Në të gjitha shkollat e vendit sot ka nisur viti i ri mësimor. Mbi 330 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës, me rreth 25 mijë nxënës që nisin për herë të parë shkollën.
Ky vit i ri shkollor 2026-2027 vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore. MAS në të gjitha shkollat e vendit ka shpërndarë tekstet shkollore për vitin e ri shkollor, ndërsa për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, është pajisur me tekste shkollore të reja dhe falas.
Ndërkohë 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert këtë vit shkollor, ndërsa më herët Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e shkollave.
Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Paralelisht vëmendje i është dhëë edhe shërbimit psiko-social, me 900 psikologë dhe punonjës socialë që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit gjatë vitit shkollor 2026–2027, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve. 20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.
Për herë të parë 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi. Programi përfshin disa fusha, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore. Përmes këtyre aktiviteteve synohet që nxënësit të kenë akses në orë cilësore pas mësimit, të zhvillojnë potencialin dhe aftësitë e tyre, si dhe të krijojnë më shumë mundësi për socializim.
Ndërkohë Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, me një videomesazh ka uruar të gjithë nxënësit në arsimin parauniversitar, një vit të mbarë shkollor.
“Mirëmëngjes, këtë ditë të parë të shkollës të gjithë ju nxënës të dashur, mësues, prindër dhe gjyshër që sot shoqëroni nipër e mbesa në shkollë. Të dashur vogëlushë që sot nisni klasën e parë, që në fytyrë shfaqni buzëqeshje, por brenda jush keni shumë emocione dhe zemrat e vogla ju rrahin fort, kjo do të jetë një ditë që do ta mbani mend gjatë, ndoshta gjatë gjithë jetës suaj, prandaj ne të rriturit, mësuesit, drejtori i shkollës suaj, jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe ju të ruani kujtime të bukura prej saj.
Ju sot do të njihni shkollën tuaj, do të mësoni ku do të jetë klasa juaj, do të mësoni ku është palestra ku do të luani, oborri ku do të pushoni, laboratori inteligjent i shkollës ku do të mësoni të bëni gjëra të bukura, do të mësoni emrat e shokëve dhe shoqeve tuaj. Ne sot jemi së bashku dhe do të jemi së bashku kështu e çdo ditë të vitit shkollor”,shkruan Kumbaro.
Read more:Të hënën nis sezoni i ri shkollor, ja çfarë duhet të dini për programin ‘Pas Shkolle’
Në mesazhin e saj ajo thotë se në këtë vit janë rreth 1200 nxënës që janë transferuar nga shkollat jo-publike në shkollat publike. Sipas Kumbaros kjo tregon besimin që ofron sistemi publik i arsimit.
Urime erdhën edhe nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj.
Lajm në përditësim…
Viti i ri shkollor, Xhixho: Nisi me problematikat e vjetra, tkurrje të numrit të nxënësve dhe mësim me 2 turne
Foto: Erisa Xhixho
Deputetja e PL, Erisa Xhixho teksa ka uruar nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor, u shpreh se ky vit nis sërish me problematika të vjetra.
Në deklaratën për media, Xhixho tha se Shqipëria humbi rreth 5,900 nxënës, ose rreth 4% të nxënësve.
Sipas saj, rënia progresive e numrit të nxënësve gjatë dekadës së fundit i ka boshatisur shkollat, sidomos ato të periferive dhe fshatrave, me një humbje të më shumë se 112 mijë nxënësve në 10 vjet.
“Ky vit i ri shkollor nis me problematikat e vjetra. E re është vetëm propaganda e Ministrisë së Arsimit. Një tjetër vit me tkurrje të numrit të nxënësve, me shkolla që mbyllen, klasa të bashkuara dhe mësim me 2 turne. Në krahasim me vitin e kaluar kemi humbur rreth 5,900 nxënës, ose rreth 4%.
Ndërsa në fshatra numri i pamjaftueshëm i nxënësve mbyll shkolla dhe lë pa punë mësues, në Tiranë nuk ka shkolla të mjaftueshme për fëmijët. Janë 146 shkolla publike që nuk e përballojnë dot kapacitetin e nxënësve. Zona e Astirit me 70 mije banorë vijon sërish pa një shkollë për fëmijët, të cilët edhe këtë vit janë të detyruar të shpërndahen nëpër shkollat e lagjeve të tjera të Tiranës. Për pasojë, prindërit e tyre humbasin orë të tëra në trafik dhe paguajnë më shumë për shkak të naftës që ka shkuar në 230 lekë për liter”, tha ajo.
Ndërkohë sipas saj vendosja e kamerave inteligjente është një aferë korruptive e qeverisë.
“Një tjetër aferë me të cilën përballen nxënësit këtë vit shkollor janë kamerat inteligjente. Në 20 ndër shkollat më të frekuentuara në Tiranë dhe Kamëz kanë nisur të instalohen rreth 600 kamera në kuadër të projektit “Smart City” një aferë tjetër korruptive. Pa asnjë konsultim paraprak me prindërit dhe pa një vlerësim specifik të ndikimit të këtij projekti në mbrojtjen e të dhënave personale.
Asnjë informacion i qartë për të dhënat që sistemi mund të mbledhë, mënyrën se si përpunohen dhe ruhen ato, kush mund të ketë akses në to dhe nëse ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm e të pavarur për mbikëqyrjen e kësaj teknologjie.
E gjitha kjo ndodh në një vend ku siguria e të dhënave nuk ka qenë kurrë e garantuar dhe ku, sa herë të dhënat e qytetarëve dalin në shesh, përgjigjja e qeverisë është e gatshme, fajin e kanë iranianët”, tha ajo ndër të tjera.
Berisha: Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, 5,900 nxënës më pak në vetëm një vit

Foto: Sali Berisha me nxënës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në nisje të vitit të ri akademik u shpreh se ky vit shkollor e gjen Shqipërinë përballë një “alarm të madh demografik dhe arsimor”.
Në nisje të sezonit të ri shkollor, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se ky vit e gjen Shqipërinë përballë një “alarm të madh demografik dhe arsimor”.
Sipas tij vetëm brenda një viti numri i nxënësve të arsimit fillor ka rënë nga 146,962 në 141,089, duke humbur rreth 5,900 nxënës, ose rreth 4%.
Për këtë tkurrje të numrit Berisha akuzon qeverinë – që në vend që të ndalojnë shpopullimin, emigracionin dhe tkurrjen e familjeve shqiptare, i kanë thelluar ato.
Mesazhi i plotë:
Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,
Së pari, urimin më të përzemërt për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë në këtë ditë të veçantë për ta dhe për mbarë kombin. Një urim të veçantë, nga zemra, për vogëlushet dhe vogëlushët që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës. Uroj që ky vit i ri shkollor të jetë për ta një vit i mbarë dhe plot suksese, dije dhe ëndrra të bukura.
Por, të dashur miq, viti i ri shkollor 2026–2027 e gjen Shqipërinë përballë një alarmi të madh demografik dhe arsimor.
Në vetëm një vit, Shqipëria ka humbur rreth 5,900 nxënës të arsimit fillor. Numri i tyre ka rënë nga 146,962 në 141,089, një tkurrje prej rreth 4 %, ndërkohë, në Bashkimin Europian rënia ishte vetëm 0.2 %. Pra, Shqipëria po humbet fëmijët e saj me një ritëm shumë më të shpejtë se Europa.
Ky është rezultati i një politike që nuk ka arritur të ndalë shpopullimin, emigracionin dhe largimin e familjeve shqiptare. Shqipëria po zbrazet, por narkoqeveria që është dhe shkaku i zbrazjes është vetëm e kënaqur me këtë!
Viti i ri shkollor, kryepolici Hita: Për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis (VIDEO)
Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka uruar të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor.
Përmes një një mesazhi Hita thotë se për nxënësit ky është një një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe – për sigurinë e nxënësve.
“Të dashur nxënës, të nderuar mësues dhe prindër!
Çdo fillim viti shkollor sjell një energji të veçantë. Oborret e shkollave mbushen sërish me fëmijë e të rinj, me emocionet e takimeve, me pritshmëri dhe me ëndrra të reja, ndërsa për prindërit interesimi për sigurinë dhe rezultatet në mësime.
Sot, për nxënësit nis një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për ne, Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe: të kujdesemi që ky rrugëtim të jetë i sigurt, sepse për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis dhe nuk pushojmë.
Nëse diçka ju shqetëson, flisni, sepse zëri juaj ka shumë rëndësi për ne. Na priftë e mbara dhe paçi një vit shkollor të suksesshëm e të sigurt”, shprehet Hita.
Ambiente moderne, 6 shkolla të reja hapin dyert në Tiranë! Investimet e nisura nga Veliaj

Foto: Shkolla 9-vjeçare ‘Edith Durham’
Viti i ri shkollor nis me një lajm të rëndësishëm për arsimin në Tiranë: gjashtë shkolla të reja hapin dyert për nxënësit, duke i shtuar qytetit kapacitete të reja dhe ambiente moderne për zhvillimin e procesit mësimor.
Bëhet fjalë për investime të nisura gjatë administrimit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të cilat kanë vijuar deri në përfundimin e tyre dhe tashmë janë vënë në shërbim të nxënësve dhe familjeve tiranase.
Rikthimi i administrimit të Bashkisë nga Erion Veliaj shoqërohet edhe me përmbylljen e këtyre projekteve, duke bërë të mundur që gjashtë shkollat e reja të jenë gati pikërisht për nisjen e këtij viti të ri shkollor.
Këto investime janë pjesë e një politike të fokusuar te modernizimi i infrastrukturës arsimore, krijimi i ambienteve më të mira për nxënësit dhe lehtësimi i presionit mbi shkollat ekzistuese, veçanërisht në zonat me rritje të popullsisë.
Hapja e gjashtë shkollave të reja është një tjetër dëshmi se investimet në arsim kërkojnë vizion, planifikim dhe vazhdimësi, ndërsa përfituesit kryesorë janë fëmijët dhe familjet e Tiranës.
Me nisjen e vitit të ri shkollor, këto godina nuk janë më thjesht projekte ndërtimore, por klasa të reja, ambiente të reja dhe mundësi të reja për mijëra nxënës të kryeqytetit.
Viti i ri shkollor, Begaj: Besoni te vetja, tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja

Foto:Nxënës në ditën e parë të shkollës
Presidenti Bajram Begaj, uroi nisjen e vitit të ri shkollor. Në një mesazh Begaj shprehet se çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar dhe për të ëndërruar.
Presidenti Begaj përcolli një urim të veçantë për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjithë ata mësues, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë këtë mision fisnik.
Mesazhi i Presidentit Begaj:
Sot nis viti i ri shkollor për mijëra nxënës në të gjithë vendin. Çdo vit, çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar, por edhe për të ëndërruar. Shkolla nuk është thjesht një vend ku marrim dije. Është vendi ku përgatitemi të marrim përgjegjësi, ku mësojmë të njohim botën, të njohim vendin tonë, të kuptojmë historinë e tij, të çmojmë kulturën dhe vlerat e të kuptojmë misionin që kemi për të ardhmen e tij.
Uroj të gjithë nxënësit, veçanërisht ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të kenë një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të bukur! Një urim i veçantë për mësuesit, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën e gjithë shoqëria jonë u është thellësisht mirënjohëse!
Të dashur nxënës,
Besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja!
Viti i ri shkollor, Rama: Një vit të mbarë nxënësve dhe mësuesve
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë nxënësve një vit të ri shkollor.
Në një postim në rrjetet sociale Rama ka shpërdërë edhe fotot e disa prej shkollave të rikonstruktuar këtë vit.
“Mirëmëngjes dhe me urimin për një vit të mbarë shkollor nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, e padyshim edhe vetë prindërve që sot nisin fëmijët në shkollë, ju uroj të gjithëve një javë sa më të mirë. Disa prej shkollave të rilindura këtë vit, me kushte dhe standarde të reja për nxënësit dhe mësuesit”, shkruan Rama.




