Prej 3 ditësh, Mallakastra vijon të mbetet vatra më problematike e zjarreve në vend. Edhe pse është neutralizuar zjarri në Panahor, në kufi me fshatin Cfir, flakët po përhapen në drejtim të Ngraçanit, ndërsa operacioni për shuarjen e tyre vazhdon pa ndërprerje.
Dy helikopterë po ndërhyjnë nga ajri, duke hedhur ujë mbi zonat më problematike për të frenuar avancimin e flakëve. Ndërkohë, edhe në Drenije zjarri mbetet aktiv, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara po punojnë për izolimin e vatrave dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe sipërfaqet e tjera të prekura. Për arsye sigurie janë evakuuar përkohësisht katër familje, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri në të gjithë territorin, ndërsa vetëm 5 prej tyre mbeten ende aktive.
Puna vijon edhe në zonën e Dajtit dhe në qarkun e Elbasanit, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit.
Nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
Për ditën e sotme parashikohet nivel i lartë rreziku për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.
Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore. Avioni i përket kompanisë me të cilën qeveria ka lidhur kontratë për blerjen e tre avionëve të këtij tipi, të cilët do të vijnë në fund të vitit.
Report TV sjell pamje nga Mallakastra, masivi pyjor në Drenije në rrezik nga flakët, zjarrfikësit përballë terrenit të vështirë (VIDEO)
Masivi pyjor në fshatin Drenije të Mallakastrës është mbuluar nga tymi ndërkohë që flakët vazhdojnë të përpijnë bimësinë e paprekur të zonës. Siç shihet edhe nga pamjet terreni është shumë i pjerrët dhe i vështirë çka e bën ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse të vështirë dhe ndërhyrjen nga ajri më të domosdoshme se kurrë.
Situata me zjarret në Mallakastër mbetet problematike, neutralizohet një vatër në Panahor por flakët përhapen drejt Ngraçanit! (VIDEO)
Situata e zjarreve në Mallakastër mbetet problematike, megjithëse është arritur të vihet nën kontroll një nga vatrat më të rrezikshme.
Vatra e zjarrit në Panahor, në kufi me fshatin Cfir, është neutralizuar, por flakët vijojnë të përhapen në drejtim të Ngraçanit, duke mbajtur në gatishmëri forcat e emergjencës.
Dy helikopterë vazhdojnë operacionin nga ajri, duke hedhur ujë mbi zonat më problematike për të frenuar avancimin e flakëve.
Ndërkohë, zjarri ka dalë jashtë kontrollit në masivin pyjor të Drenijes ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara po punojnë për izolimin e vatrave dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe sipërfaqet e tjera të prekura. Era e fortë raportohet se po përhap flakët ndërkohë që pritet edhe ndërhyrja nga ajri.
Mbrojtja Civile bën bilancin: 5 vatra zjarri aktive në vend, në Mallakastër janë evakuuar 4 familje

Mbrojtja Civile bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive. Sipas Mbrojtjes Civile, puna vijon në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit. Ndërkohë në Mallakastër, raportohet se janë evakuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie.
Ndërkohë, vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim. Nga zjarret raportohet se janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
Njoftimi i Agjencia Kombëtare të Mbrojtjes Civile:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive.
Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura – në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacionit po vepron avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”. Katër familje janë evakuuar përkohësisht për arsye sigurie.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës vijon puna për shuarjen përfundimtare. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren, bashkia Berat, po kryhet krehja dhe monitorimi i zonës. Në Pocest, bashkia Dibër, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale, ndërsa vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë, qarku Gjirokastër, janë shuar dhe po mbahen në monitorim.
Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.




