Banorët e Vaut të Dejës protestuan pranë qendrës shëndetësore, pas ngjarjes tragjike në fshatin Karmë, ku humbën jetën elektricisti 46-vjeçar, David Deda dhe shoku i tij, 40-vjeçari Sokol Preka. Ata ranë në kontakt me energjinë elektrike, teksa riparonin nje defekt ne lokalin e Prekes. Banorët pretendojnë se ambulanca mberriti 1 ore e 30 minuta me vonese.
“Protesta është në shenjë të humbjes së dy djemve të rinj. Kjo fatkeqësi e madhe erdhi nga mungesa e shtetit, mungesa e ambulancave, infermierëve, doktorëve. Kjo qendër shëndetësore është kthyer në një qendër që nuk ka urgjencë dhe nuk ka ambulancë”, thotë një banor.
Banorët shprehen se qendra shëndetësore nuk ka autoambulancë dhe as shërbim urgjence. Sipas tyre mjekët kryejnë vizitat paradite dhe pasdite qendrës i vihet kyçi. Në rast urgjence, qytetarët duhet të presin që ambulanca të niset nga Shkodra.
“Ne kërkojmë që kjo qendër shëndetësore të bëhet urgjencë, të ketë shërbim 24 orësh, doktorë, të ketë shërbime të tjera shtesë, ambulancë. Kërkojmë prej shtetit, prej institucioneve, që kjo të bëhet qendër shëndetësore urgjence”, shprehen ata.
Një nga zërat më të fortë në protestë ishte ai i motrës së Sokol Prekës. Mes lotësh, ajo kërkoi drejtësi për vëllain e saj dhe për David Dedën.
“Sot vdiqën dy djem, vëllai im Sokoli dhe Davidi. Dolën për të pirë kafe dhe u kthyen të vdekur. Spitali i Vaut të Dejës nuk ekziston, nuk ka pasur ndihmë. Nuk ka shkuar ambulanca siç duhet për t’i marrë. Kërkoj drejtësi për vëllain tim”, tha ajo mes ngashërimave.
“Duam që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të ngrihet edhe njëherë në këmbë, të ketë qendër shëndetësore tamam. Duam drejtësi për djemtë që vdiqën atje. Shkuan për një kafe, nuk na u kthyen”, shtoi një tjetër banor.
Në qendrën shëndetësore mungojnë pajisje si bombolat e oksigjenit dhe defibrilatori, ndërsa kërkohet që të ketë mjekë dhe personel të organizuar në turne, në mënyrë që shërbimi të mos ndërpritet gjatë natës.
“Qendra shëndetësore duhet të jetë funksionale 24 orë. Kanë ndejtur një orë e gjysmë aty, nuk ka shkuar asnjë lloj ambulance. Pa elektroshok, pa medikament, pa asgjë”, tha deputeti i PD, Kliti Hoti.
“Këtu duhet statusi i urgjencës, duhet ambulancë, të ketë shofer ambulance, të jenë tre turne, të ketë mjek 24 orë këtu.”
“Është absurde që dy djem të rinj, Sokoli dhe Davidi, të vdesin vetëm për neglizhencën e shtetit. Është absurde të kesh një ambulancë, të kesh vetëm fasadë dhe të mos kesh asgjë brenda, të mos kesh ndihmën e shpejtë.”
“Vijmë këtu, na nisin në Shkodër. Mbyllet dera, nuk ka çfarë bën ambulanca. Duhet të shkojnë dy veta bashkë. Këtu rrinë mbyllur.”
“Kjo nuk është protestë politike. Kjo është protestë për të drejtat tona si qytetarë. Ne kemi vendosur të jetojmë këtu. Na kanë vdekur dy shokët tanë, Sokoli dhe Davidi. Ne kërkojmë drejtësi dhe kërkojmë që kjo qendër shëndetësore të jetë funksionale 24 orë për banorët”, thanë disa banorë.
Kërkesat për qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë janë ambulancë, mjekë, pajisje dhe shërbim 24 orë në qendrën shëndetësore të Vaut të Dejës.
Ndërsa nga policia dhe prokuroria e Shkodrës kërkojnë të hetojnë, pasi vonesa në shërbim dyshohet se solli vdekjen e David Dedës dhe Sokol Prekës.
Tragjedia në Vaun e Dejës, Urgjenca jep arsyet e vonesës: Ambulanca kishte defekt teknik, dy mjete u nisën nga Shkodra!
Pas protestës së banorëve të Vaut të Dejës, të cilët ngritën akuza për vonesën e ambulancës në ngjarjen ku humbën jetën David Deda dhe Sokol Preka, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka pranuar voneswn dhe ka dhënë shpjegimin e saj.
“Në lidhje me ngjarjen tragjike të datës 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, sqaron dinamikën e ndërhyrjes së shërbimit të urgjencës mjekësore. Në këtë ngjarje janë regjistruar dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme. Rasti i parë është raportuar si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.
Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, thirrja është marrë në orën 18:03. Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ndodhej jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Për këtë arsye, drejt vendngjarjes është nisur ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila ka mbërritur në orën 19:44.
Manovrat e reanimimit janë vijuar edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën.
Rasti i dytë i përkiste elektricistit, i cili, disa minuta më vonë, kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik. Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma elektrike dhe humbi jetën.
Për këtë rast, kërkesa për ndihmë mjekësore është regjistruar në orën 18:53. Në vlerësimin fillestar, personi rezultonte pa shenja jete. Në këtë moment, ambulanca e dytë nga Shkodra është nisur drejt vendngjarjes dhe ka mbërritur në orën 19:54. Rasti është konstatuar dhe referuar si Kod i Zi në vendngjarje.
Goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.
Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të dy viktimave. Në këto momente të vështira, QKUM bashkohet me dhimbjen e familjeve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur” shkruhet në njoftimin për shtyp të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore




