PUKË- Vetëm 2 muaj më parë, 55-vjeçari Skënder Nika nga fshati Arts i Fushë-Arrëzit u dhunua pas një konflikti që kishte me fqinjët. Ai kallëzoi në Polici se persona të maskuar e dhunuan bashkë me bashkëshorten për shkak të sherrit për kullotat dhe mbledhjen e dredhëzave në zonë. E njëjta familje e akuzonte çiftin se 4 vite më parë i kishte denoncuar në polici për parcelat me kanabis që kishin kultivuar.
Por tashmë është vetë Skënder Nika që bie në pranga për të njëjtën vepër penale, kultivim të lëndëve narkotike. Ai u arrestua mesditën e 7 gushtit, pas një operacioni të koduar “Arsti”, nga i cili u gjetën të kultivuara 130 bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan.
Ndërkohë, në hetim në gjendje të lirë u vendos edhe kryeplaku i fshatit për shpërdorim detyre.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Arsti”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Arst, u gjetën të kultivuara 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi S. N., 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, shtetasin M. K., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, njofton Policia.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




