Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci nuk i ka kursyer kritikat ndaj SPAK, duke deklaruar se institucioni ka humbur ritmin me të cilin nisi në fillim dhe sot ndodhet në një ngërç.
Në një intervistë për News24, Goci tha se kanë kaluar rreth 10 vite nga krijimi i SPAK, por sipas tij, institucioni ende nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë që u krijuan në fillim. Ai tha se SPAK mund të jetë i intimiduar nga politika, duke argumentuar se lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm te arrestimi i personave të përfshirë në trafikun e drogës.
“SPAK ka filluar në 2016. Kanë kaluar 10 vjet dhe se ka bërë dot atë që duhet të bënte. Unë ia kam dhënë mbështetjen time për ta matur deri ku mund të shkojë. Ata sot janë në ngërç. E kanë ndalur hapin. Mendoj se janë të intimiduar. Ka disa gjëra që bërtasin, që klithin ndërkohë që ata nuk i shohin. Në këtë sistem aq të kalbur nuk mund ta ndalosh të keqen thjesht duke futur disa trafikantë në burg. Duhet të shkosh te hierarkitë më të larta të shtetit. Të kesh atë lloj buxhetesh, atë mbështetje ndërkombëtare, statusi etj nuk është e kollajtë por i ke dalë për zot. Njerëzit kanë artikuluar gjëra të rëndësishme. Kanë çuar “Albanian Files” në Prokurori. Nëse nuk vepron ndaj kryeministrit në fuqi, gjithë ajo punë që keni bërë zerohet.”, theksoi ai.




