Një shpërthim me tritol është regjistruar gjatë natës në fshatin Zall, Fushë-Krujë në derën e banesës së të Ylli Zallës, një emër i njohur për policinë, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit dhe i shpallur në kërkim pas zbulimit të arsenalit të armëve më 20 shkurt të këtij viti.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe automjetin e Zallës, i cili ishte i parkuar pranë banesës dhe është djegur plotësisht.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e autorit, si edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Gjatë natës, në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, në derën e banesës së shtetasit Y. Z., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale, si dhe ka marrë flakë dhe është djegur automjeti në pronësi të këtij shtetasi, i cili ishte i parkuar pranë banesës. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit” thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshohet se ngjarja mund të jetë inskenuar për azil jashtë shtetit
Shpërthimi me lëndë plasëse dyshohet se ka ndodhur vonë në mbrëmjen e së shtunës, ndërsa policia është njoftuar vetëm paraditen e sotme nga gruaja e Ylli Zallës, e cila ndodhej në Itali.
Read more:Transferim surprizë, Man Utd gati të ‘rrëmbejë’ talentin e Arsenalit me kontratë afatgjatë
Sipas burimeve, fillimisht gruaja e Ylli Zallës ka pretenduar se, përveç lëndës plasëse, pranë banesës ishte gjetur edhe një letër kërcënuese.
Më pas, ajo e ka tërhequr këtë pretendim, i cili po verifikohet nga hetuesit. Besohet se letra është hequr pasi përmes ekspertizës grafoteknike të shkrimit, mund të analizohet dhe kuptohet kush e ka shkruar, kësisoj letërshkuesit do të dilnin ‘huq’.
Sipas burimeve, një nga pistat që po verifikohet nga hetuesit është edhe mundësia që lënda plasëse të jetë vendosur nga vetë Zalla, megjithatë rrethanat e ngjarjes mbeten ende nën hetim. Në vendngjarje nuk ka kamera sigurie, çka do ta vështirësojë zbardhjen e plotë të rastit, pasi shpërthimi nuk është filmuar.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që Zalla të jetë larguar nga vendi ilegalisht dhe të ketë inskenuar ngjarjen për të kërkuar azil jashtë me pretendimin se i rrezikohet jeta.
Kush është Ylli Zalla
Ylli Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas. Zalla dyshohet si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025 ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, akuza të cilat nuk u zbardhën asnjëherë.
Më 20 shkurt të këtij viti, policia zbuloi një tjetër arsenal armësh në fshatin Zall që dyshohet se i përkisnin 49-vjeçarit
Ndërkohë 12 vjet më parë, Ylli Zalla është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.
Lajmi në përditësim
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




