TIRANË– Reporterët Pa Kufij i bashkohen organizatave të tjera ndërkombëtare që janë alarmuar pas publikimit nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të një Rregulloreje të re të brendshme e cila praktikisht censuron mediat. Në një reagim ekskluziv për Report Tv, Reporterët Pa Kufij thonë se janë të shqetësuar pasi me rregulloren e re, gazetarët trajtohen si persona të dyshuar.
“Jemi të shqetësuar që rregullorja e brendshme i trajton gazetarët apriori si të dyshuar, duke vendosur një ndalim të përgjithshëm dhe duke mos lejuar masa proporcionale të vlerësuara rast pas rasti”, thuhet në reagim.
Dokumenti i hartuar nga kryetari në detyrë Erion Bani, vendos kufizime dhe ndalime, që praktikisht e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat.
Reporterët Pa Kufij, organizata që mbron lirinë e mediave dhe gazetarëve në botë, thotë se kjo Rregullore nuk duhet të gjejë zbatim pa iu nënshtruar më parë ndryshimeve të kufizimeve që parashikon.
“Ne mbështesim plotësisht kërkesën e shoqatave të gazetarëve në Shqipëri për të pezulluar zbatimin e kësaj rregulloreje dhe për ta amenduar atë mbi bazën e një konsultimi me shoqatat dhe palët e tjera të interesuara. Sa u përket standardeve evropiane, ndërsa disa vende lejojnë regjistrimin audio ose video të seancave gjyqësore, të tjera e ndalojnë rreptësisht atë për të mbrojtur integritetin dhe përqendrimin e procesit gjyqësor (siç është rasti i Francës, për shembull)”, thuhet në reagim.
Të njëjtin qëndrim mban dhe Rrjeti SafeJournalist përmes një deklarate publike, ku analizohen në detaje aspektet kufizuese të dokumentit.
“Efekti i kombinuar i disa dispozitave rrezikon të kufizojë aftësinë e gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt proceset gjyqësore, për të mbajtur shënime të sakta, për të komunikuar me redaksitë e tyre dhe për të raportuar në kohë për çështje me interes të jashtëzakonshëm publik”, thuhet në deklaratë.
Organizata shprehet e shqetësuar për ndalimin e mbajtjes së celularëve apo dhe laptopëve gjatë seancave gjyqësore nga ana e gazetarëve. Ndërsa për ndalimin e kamerave shprehet se çdo kufizim duhet të bazohet në rrethanat konkrete të seancës, të jetë i arsyetuar dhe proporcional. SafeJournalist bën thirrje që rregullorja të pezullohet dhe të shqyrtohen masa më pak kufizuese për median.
Më herët edhe Federata evropiane e gazetarëve kishte kërkuar të njëjtën gjë, ndërsa shprehej e tronditur nga kufizimet e Rregullores së GJKKO-së ndaj gazetarëve. Federata paralajmëroi se nëse GJKKO nuk do e ndryshojë qëndrimin e saj, ajo do të paraqiste një ankesë zyrtare në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë, gjë që do ta detyronte qeverinë shqiptare të japë shpjegime për këtë kufizim serioz të së drejtës për akses në informacion.
Shqetësimi për Rregulloren e GJKKO-së, është ngritur edhe në platformën online që dokumenton sulmet ndaj medias në të gjithë Europën, Mapping Media Freedom. Kjo platformë, është e krijuar nga një koalicion i gjerë organizatash europiane që mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Në deklaratë, ndalimi i përdorimit të celularit nga gazetarët gjatë seancave cilësohet si “veçanërisht shqetësues.”
Dokumenti kufizues i GJKKO-së, ka përfunduar dhe në lupën e OSBE-së. Organizata me 57 vende anëtare, e cila ka dhe një përfaqësues të posaçëm për lirinë e medias, është shprehur për Report Tv se po vlerëson në veçanti nëse, dhe në çfarë mase, rregullorja e miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin mund të ketë implikime për garancitë e gjykimit të drejtë, procedurat gjyqësore transparente dhe aksesin në media.
Shoqatat shqiptare të gazetarëve kanë reaguar po ashtu duke e kundërshtuar me forcë Rregulloren e GJKKO-së e cila sipas tyre përbën një kufizim të ri të lirisë së mediave dhe të drejtës kushtetuese për informim publik.
Rregullorja e re e GJKKO, reagon organizata INFOÇIP: Zbeh rolin e medias, privatizon sallën e gjyqit! Të anulohen parashikimet

Organizata jo-qeveritare INFOÇIP ka reaguar lidhur me rregulloren e re të GJKKO duke kërkuar heqjen e të gjitha parashikimeve për median, pasi duhet të mbrohet aleanca media-gjyqësor që i shërben interesit publik.
Në deklaratë, përmenden pikat që cenojnë lirinë e medias pasi krijon kushte për privatizim të sallës së gjyqit dhe eliminon mbikëqyrjen e pavarur publike apo mediatike. Gjithashtu, asgjëson të drejtën e publikut për të ndjekur proceset penale, e sheh median si pengesë dhe cenon lirinë kushtetuese të saj, ndërsa proceset burokratike si hedhja e shortit apo kërkesat me shkrim për të ndjekur seancat, zbehin rolin e medias.
Deklaratë publike për rregulloren e GJKKO — Ja pikat e errëta që cenojnë lirinë e medias
Qendra për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP, u njoh me tekstin e Rregullores që ka hartuar GJKKO me titull: “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, miratuar me vendim të Këshillit të Gjykatës nr. 49, dt. 17.07.2026.
Përmes këtij reagimi zyrtar, INFOÇIP shpreh shqetësimin e thellë për parashikimet që kjo rregullore përmban sa i takon aksesit të medias në këtë gjykatë. Përfshirja e rregullave për marrëdhëniet Media-Gjyqësor në këtë rregullore është jashtë objektit që ajo i cakton vetes. Kjo marrëdhënie ka marrë një zgjidhje përfundimtare në Udhëzuesin Standard të Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, të miratuar nga KLGJ dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 182, në datën 16 dhjetor 2023.
Rregullorja e GJKKO përmban parashikime që bien ndesh jo vetëm me rregulloren e KLGJ, por edhe me Kodin e Procedurës Penale, madje duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm për cenimin e parimeve kushtetuese të hierarkisë së normës ligjore dhe të shtetit ligjor.
Rregullorja e GJKKO krijon kushte për privatizimin e plotë të sallës së gjyqit dhe eliminimin e çdo forme mbikëqyrjeje të pavarur publike apo mediatike. Ajo eliminon të drejtat e palës nën akuzë në procesin penal, duke rënë ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale, por edhe me parashikimet e Udhëzuesit Standard të Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, të miratuar nga KLGJ (neni 14), kur vetë pala e akuzuar jep pëlqimin për regjistrimin dhe publikimin në media të deklarimeve që bën në sallën e gjyqit.
Rregullorja e GJKKO asgjëson të drejtën e publikut për të ndjekur përmes medias procesin penal në ngarkim të personave të zgjedhur apo funksionarëve të lartë. Në këtë rast, publiku është në cilësinë e viktimës së veprës penale dhe kufizimi i mediave në sallën e gjyqit cenon drejtpërdrejt dimensionin publik të gjykimit, duke rënë haptazi ndesh me Kushtetutën dhe kodet e procedurës në RSH.
Rregullorja bën parashikime skrupuloze për sendet e ndaluara në sallën e gjyqit, duke rrezikuar që publiku ta perceptojë GJKKO si shtojcë e një institucioni penitenciar, ku kufizohen liritë dhe jo si një institucion drejtësie me tagra të posaçme ligjore që mbron dhe garanton të drejtat e shtetasve.
Bazuar në parashikimet ekstensive për Median në GJKKO, si dhe duke analizuar teknikën e formulimit të neneve, mund të kuptohet se autorët, në vend që ta trajtojnë median si një aleate në mbrojtjen e interesit publik, madje edhe të vetë gjykatës, e shohin atë si një pengesë, madje si një kundërshtar që duhet kufizuar, në rastin më të mirë. Kjo pikëpamje është anakronike; Gjyqësori dhe Media janë aleatë të natyrshëm në mbrojtje të interesit publik nga shpërdorimi që i bëhet këtij të fundit nga pushtetet e tjera. Premisa sipas së cilës Media prezumohet aleate e krimit dhe e të korruptuarve, dhe jo aleate e Publikut, i cili ka të drejtë të informohet mbi procesin penal, duhet eliminuar përmes anulimit të vendimit që ka miratuar këtë rregullore.
Rregullorja duhet të bëjë parashikime rigoroze që media të ketë vendet e saj të garantuara në sallën e gjykimit penal. Parashikimet relative se Media ka vetëm vendet bosh që mund të mbeten në sallë, pasi ulen familjarët dhe palët e tjera të interesuara, janë problematike. Ato do të thellojnë ndasitë midis Pushtetit Gjyqësor dhe Pushtetit Mediatik, duke sjellë efektin e kundërt për vetë GJKKO, e cila e ka interes thelbësor rritjen e besimit të publikut në veprimtarinë e saj në mbrojtje të ligjit dhe vetë interesit publik.
Liria e Medias është e garantuar në RSH, por kjo Rregullore bën një kufizim të rreptë të garancisë kushtetuese, teksa bën rregullime jashtë fushës së veprimtarisë së vet. Rregullorja duhet të garantojë përputhshmërinë integrale të saj me parimet kushtetuese në fuqi në RSH. Përmes parashikimeve në këtë Rregullore, administrata e GJKKO merr tagrat e Gjykatës Kushtetuese që verifikon respektimin e parimit të lirisë së medias.
INFOÇIP konstaton me shqetësim se Rregullorja i cakton detyrim Medias që seanca të ndiqet me kërkesë paraprake. Kjo kërkesë nuk aplikohet edhe për familjarët e të pandehurve apo të viktimave të krimit. Media është mbikëqyrëse direkte e interesit publik dhe raporton tek ky i fundit; kur interesi publik është dëmtuar përmes veprimtarisë së dyshuar kriminale, media në sallën e gjyqit është e vetmja mënyrë që ajo sallë të zgjerojë në mënyrë eksponenciale arritjen e audiencës dhe një zbatim efektiv të parimit të publicitetit gjyqësor. Gjykata ka nevojë për mbështetjen e publikut në çështje me profil të lartë politik. Është e habitshme se përse GJKKO nuk zgjedh ta sigurojë këtë mbështetje përmes Medias.
Hedhja e shortit për të përcaktuar se cila media ndjek seancën është një mekanizëm anakronik në epokën e transmetimeve dixhitale dhe nuk duhet të gjejë vend në këtë rregullore. Koncepti “media e autorizuar”, që përdoret në këtë rregullore, është diskriminues në thelb. Të gjitha mediat kanë të drejta të barabarta te informacioni gjyqësor, i cili, në procesin penal, është në mënyrë domethënëse informacion publik, sikurse implikon vetë parimi i publicitetit të gjykimit penal.
Lidhur me transmetimin audio-viziv, Rregullorja e GJKKO bie ndesh me rregullat që KLGJ ka adoptuar për këtë qëllim në Udhëzuesin Standard të Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, të miratuar nga KLGJ dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 182, publikuar në datën 16 dhjetor 2023. Kjo e fundit lejon transmetimet audio me mjete që përdor gazetari, përfshirë celularin, sa kohë që ruhet rendi dhe qetësia në sallën e gjyqit dhe sa kohë kjo nuk bie ndesh me kërkesat e palës nën gjykim.
Mbajtja e regjistrave për median dhe praninë e saj në gjykatë, sikurse parashikohet në këtë Rregullore, rezonon me praktika intimiduese, që, në vend që të promovojnë, kufizojnë lirinë e medias dhe njëkohësisht rrisin ngarkesën administrative të vetë GJKKO. Regjistrat e hyrjes, që administrohen nga personeli i sigurisë, janë të mjaftueshëm për të garantuar një mbarëvajtje të kënaqshme të procesit gjyqësor dhe, në tërësi, të ndërveprimit media-gjykatë (neni 94). Mbajtja e regjistrave edhe në format elektronik për veprimtarinë e gazetarëve cenon lirinë e tyre.
Rregullorja e GJKKO asgjëson të drejtën e palës nën akuzë/gjykim për të lejuar ose mohuar median në sallën e gjyqit, një e drejtë kjo e cila njihet nga rregullorja ekzistuese e KLGJ.
Neni 98 i Rregullores së GJKKO ka trajtat e parashikimeve të Kodit Penal apo Administrativ. Sanksionet e çdo natyre, ndaj secilës palë që paraqet interes për të ndjekur procesin penal në sallën e gjyqit, i cili është publik në thelbin e tij, mund të caktohen vetëm me ligj që miratohet me shumicë të cilësuar, konform parashikimeve të nenit 81 të Kushtetutës, i cili evokon rezervën e shprehur të Kuvendit, që është pushtet më vete (dega legjislative). Veshja e kompetencave të Kuvendit nga GJKKO është një tejkalim i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve të RSH.
Rregullorja e GJKKO është më e gjata në gjithë historikun e rregulloreve të institucioneve të shtetit shqiptar, me plot 162 nene. Pa hyrë në brendinë e parashikimeve, në kuptimin e teknikës legjislative, kjo Rregullore, përveçse ngjan me një Kod, krijon mbirregullim, mbivendosje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloret e tjera (KLGJ), si dhe ndotje legjislative, që nuk i shërben harmonizimit të roleve të aktorëve që ndërveprojnë në një shoqëri të hapur dhe demokratike. Rregullorja, në vend që të forcojë, zbeh rolin e medias në raportimin e procesit penal nga gjykata, duke shkaktuar një dobësim të vetë Medias si Pushtet i Katërt.
Rregullorja mbyll sallat e gjyqit për gazetarët e pavarur dhe i kthen ato në territore me juridiksion ekstraterritorial dhe ekstraligjor për gjyqtarët e GJKKO, të cilët përdorin Gardën dhe Policinë jo për administrimin efektiv të gjyqit, por për administrimin ekskluziv të medias në sallën e gjyqit.
Qendra për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP rekomandon heqjen e të gjitha parashikimeve me objekt Median nga Rregullorja e GJKKO/2026 dhe restaurimin e parimeve dhe parashikimeve që përmban Udhëzuesi Standard i Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, miratuar nga KLGJ në dhjetor 2023. INFOÇIP i bën thirrje KLGJ të jetë në mbrojtje të interesit publik dhe të advokojë një marrëdhënie miqësore Media-Gjyqësor, duke marrë masa për eliminimin e akumulimeve. Gjyqësorit i intereson një Media që është aleancë me të, pasi që të dyja pushtetet janë vija e parë dhe e fundit e mbrojtjes së interesit publik nga abuzimi i pushteteve të tjera dhe i grupeve kriminale.
Edhe SafeJournalists thirrje GJKKO: Pezullo rregulloren e re, kufizohet puna e gazetarëve! Do informojmë aktorët ndërkombëtarë

Edhe rrjeti Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje GJKKO-së që të pezullojë rregulloren e re që censuron mediat. Në një deklaratë të gjatë, Rrjeti SafeJournalists thotë se me rregulloren e re kufizohet puna e gazetarëve dhe e drejta e publikut për informim. SafeJournalists bën thirrje të shqyrtohen masa më pak kufizuese për median dhe thekson se do të informojë aktorët ndërkombëtarë.
Deklarata e plotë për mediat
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim për disa nga dispozitat që lidhen me median në Rregulloren e re të Brendshme të miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026, publikuar më 31 korrik 2026 dhe që parashikohet të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026.
Rrjeti njeh përgjegjësinë e Gjykatës së Posaçme për të garantuar sigurinë, për të mbrojtur të gjithë pjesëmarrësit në proces, për të ruajtur integritetin e procesit gjyqësor dhe për të siguruar administrimin e rregullt të drejtësisë. Ai gjithashtu vlerëson garancitë e parashikuara në rregullore për të nxitur transparencën, trajtimin e barabartë dhe vendimmarrjen e arsyetuar.
Në të njëjtën kohë, efekti i kombinuar i disa dispozitave rrezikon të kufizojë aftësinë e gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt proceset gjyqësore, për të mbajtur shënime të sakta, për të komunikuar me redaksitë e tyre dhe për të raportuar në kohë për çështje me interes të jashtëzakonshëm publik.
Vërejmë se neni 90 vendos akreditim vjetor dhe individual, ndërsa neni 93(1) rregullon aksesin e përfaqësuesve të akredituar të medias. Rregullorja nuk përcakton qartë nëse një gazetar pa akreditim të përhershëm nga Gjykata e Posaçme mund të ndjekë një seancë, e cila përndryshe është publike, si anëtar i publikut. Shtojca 7 kërkon gjithashtu që gazetarët e pavarur të dëshmojnë veprimtari profesionale gjatë 12 muajve të mëparshëm. Kjo qasje rrezikon të vendosë në pozita të pafavorshme gazetarët freelancer, të pavarur, në fillimet e karrierës apo të sapocaktuar për të mbuluar Gjykatën. Akreditimi mund të lehtësojë identifikimin dhe aksesin e barabartë, por nuk duhet të shndërrohet në një filtër apo kusht të panevojshëm për të ndjekur procedimet publike.
Procedura e aksesit mund të krijojë gjithashtu një barrë të panevojshme administrative për gazetarët, veçanërisht për ata që punojnë në redaksi të vogla ose si gazetarë të pavarur. Kur aktivizohet procedura e posaçme sipas nenit 93(2), neni 93(3) kërkon, si rregull, që gazetarët të paraqesin kërkesë të paktën 24 orë përpara seancës. Më pas mund t’u kërkohet të konfirmojnë pjesëmarrjen, të respektojnë rregullin e përgjithshëm të një përfaqësuesi për çdo media dhe, nëse kërkohet mbulim audioviziv, të paraqesin një kërkesë të veçantë sipas nenit 95. Këto procedura mund të ndihmojnë organizimin kur ekziston një nevojë konkrete për shkak të kapacitetit të sallës apo të sigurisë, por nuk duhet të shndërrohen në kusht rutinë për ndjekjen e seancave publike. Seancat urgjente, njoftimet e vona dhe zëvendësimi i gazetarëve kërkojnë një procedurë të thjeshtë dhe të shpejtë.
Jemi të shqetësuar për nenin 76 dhe nenin 93(16), të cilët ndalojnë gazetarët e lejuar vetëm për të ndjekur një seancë që të mbajnë ose përdorin telefona celularë, laptopë dhe pajisje të tjera elektronike. Parandalimi i regjistrimit apo transmetimit të paautorizuar është legjitim. Megjithatë, një ndalim i përgjithshëm pengon gjithashtu mbajtjen në heshtje të shënimeve, raportimin me shkrim, komunikimin me redaktorët, verifikimin e informacionit ligjor dhe përdorimin e pajisjeve për nevoja aksesueshmërie. Duhet të shqyrtohen masa më pak kufizuese dhe të zbatueshme, si përdorimi në modalitet të heshtur, vende të posaçme për median, kufizime të funksioneve të kamerës dhe udhëzime të përshtatura për raste konkrete nga kryesuesi i seancës.
Vërejmë gjithashtu se neni 95 rregullon në mënyrë specifike mbulimin audioviziv të seancave gjyqësore, përfshirë filmimin, fotografimin, regjistrimin audio dhe transmetimin. Autorizimi paraprak gjyqësor dhe kufizimet ndaj një mbulimi të tillë mund të jenë legjitime kur janë të nevojshme për mbrojtjen e dëshmitarëve, të miturve, privatësisë, provave, rendit në sallën e gjyqit apo administrimit të rregullt të drejtësisë. Megjithatë, çdo kufizim duhet të bazohet në rrethanat konkrete të seancës, të jetë i arsyetuar dhe proporcional dhe, përpara një refuzimi të plotë, të shqyrtojë alternativa më pak kufizuese. Materialet e prodhuara nga Gjykata apo të siguruara përmes një sistemi “media pool” mund të mbështesin aksesin kur ekzistojnë kufizime sigurie apo teknike, por duhet të plotësojnë dhe jo të zëvendësojnë në mënyrë rutinë praninë e pavarur të gazetarëve në sallën e gjyqit.
Read more:Imuniteti i drejtuesve të BSH nuk është kërkesë e BE – Blog
Për më tepër, neni 96(3)(e)–(g) trajton manipulimin përmes inteligjencës artificiale, materialet e konsideruara mashtruese dhe publikimin e imazheve të personave të identifikueshëm kur identifikimi konsiderohet i panevojshëm. Mbrojtja nga manipulimi i rremë dhe publikimi i paligjshëm është legjitime. Megjithatë, sjellja editoriale apo pas publikimit që shtrihet përtej ambienteve të Gjykatës nuk duhet të rregullohet përmes sistemit të akreditimit. Çështje të tilla duhet të trajtohen përmes legjislacionit në fuqi, mjeteve juridike, mekanizmave të korrigjimit dhe etikës profesionale.
Neni 98 parashikon paralajmërime, pezullim të akreditimit deri në gjashtë muaj dhe heqje të tij. Rregullorja përmban garanci të rëndësishme për masat më serioze, përfshirë kërkesën për prova konkrete, një urdhër të arsyetuar dhe mundësinë që gazetari ose media të dëgjohet. Megjithatë, ajo nuk parashikon qartë një mekanizëm të shpejtë rishikimi që të mund të zgjidhë një refuzim aksesi apo një masë ndaj akreditimit përpara se të humbasë vlera gazetareske e seancës përkatëse.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Gjykatës së Posaçme të pezullojnë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara që lidhen me median dhe të ndërmarrin një rishikim të fokusuar përmes konsultimit kuptimplotë me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile. Kuadri i rishikuar duhet të garantojë që kufizimet që prekin aksesin dhe raportimin e medias të jenë të bazuara në ligj, të nevojshme, proporcionale, të përcaktuara qartë dhe të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme; që gazetarët të mund të punojnë në kushte praktike dhe të arsyeshme; dhe që refuzimet, përjashtimet apo masat ndaj tyre të jenë të arsyetuara dhe t’i nënshtrohen një rishikimi të shpejtë dhe efektiv.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje dhe do të vijojë të monitorojë zbatimin e rregullores.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 7 gusht 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi




