kërkohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë të ndërmarrë veprime institucionale dhe gjyqësore për konstatimin e pavlefshmërisë së këtyre akteve, si edhe të garantojë mbështetje për avokatët e prekur nga zbatimi i tyre.
Dokumenti i plotë:
MEMORANDUM NR. 2
Mbi Udhëzimin nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Rregulloren e Sigurisë së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO)
DREJTUAR:
Prof. Dr. Maksim HAXHIA
KRYETAR I DHOMËS KOMBËTARE TË AVOKATISË
NGA:
Av. Plarent NDRECA
I nderuar Kryetar Haxhia,
Të nderuar kolegë, anëtarë të organeve drejtuese të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë,
Në Memorandumin nr. 1 kam tërhequr vëmendjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë se, përmes praktikës së vendosjes së gjobave administrative ndaj avokatëve nga Gjykata e Posaçme, po konsolidohej një standard i ri që cenonte pavarësinë e profesionit të avokatit, barazinë e armëve dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor.
Fatkeqësisht, ajo që në fillim paraqitej si një praktikë gjyqësore problematike, sot është institucionalizuar përmes akteve administrative me karakter normativ. Fillimisht kjo u bë me Udhëzimin nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa tashmë edhe me Rregulloren e re të Sigurisë së Gjykatës së Posaçme, e cila jo vetëm e ka përqafuar këtë model administrativ, por e ka zgjeruar dhe institucionalizuar edhe më tej.
Sipas vlerësimit tim, këto dy akte nuk mund dhe nuk duhet të analizohen veçmas. Rregullorja e GJKKO-së nuk përbën një akt të izoluar, por është vazhdim dhe zbatim i drejtpërdrejtë i modelit normativ të krijuar nga Udhëzimi nr. 716/2023 i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Të dy aktet ndërtojnë një regjim administrativ i cili, nën emërtimin e administrimit të sigurisë dhe të marrëdhënieve me publikun, synon të rregullojë publicitetin e gjykimit, marrëdhëniet me median, ushtrimin e profesionit të avokatit, zhvillimin e seancës gjyqësore dhe vetë ushtrimin e funksionit gjyqësor.
Pikërisht mbi këtë bazë, analiza ime juridike arrin në përfundimin se si Udhëzimi nr. 716, datë 06.12.2023, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ashtu edhe Rregullorja e Sigurisë së GJKKO-së paraqesin shkelje serioze kushtetuese dhe ligjore, të cilat justifikojnë kundërshtimin e tyre në rrugë institucionale dhe gjyqësore.
Thelbi i problemit qëndron në faktin se kufizime, të cilat ligjvënësi nuk i ka parashikuar me ligj, po krijohen gradualisht përmes akteve administrative të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe të administratës së gjykatave.
Konkretisht:
Së pari, këto akte janë nxjerrë në mungesë të kompetencës për të rregulluar fusha që Kushtetuta dhe ligji ia rezervojnë ligjit dhe funksionit gjyqësor. KLGJ-ja është organ i qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe jo organ që ushtron funksionin kushtetues të dhënies së drejtësisë. Për këtë arsye, ajo mund të miratojë standarde organizative ose teknike për administrimin e gjykatave si institucione, por nuk mund të krijojë kufizime të reja lidhur me publicitetin e gjykimit, marrëdhëniet e trupit gjykues me median, filmimin apo transmetimin e seancave gjyqësore.
Në të njëjtën mënyrë, Këshilli i Gjykatës, sipas nenit 38 të ligjit nr. 98/2016, mund të miratojë vetëm rregulla për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së gjykatës, por jo të krijojë një regjim procedural që rregullon ushtrimin e profesionit të avokatit, të drejtat e medias, zhvillimin e seancës gjyqësore apo kompetencat e trupit gjykues.
Së dyti, të dy aktet cenojnë rezervën kushtetuese të ligjit. Nenet 17, 22 dhe 23 të Kushtetutës kërkojnë që çdo kufizim i të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë lirinë e shprehjes, të drejtën e informimit dhe publicitetin e gjykimit, të vendoset vetëm me ligj, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të respektojë parimin e proporcionalitetit. As KLGJ-ja dhe as Këshilli i Gjykatës nuk mund të krijojnë, përmes akteve administrative, kufizime që ligjvënësi nuk i ka autorizuar shprehimisht.
Së treti, këto akte përmbysin parimin kushtetues të publicitetit të gjykimit. Neni 5 i ligjit nr. 98/2016 dhe nenet 339 e 340 të Kodit të Procedurës Penale e trajtojnë publicitetin si rregull, ndërsa kufizimin e tij si përjashtim, vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht nga ligji. Udhëzimi i KLGJ-së dhe Rregullorja e GJKKO-së e përmbysin këtë raport, duke e shndërruar publicitetin nga një garanci kushtetuese në një regjim autorizimi, kontrolli dhe vendimmarrjeje administrative.
Së katërti, ato ndërhyjnë drejtpërdrejt në ushtrimin e funksionit gjyqësor. Në momentin që një akt administrativ fillon të përcaktojë mënyrën e zhvillimit të seancës, praninë e medias dhe të publikut, zhvillimin e gjykimeve hibride, përdorimin e mjeteve të punës së avokatit apo administrimin procedural të gjykimit, ai nuk administron më gjykatën si institucion, por ndërhyn në ushtrimin e funksionit të gjyqtarit si dhënës i drejtësisë. Një ndërhyrje e tillë bie ndesh me nenet 42 dhe 145 të Kushtetutës dhe cenon ndarjen ndërmjet funksionit administrativ dhe atij gjyqësor, duke prekur drejtpërdrejt pavarësinë individuale të gjyqtarit.
Së fundi, të dy aktet cenojnë regjimin kushtetues të akteve normative. Nëse konsiderohen akte të brendshme administrative, ato nuk mund të prodhojnë efekte juridike ndaj të tretëve. Nëse synojnë të krijojnë detyrime për median, avokatët, publikun ose palët në proces, atëherë duhet të mbështeten në një autorizim të shprehur ligjor, të respektojnë kufijtë e delegimit dhe t’i nënshtrohen regjimit kushtetues të hyrjes në fuqi dhe publikimit të akteve normative. Ato nuk mund të zbatohen si burime autonome kufizimesh ndaj të drejtave kushtetuese.
Pikërisht këto shkelje të ndërthurura — mungesa e kompetencës materiale, cenimi i rezervës kushtetuese, ndërhyrja në të drejtat dhe liritë themelore, cenimi i pavarësisë së gjyqtarit dhe shmangia e regjimit kushtetues të akteve normative — e nxjerrin këtë çështje përtej debatit të zakonshëm mbi ligjshmërinë administrative dhe e vendosin në planin e pavlefshmërisë absolute të këtyre akteve.
Kjo problematikë nuk ka lindur me miratimin e Rregullores së GJKKO-së. Ajo është paralajmëruar prej kohësh në kërkesat që i kam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku kam argumentuar se neni 14 i Vendimit nr. 716, datë 06.12.2023, krijonte një bazë normative të papajtueshme me Kushtetutën për kufizimin administrativ të publicitetit të gjykimit.
Modeli kufizues i krijuar nga KLGJ-ja është marrë si bazë, është zgjeruar përtej kufijve të tij fillestarë dhe është institucionalizuar në mënyrë edhe më të thellë nga administrata e Gjykatës së Posaçme. Nëse ky model pranohet, ai nesër mund të replikohet në çdo gjykatë të Republikës së Shqipërisë, duke e shndërruar një praktikë të paligjshme në një standard administrativ të funksionimit të sistemit gjyqësor.
Pikërisht për këtë arsye, dhe në përputhje me misionin që ligji i ngarkon për mbrojtjen e pavarësisë dhe lirisë së profesionit të avokatit, vlerësoj se Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të ndërmarrë këto veprime institucionale:
• të mbajë një qëndrim publik institucional mbi antikushtetutshmërinë e Udhëzimit nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Rregullores së Sigurisë së Gjykatës së Posaçme;
• t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Posaçme ndryshimin e menjëhershëm të dispozitave që cenojnë pavarësinë e avokatit, të gjyqtarit dhe të medias, si edhe publicitetin e gjykimit;
• të ushtrojë të drejtën e saj për ngritjen e padisë administrative me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të këtyre akteve, si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tyre;
• të garantojë mbështetje institucionale për çdo avokat ndaj të cilit merren masa në zbatim të këtyre akteve, duke ndërhyrë në çdo procedurë administrative ose gjyqësore ku cenohen pavarësia dhe liria e ushtrimit të profesionit të avokatit;
• të iniciojë një tryezë të përbashkët institucionale me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, organizatat e medias dhe partnerët ndërkombëtarë për rishikimin e plotë të standardeve që rregullojnë publicitetin e gjykimit dhe ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e Këshillit të Evropës.
I nderuar Kryetar,
Të nderuar kolegë,
Askush nuk vë në diskutim detyrimin e shtetit për të garantuar sigurinë e gjykatave dhe të çdo institucioni tjetër publik. Megjithatë, siguria nuk mund të shndërrohet në një burim autonom kompetencash për administratën e gjykatës dhe as të përdoret si justifikim për kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Rendi kushtetues shqiptar mbështetet në parimin se të drejtat dhe liritë themelore përbëjnë themelin e shtetit të së drejtës dhe se çdo kufizim i tyre mund të vendoset vetëm me ligj, në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës.
Kur vetë administrata e gjykatës tejkalon kompetencat e saj dhe ndërhyn në fusha të rezervuara Kushtetutës, ligjit dhe funksionit gjyqësor, reagimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë nuk është vetëm një e drejtë, por një detyrim ligjor dhe profesional ndaj kolegëve avokatë, ndaj qytetarëve që kanë të drejtë për një mbrojtje efektive dhe ndaj vetë shtetit të së drejtës.
Me konsideratë të lartë,
Av. Plarent NDRECA
Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë




