Që dhuna dhe bullizmi po përhapen frikshëm mes të rinjve, e dëshmon një episod i rëndë në Fier, i regjistruar më 8 qershor, por i bërë publik së fundmi.
Ngjarja do të mbetej e pazbuluar, nëse 3 vajza, njëra madhore, 20 vjeç, dhe dy të mitura 15-vjeçare, nuk do t’i kishin filmuar veprimet e tyre të dhunshme.
Të rejat ndezin celularin dhe sapo kamera nis regjistrimin, dhunojnë një 17-vjeçare në ambientet e banesës së më të madhes prej tyre, 20-vjeçares.
Ulëritës është fakti që ky veprim turpërues ndaj një vajze, e vetme kundër 3, e pambrojtur dhe në shtëpi të huaj, duhet të filmohet, me siguri për t’u shitur si një provë force përballë shoqërisë që ushqehet me bullizëm.
Megjithatë, e mitura, nën shoqërinë e nënës së saj, ka gjetur forcën të tregojë, dhe t’i kallëzojë vajzat të cilat teksa e dhunonin i qeshnin kamerës. Kallëzimi është bërë ditën kur dhuna ndodhi, më 8 qershor, dhe një hetim tashmë ka nisur për të tria vajzat, dy prej të cilave veprojnë me forcë dhe tjetra që i regjistron me telefon dhe i nxit për dhunë.
Sipas dëshmisë së 17-vjeçares, ajo është dërguar në banesën ku u dhunua, ndaj vepra që po hetohet është “heqje e paligjshme e lirisë” e kryer në bashkëpunim.
Përballë hetuesve të tria e pranuan se e kanë dhunuar 17-vjeçaren, por janë justifikuar me disa arsye, që policia nuk i bën të ditura, por i vlerëson si motive të dobëta.
Në lagjen ku e mitura jeton, fqinjët janë të lënduar.
“Jemi të shokuar, vajzën e kam rritur vetë. Që pas ngjarjes është me trauma dhe e frikësuar, ndërkohë që nuk është në dijeni të videos virale që qarkullon në rrjet”, thotë fqinja.
Për zbardhjen sa më shpejt të çdo detaji mbi këtë ngjarje të rëndë, drejtori i policisë së Fierit, Erjon Ahmetaj, zhvilloi një takim me kryeprokurorin Elion Mustafaj.
20 ditë pas këtij episodi të rëndë të dhunës ndaj të miturës, njëra prej 15-vjeçareve, ka dhunuar edhe nënën e saj, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Ngjarje e ndodhur më 28 qershor, ku pas kallëzimit nga nëna, policia thotë se e arrestoi të miturën. Bazuar në vlerësimin e autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja e arrestuar është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor, në Tiranë.
Video e dhunës është publikuar në rrjetet sociale, por për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e identitetit të të miturës, përfshirë sensibilitetin e lartë publik që ato imazhe krijojnë, Report Tv nuk e publikon atë.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Flet nëna e një prej tre vajzave që dhunuan shoqen në Fier: Nuk e dinim! U diagnostikua me probleme të shëndetit mendor para 3 muajsh (VIDEO)
Mes reagimeve që ka sjellë ngjarja e rëndë e dhunimit të një 17-vjeçareje në Fier, kanë folur edhe prindërit e njërës prej vajzave 15-vjeçare të përfshira në këtë rast.
Ata tregojnë se ngjarjen e kanë mësuar fillimisht përmes mediave dhe më pas janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre.
Me lot në sy, nëna e 15-vjeçares i kërkon falje publike vajzës së dhunuar dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje të thellë për atë që ka ndodhur.
Prindërit bëjnë me dije se vajza e tyre është diagnostikuar 3 muaj me pare me probleme të shëndetit mendor dhe se prej kohësh kanë kërkuar ndihmë pranë institucioneve për trajtimin e saj. Sipas tyre, ajo kishte shfaqur edhe më parë episode agresiviteti, por kërkesat për mbështetje nuk kanë marrë përgjigjen e nevojshme.
Përballë pamundësive ekonomike për të financuar trajtimin e specializuar, familja u bën thirrje institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë në kurimin e vajzës, me shpresën se ajo do të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe psikologjik.
Prindërit theksojnë se nuk synojnë të justifikojnë veprimet e së bijës, por kërkojnë që, krahas përgjegjësisë ligjore për ngjarjen, të mos neglizhohet nevoja për trajtimin e problemeve të saj shëndetësore.
Rrahu shoqen dhe e filmoi/ 15-vjeçarja nga Fieri u trajtua në psikiatri në maj, raporti: Nuk frekuenton shkollën prej 1 viti! E dhunshme ndaj nënës, bashkëpunuese me mjekët
Report Tv ka zbuluar detaje të reja lidhur me një prej tre të miturave që morën pjesë në dhunimin e një 17-vjeçareje në Fier, akt të cilin e filmuan nga fillimi në fund me anë të një telefoni smart.
15-vjeçarja ka marrë trajtim për herë të parë në Psikiatrinë e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në muajin maj të këtij viti, “për shkak të sjelljeve të dhunshme në familje duke dëmtuar objektet në shtëpi”. Në raportin e spitalit thuhet ndër të tjera, se vajza “është e dhunshme edhe ndaj nënës dhe këto problematika të sjelljes kanë rreth 1 vit që janë shfaqur. Vajza nuk frekuenton shkollën prej 1 viti, endet rrugëve shumicën e kohës me vajza me të rritura, të cilat ajo i konsiderohen shoqe”, theksohet në informacionin e spitalit për këtë paciente.
Në një shënim të mjekut, thuhet se gjatë shoqërimit në spital vajza ishte bashkëpunuese me bluzat e bardha dhe kryerjen e ekzaminimeve, ndërsa me nënën komunikimi qe i vrazhdë. Sipas mjekes, ajo është larguar nga spitali kundër këshillës mjekësore.

Fier/ Fqinja e së miturës së dhunuar nga 3 vajzat: Jemi të tronditur, e kemi rritur vetë! Është e traumatizuar, s’ka dijeni për videon virale
Fqinja e së miturës së dhunuar nga 3 vajza në Fier, shprehet për Report TV se ngjarja tronditëse e ka shokuar. 17-vjeçarja shkonte shpesh në shtëpinë e saj, e cila rrëfen detaje nga 8 qershori, dita kur e mitura shkoi në shtëpi me shenja dhune.
“U prekëm shumë. Unë e kam rritur atë. Ky muhabet ka që në datën 8, mbush muajin nesër. Erdhi çupa e dhunuar, por nuk tregoi gjë për momentin. Ishte në kurs, doli nga kursi, dolën shoqet përpara, e rrahën. Erdhi në shtëpi me blana, e pyeti e ëma, tha isha sëmurë, bëra serum, u godita, nuk tregoi. Iu kundërvu e ëma, pasdite vonë tregoi. Mori çupën dhe bëri denoncimin në polici. Nga data 8 asnjë përgjigje s’ka marrë tha, i thoshin e ka prokuroria rastin”, tha fqinja.
Dhuna e bëri vajzën të pësonte shenja të forta stresi nga trauma e kësaj ngjarjeje duke reaguar ndaj çdo zhurme. Fqinja thotë se 17-vjeçarja është vajza e madhe nga tre fëmijët e familjes. Nuk i njihte vajzat që e dhunuan, përveç njërës që e kishte në shkollë.
“Më thanë hajde se kemi një sqarim”, citon fqinja fjalët e së miturës dhe më pas “e morën në shtëpi dhe e rrahën”, shton ajo.
Pamjet e dhunës së 17-vjeçares janë bërë virale, por ajo nuk është në dijeni të këtij fakti.




