Policia e Sarandës ka finalizuar të shtunën një operacion antidrogë me një numër të konsiderueshëm të masash sigurie me vendim gjykate.
Burime të Report TV bëjnë me dije se të gjitha masat janë ekzekutuar, personat janë arrestuar të gjithë dhe janë në akuzë për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Po ashtu, nga kontrollet janë gjetur 2 pistoleta dhe një sasi e konsiderueshme e lëndëve narkotike, hashash dhe kokainë që ishin të destinuar për t’u shitur.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se shpërndarësit e drogës përdornin kryesisht shëtitoren e Sarandës për të kërkuar blerës dhe bindur për të shitur, kryesisht turistë.
Read more:E kapi duke pirë hashash, 17-vjeçari plagos me thikë xhaxhanë në Tiranë
Në pranga ka rënë edhe një emër i njohur në këtë qytet, i cili prej vitesh dyshohet se merrej me aktivitet të paligjshëm të shpërndarjes së drogës.
Për të njëjtin hetim, pak kohë më parë janë arrestuar edhe 3 persona të tjera me sasi të konsiderueshme kokaine.
Njoftimi i Policisë
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Vjeshta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni, pas një hetimi proaktiv 2-mujor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë.
Kapen dhe ndalohen 20 shtetas. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, automjete dhe aparate celulare.
Dy muaj më parë, në kuadër të këtij procedimi, u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u sekuestruan 5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësitë Fier dhe Tiranë, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan e Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurores, znj. Esmeranda Basho, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, finalizuan operacionin policor të koduar “Vjeshta”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, konkretisht:
A. O., 25 vjeç; F. F., 27 vjeç; M. M., 35 vjeç; K. P., 27 vjeç; R. A., 33 vjeç, banues në Ksamil; N. R., 32 vjeç; A. A. (D), 48 vjeç; E. D., 41 vjeç; Dh. T., 33 vjeç; Xh. M., 27 vjeç; V. K., 23 vjeç; F. L., 54 vjeç; B. K., 26 vjeç; Sh. B., 20 vjeç; A. B., 20 vjeç; N. R., 24 vjeç; E. D., 30 vjeç; D. S., 22 vjeç; K. O., 28 vjeç dhe F. B., 30 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në bazë të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, shtetasve D. S. dhe Sh. B. policia u gjeti nga një armë zjarri pistoletë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu sasi të lëndës narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në dhjetëra doza me qëllim shitjen, 4 automjete, 19 aparate celulare dhe një shumë parash, në lekë dhe euro.
Ndërkohë, gjatë operacionit u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, pasi kundërshtoi shërbimet e Policisë për të mos ushtruar kontroll në një nga dhomat e hotelit, ku u kap shtetasi Sh. B. dhe iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Më parë, në kuadër të këtij procedimi, më datë 31.07.2026, janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. N., A. C. dhe K. J., si dhe u sekuestruan 5 kg lëndë narkotike kanabis, të cilën dyshohet se synonin ta shpërndanin në Sarandë dhe Ksamil.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas ushtronin veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike në rrethin e Sarandës, në zonat e plazheve, lokalet e natës dhe në afërsi të shkollave.
Hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme”
Lajmi në përditësim




