Euroja nuk është më monedha që shqiptarët e shohin si strehën kryesore për kursimet. Ndërsa monedha europiane është dobësuar ndjeshëm ndaj lekut, paratë në banka po marrin gjithnjë e më shumë ngjyrën e monedhës vendase.
Dhe shifrat e korrikut japin një sinjal të qartë, shqiptarët po shtojnë kursimet në lekë me ritëm dukshëm më të lartë se ato në euro.
Në fund të muajit të kaluar depozitat totale në banka arritën në 1.56 trilionë lekë, rreth 20 miliardë lekë më shumë se një muaj më parë. (grafik)
Por ndryshimi i madh është te monedha. Depozitat në lekë arritën në 782 miliardë lekë, ndërsa vetëm gjatë korrikut u shtuan me rreth 16.1 miliardë lekë. (grafik)
Zgjerimi ka ardhur kryesisht nga depozitat pa afat, si në biznese, ashtu dhe për individët.
Në valutë, rritja e korrikut qëndron edhe më e vogël, rreth 3.9 miliardë lekë, e shprehur në monedhën vendase, krahasuar me qershorin. Ndërsa në terma vjetorë rritja rezulton rreth 40.1 mld lekë, teksa në lekë ky tregues vjetor arriti në 116.3 mld lekë. (grafik)
Në një periudhë kur zakonisht euroja mund të fitojë terren falë prurjeve nga turizmi, këtë herë leku po merr pjesën më të madhe të kursimeve të reja.
Read more:Zjarret, 4 vatra ende aktive! Problematikë mbeten flakët në qarkun e Dibrës! Shiu ‘qetëson’ Dajtin
Arsyeja lidhet edhe me kursin e këmbimit.
Euroja po këmbehet poshtë vlerës së 90 lekëve, ndërsa një dekadë më parë ishte rreth 140 lekë. Për qytetarin kjo do të thotë se nëse mban kursimet në euro dhe euroja vazhdon të bjerë, kur t’i këmbejë në lekë, ato do të vlejnë më pak.
Dhe kjo duket se po ndikon edhe te zgjedhja e shqiptarëve, depozitat në lekë janë rritur me 17.5% në një vit, ndërsa ato në valutë me vetëm 5.4%. Një forcim i vazhdueshëm i lekut duket se ka rritur besimin tek monedha vendase dhe pritshmëritë janë që leku të vazhdojë të forcohet më tej, duke nxitur kursimet në lekë.




