Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në emisionin Minuta e parë në News24 ka vijuar akuzat ndaj kompanisë KAYO, duke theksuar se skema financiare e saj po shtrihet edhe në sektorë të tjerë.
Në një deklaratë publike, Balliu akuzoi biznesmenin Ron Yeffet se qarkullon, sipas tij, paratë e kryeministrit Edi Rama. Ai ngriti dyshime mbi kapacitetet e kompanisë për prodhimin e armëve, duke iu referuar numrit të kufizuar të punonjësve.
Sipas Balliut, KAYO ka përfituar tendera me vlerë rreth 10 milionë euro, ndërsa ai paralajmëroi se situata mund të sjellë pasoja për Shqipërinë në raport me NATO-n. Deputeti i PD-së kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për KAYO-n dhe akuzoi qeverinë se po i jep kompanisë rol gjithnjë e më të madh në sigurinë kombëtare.
“Këta kanë14 punonjës, që është e pamundur të prodhosh armë me aq punonjës, sepse duhen ekspertë të fushës. Këtu ka trafik armësh, sepse skemën KAYO-n e ka krijuar Rama-Balluku-Ron Yefet. KAYO ka marrë tendera mbi 10 mln euro. Skema KAYO po zgjerohet dhe në sektorë të tjerë. Ne rrezikojmë të përjashtohemi, kur NATO e sheh se ne merremi me trafik armësh. Ron Yefet qarkullon paratë e Edi Ramës. Ne duam Komision Hetimor për KAYO-n, patjetër. Yeffet është koordinator i krimit ndërkombëtar, kurse Agasi është i krimit kombëtar. Pas aferës së KAYO-s, pas AKSHI-t është Edi Rama. Ron Yeffet është njeri i afërt i Ramës. Ron Yeffet po merr sigurinë kombëtare nën kontroll, merr tendera, merr gjithçka, ai flet vetë dhe thotë se qeveria e ka kontraktuar për gjëra të pista. Në Ukrainë janë në luftë dhe ka tendera, këtu gjërat bëhen pa tender”, u shpreh deputeti i PD Balliu.




