Koordinatorja e protestave të diasporës, Paola Kola, ka deklaruar në një komunikim për News24 se lëvizjet e fundit qytetare janë rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej 35 vitesh ndaj asaj që ajo e cilëson si “demokraci fiktive”. Sipas Kolës, ngjarjet në Zvërnec ishin momenti që “mbushi kupën” dhe i shtynë qytetarët të ngrinin pyetje mbi sigurinë, funksionimin e institucioneve dhe lirinë e medias. Ajo tha se deri më tani nga diaspora shqiptare janë mbajtur 270 protesta, ndërsa shtoi se do t’i bashkohen tubimit në shesh më 14-16 gusht. Aktivistja tha se Gjermania ngelet një nga shtetet ku shqiptarët protestojnë më shumë.
“Kjo ngritje masive e popullit shqiptar ishte në kuadër të një mllefi 35-vjeçar, të një demokracie fiktive. Ajo që ndodhi në Zvërnec ishte pika që derdhi gotën”, u shpreh ajo. Duke folur për protestat e diasporës, Kola tha se ato ishin një shenjë solidariteti me qytetarët brenda vendit dhe se organizimi u bë përmes nismave qytetare nga të rinj.
“Ka qenë pjesëmarrje masive. Koordinimi ka qenë i thjeshtë, i bërë nga vajza dhe djem të rinj. Ishin nisma qytetare, njerëzit gjetën njëri-tjetrin. Ne ishim mbështetje për ta”, deklaroi ajo. Aktivistja tha se emigrimi i shqiptarëve nuk ka qenë gjithmonë një zgjedhje, por shpesh një detyrim për shkak të mungesës së meritokracisë dhe mundësive të barabarta. “Shqiptarët që janë larguar nga Shqipëria, kanë qenë më shumë si dëbim sesa si dëshirë. Nuk jemi larguar si qytetarët e shteteve të tjera, por sepse këtu nuk ka meritokraci”, tha Kola.
Ajo pretendoi gjithashtu se po shfaqen shenja të një krize politike për Partinë Socialiste, duke përmendur largime nga strukturat, reagime të disa bashkive të majta dhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. “Po tunden themelet e PS. Kemi pasur mbështetjen e Parlamentit Europian dhe jehonë nga mediat e huaja. Këto nuk janë arritje të vogla”, u shpreh ajo.
Sipas Kolës, qëllimi kryesor i protestave është demokratizimi i vendit, forcimi i institucioneve të pavarura dhe një sistem drejtësie që funksionon pa ndikime politike. “Dorëheqja e kryeministrit është finalizimi i kësaj proteste. Duhet të zhbëhet ky sistem që e ka lënë vendin në këtë gjendje”, deklaroi ajo. Aktivistja foli edhe për pretendimet e saj për tentativa intimidimi ndaj organizatorëve të protestave në diasporë. Ajo tha se publikimi i të dhënave personale të disa aktivistëve nga një portal ishte i papranueshëm dhe se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore.
“Nuk intimidohemi. Ka ardhur momenti që këto shkelje t’i shqyrtojmë në rrugë ligjore. Nuk kam asnjë frikë, jam e pastër në çdo gjë”, përfundoi Paola Kola.




