Një 20-vjeçar në Korçë mbeti i vrarë pasditen e së shtunës në lagjen 14.
Mësohet se shkak ka qenë një konflikt i mbartur, midis autorit Kristjan Sterjo e viktimës Joan Zuko, për të cilin autoritetet kanë qenë në dijeni dhe e ndiqnin prej kohësh. Sipas zv. drejtorit të Hetimit të Krimeve, Sejfulla Metkos, konflikti ka nisur fillimisht me dy grupeve dhe më pas ka përfunduar me vrasjen e 20-vjeçarit.
Sterjo e ka ndjekur të riun, teksa përpiqej të fshihej në një pallat. Më pas e ka qëlluar nga pas me kallashnikov viktimën, ndërsa ngjiste shkallët, në katin e tretë. Në trupin e 20-vjeçarit ka vetëm një plagë në pjesën e poshtme të shpatullës, plumb i cili i ka dalë nga ana tjetër.
Viktima ka pasur me vete edhe një thikë, e cila i është gjendur në dorë.
Pas vrasjes, autori është arratisur dhe është parë të ikë drejt varrezave. Dyshohet se Kristjan Sterjo dhe Joan Zuko kanë qenë shokë pasi janë rritur bashkë. Viktima ishte mobilizuar si ushtar me rrogë prej më shumë se një viti dhe vetëm dy muaj më parë kishte lënë detyrën pasi do shkonte tek i vëllai në Angli.
Për autorin raportohet të jetë person me precedent penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Policia po vijon punën për kapjen e tij, teksa në banesën e tij kanë shkuar edhe forcat RENEA, por nuk e kanë gjetur. Në disa zona janë ngritur postblloqe dhe janë blinduar të gjitha akset kombëtare që lidhin Korçën me qytetet e tjera duke përqendruar forca të shumta policie në rrugët kryesore.
RENEA po kryen kontrolle edhe te varrezat, vend ku dyshohet se fshihet Kristjan Sterjo pasi pas vrasjes, u pa të largohej në drejtim të tyre.
Ndërkohë në komisariat janë shoqëruar 3 të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.
Banorët e zonës janë shprehur se nuk njihnin asnjërin prej dy djemve, teksa ngjarja e kësaj pasditeje i ka lënë të tronditur.
Lajm në përditësim…
Kristjan Sterjo u pa të shkonte aty pasi vrau 20-vjeçarin, RENEA shkon te varrezat e Korçës, kontrollon zonën me dron (VIDEO)
Me indicien se Kristjan Sterjo mund të fshihet te varrezat e Korçës, forcat RENEA kanë zbarkuar pikërisht aty për të kontrolluar zonën dhe kapur autorin që vrau 20-vjeçarin Joan Zuko.
Pasi kreu krimin, Sterjo është parë të arratiset drejt kësaj zone. Kontrollet po kryhen gjithashtu edhe me dron, ndërsa më herët RENEA shkoi edhe te banesa e autorit.
Vrau 20-vjeçarin në Korçë, Report Tv siguron emrin dhe foton e autorit! RENEA zbarkon në banesën e tij, vijojnë kërkimet

Kristjan Sterjo është autori i vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko në Korçë, mëson Report Tv.
Forcat RENEA kanë zbarkuar në Korçë dhe bashkë me forca të shumta policie, kanë shkuar pranë banesës së autorit, por nuk kanë mundur dot ta gjejnë atje.
Sterjo vijon të jetë në arrati dhe për kapjen e tij janë mobilizuar forca të shumta. Janë ngritur postblloqe policie dhe janë bllokuar të gjitha akset që lidhin Korçën me qytete të tjera.
Vrasja e 20-vjeçarit në Korçë/ Flet banorja e tronditur: Lemeri! Dëgjova zhurmë të madhe, djali ishte shtrirë dhe i dilte gjak nga koka (VIDEO)
E tronditur dhe me lot në sy, një banore e pallatit ku ndodhi vrasja e 20-vjeçarit Joan Zuko këtë pasdite në Korçë, ka rrëfyer për Report Tv tmerrin e përjetuar nga ngjarja. Kozeta Shakla tregon ka dëgjuar krismën e kallashnikovit, plumbit të vetëm që ka vrarë të riun dhe ka dalë jashtë pa e kuptuar domethënien e zhurmës.
Fqinja në katin e tretë, pikërisht aty ku Zuko u vra, ka reaguar e alarmuar. Pamja e të riut të shtrirë në tokë dhe gjakut që i rridhte nga koka, i ka tronditur të dyja.
“Unë isha brenda në shtëpi. Më është prishur terezia. U dëgjua një zhurmë e madhe sikur pëlciti diçka. ‘Obobo’, i thashë mamit, se isha vetëm me mamin, ‘po dal të shoh ç’bëhet, se mos është rrëzuar njeri dhe që ta ndihmoja. Sa dal këtu, kur ajo gruaja e katit të tretë se te dera e saj ishte bërë, thërret ‘aman, lajmëroni policinë, ambulancën.’ Ngjitem unë me vrap, shikoj një njeri të shtrirë në tokë barkas, thashë mos ishte fëmija i saj. I them ‘çfarë po bën?’ ‘Ku di unë?’, thotë. Lajmërova policinë, ambulancën, nuk e mblidhnim dot veten. Pashë djalin atje, 2 metra djalë, të shtrirë, po i rridhte gjak nga koka. Nuk e di, pastaj erdhi policia. Ishte lemeri. Nuk e njohim fare. Nuk e njihja fare, s’është i pallatit tonë. Është tronditje e madhe, ne këtu na luajnë fëmijët. Nuk dimë ç’po bëhet. Në momentin që shkova unë, po i rridhte gjak nga koka. Nuk e harroj atë skenë”, rrëfen banorja.
Konflikti i mbartur i mori jetën 20-vjeçarit në Korçë, policia shoqëron 3 të dyshuar

Policia e Korçës ka shoqëruar 3 persona si të dyshuar të përfshirë në konfliktin për shkak të të cilit humbi jetën 20-vjeçari Joan Zuko këtë pasdite. Zuko, i cili shërbente te Forcat e Armatosura, u vra me armë zjarri nga autori pas një konflikti të mbartur mes tyre.
Autori ndodhet në arrati ndërsa policia vijon punën për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Vrasja në Korçë/ Deklarata e zv. drejtorit të Krimit: Shkak konflikti i mbartur mes 20-vjeçarit dhe autorit! Ia mbathi drejt varrezave (VIDEO)
Sejfulla Metko, zv. drejtori i Hetimit të Krimit, ka dhënë një deklaratë për mediat nga lagja nr. 15 ku ka ndodhur vrasja e 20-vjeçarit në Korçë këtë pasdite.
Sipas deklaratës së tij, bëhet fjalë për një konflikt të mbartur mes viktimës Joan Zuko dhe autorit, detaje për identitetin e të cilit do të jepen në një moment të dytë. Konflikti ka nisur mes dy grupeve.
“Konflikti ka qenë midis dy grupe personash, kurse si rezultat ngjarja ka agravuar me një viktimë. Konflikti ka ndodhur rreth orës 14:00, në një lagje në afërsi të vendngjarjes. Më pas ka precipituar në afërsi të banesës së viktimës, ku kemi pasur përdorimin e armës së zjarrit. Autori është parë që ka shkuar nga varrezat”, tha Metko.
Ai ka konfirmuar se viktima është vrarë me kallashnikov, ndërsa në dorë mbante një thikë.
“Viktima është vrarë me armë kallashnikov, gjithashtu ka pasur në dorë një thikë. Gjatë përleshjes autori ka përdorur kallashnikovin. Konflikti ka qenë i mbartur, ka qenë në ndjekje nga ana jonë”, përfundoi Metko.
Vrasja e 20-vjeçarit në Korçë, flasin banorët: Autori dhe viktima s’janë të lagjes, nuk i njohim (VIDEO)
Vrasja e ndodhur këtë pasdite në Korçë ka trazuar qetësinë karakteristike të lagjes 14. Banorët përshkruajnë çfarë kanë parë e dëgjuar, ku si fillim ka qenë një zhurmë e madhe. Autori dhe viktima s’ishin banorë të zonës.
Banori: Ra një llamarinë, thamë ç’u bë? Dolëm jashtë, shikoj policinë.
-Po djemtë i njihnit?
Banori: Jo, s’janë të lagjes. Dëgjova llamarinë, s’më shkoi mendja për krismë. Është lagje e qetë, as hajdutë, asgjë.
E njëjta deklaratë vjen edhe nga një banor tjetër.
Banori: Nuk i njohim kush janë. Është një grua që qan e thërriste, por se kush është nuk e di. S’dimë çka ndodhur. Këtu s’ka pasur asnjë shqetësim, është lagje e qetë.
P.J/Shqiptarja.com




