Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X pas vendimit të Gjykatës Administrative lidhur me rritjen e pagave, duke e akuzuar gjykatën se ka vepruar me shpejtësi për të kërkuar ekzekutimin e vendimit pa miratimin e Kuvendit.
Rama e cilëson vendimin si “tejet turbullues”, ndërsa ngre pikëpyetje për mënyrën se si është trajtuar çështja, duke e krahasuar me mijëra dosje që, sipas tij, presin prej vitesh në gjykata.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysmë rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…”, tha ai.
Kryeministri e cilëson veçanërisht problematike marrjen, sipas tij, të një mase që synon të nxisë ekzekutimin e një akti që mund të jetë në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cenon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”, shkruan Rama.
Rama ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, vendimi për hapjen e fondeve të Thesarit të Shtetit duhet të kalojë përmes Kuvendit.
“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.”, pohoi më tej. Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur vendimi për pagat e magjistratëve ka shkaktuar përplasje mes institucioneve, ndërsa pritet që çështja të marrë zhvillime të reja në Kuvend.
Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.
— Edi Rama (@ediramaal) September 11, 2026




