Mbrëmjen e së dielës, uji shkoi i ndotur në çezmat e banorëve të lagjes periferike “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë. Problematika u bë publike nga deputeti demokrat, Saimir Korreshi.
Në pamje, shihet uji me ngjyrë të kuqerremtë dhe sipas banorë me erë të rëndë.
Burime pranë ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve thanë se ndotja është shkaktuar gjatë ndërhyrjes për riparimin e një defekti në tubacione.
“Presioni i lartë i ujit ka zhvendosur drejt periferisë aluvionet, të cilat kanë rrjedhur në rubinetat e abonentëve. Sot kemi ndërhyrë duke modifikuar një saracineskë dhe situata është përmirësuar, uji nuk është më i ndotur”, tha një specialist jashtë kameras.
Ndërkohë, banorët e zonës thonë se shqetësimi për cilësinë e ujit nuk lidhet vetëm me situatën e krijuar mbrëmjen e së dielës, por është një problem me të cilin përballen prej kohësh. Ata shprehen se nuk kanë besim te uji që u vjen në çezma dhe nuk e përdorin për të pirë apo për të gatuar, duke u detyruar ta blejnë për konsum. Sipas tyre, kjo përbën edhe një kosto shtesë për familjet, veçanërisht për ato me të ardhura të ulëta.
“Nuk pimë ujë nga rubineti, sepse vjen i ndotur”, shprehet një banore.
Megjithatë ndërmarrja e ujësjellësit nuk pranoi të prononcohen zyrtarisht, duke argumentuar se për një gjë të tillë duhet leje nga ministria e infrastrukturës.
Problematika me ujin e pijshëm në Lushnjë, Ujësjellës-Kanalizimet për Report Tv: Parametrat brenda standardeve! (VIDEO)
Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Lushnjë ka reaguar lidhur me problematikën e konstatuar ditët e fundit në furnizimin me ujë të pijshëm, duke sqaruar se shkak ka qenë një defekt teknik në tubacionin e furnizimit, i cili ka sjellë shfaqjen e turbullirës në ujë.
Në një reagim për emisionin ‘Studio Live‘ në Report Tv, ata bëjnë me dije se defekti ka qenë në lagjen “Xhevdet Nepravishta” dhe se nga verifikimet e kryera nuk është konstatuar përhapje e saj në pjesën tjetër të rrjetit të qytetit.
Ujësjellës-Kanalizime Lushnjë thekson se në raste të veçanta, ndërhyrjet teknike dhe ndryshimet e presionit në rrjet mund të shkaktojnë turbullirë të përkohshme të ujit, ndërsa strukturat teknike ndërhyjnë për identifikimin dhe eliminimin e këtyre problematikave.
Sa i përket cilësisë së ujit të pijshëm, Ujësjellës-Kanalizime Lushnjë deklaron se kryen monitorim të vazhdueshëm përmes analizave periodike dhe kontrolleve të përcaktuara nga kuadri rregullator në fuqi. Ata theksojnë se sipas rezultateve të analizave të kryera gjatë monitorimit të zakonshëm, parametrat e kontrolluar kanë rezultuar brenda standardeve të përcaktuara për ujin e pijshëm.
Reagimi për ‘Studio Live’ në Report Tv i Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Lushnjë:
1. Lidhur me problematikën e konstatuar në furnizimin me ujë
Sqarojmë se problematika e evidentuar ka qenë e lidhur me shfaqjen e turbullirës në ujë, si pasojë e një defekti teknik në tubacionin e furnizimit.
Menjëherë pas konstatimit të situatës, Drejtoria Teknike ka marrë masat e nevojshme për izolimin e segmentit të prekur dhe ndërhyrjen për riparimin e defektit, e cila është realizuar në kohë.
2. Lidhur me shtrirjen e problematikës dhe gjendjen e rrjetit
Defekti teknik është lokalizuar në lagjen “Xhevdet Nepravishta” dhe, sipas verifikimeve të kryera, nuk është konstatuar shtrirje e kësaj problematike në pjesën tjetër të rrjetit të qytetit.
Theksojmë se rrjeti i furnizimit me ujë në qytetin e Lushnjës është ndërtuar me tubacione HDPE, në kuadër të investimit të realizuar në vitin 2019 me mbështetjen e KfË-së.
Në raste të veçanta, ndërhyrjet teknike dhe ndryshimet e presionit në rrjet mund të shoqërohen me turbullirë të përkohshme të ujit. Për situata të tilla, strukturat teknike ndërhyjnë për identifikimin dhe eliminimin e problematikës.
3. Lidhur me monitorimin e cilësisë së ujit
Shoqëria kryen monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit të pijshëm, nëpërmjet analizave periodike dhe kontrolleve të përcaktuara sipas kuadrit rregullator në fuqi.
Sipas rezultateve të analizave të kryera në kuadër të monitorimit të zakonshëm, parametrat e kontrolluar kanë rezultuar brenda standardeve të përcaktuara për ujin e pijshëm.
Drejtoria Teknike mbetet në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast të evidentimit të defekteve apo problematikave që mund të ndikojnë në furnizimin me ujë.
‘Uji vjen me erë të rëndë’, banorët e Lushnjës: Nuk e pimë, detyrohemi ta blejmë edhe për gatim! (VIDEO)
Banorët e lagjes periferike “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë ankohen për cilësinë e ujit që u vjen në çezmat e banesave, duke thënë se nuk e përdorin për të pirë dhe as për gatim, pasi dyshojnë se është i ndotur.
“Nuk pimë ujë nga rubineti, sepse vjen i ndotur”, shprehet një banore e zonës.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe një tjetër banore, e cila thotë se nuk e përdorin asnjëherë ujin e çezmës për të pirë. Ajo ngre shqetësimin edhe për koston e blerjes së ujit, duke theksuar se kjo është veçanërisht e vështirë për familjet me të ardhura të ulëta.
“Nuk e pimë asnjëherë, sepse është i ndotur. Përderisa po bëhen riparime andej-këtej, edhe uji vjen i papastër. Edhe uji që blejmë në shishe është i shtrenjtë. Varet edhe sa ujë konsumon në shtëpi. Dikush ka pension të ulët, dikush nuk punon, kështu që është e vështirë”, thotë ajo.
Një banor tjetër tregon se uji nuk përdoret as për lavatriçe, pasi sipas tij nuk është i pastër. Për gatim dhe për të pirë, familjet detyrohen të blejnë ujë në dyqane.
“Uji që vjen në çezmë nuk është i pastër dhe nuk përdoret as për lavatriçe. E lëmë të rrjedhë për pak kohë dhe më pas e përdorim. Për gatim blejmë. S’ke çfarë bën, për të pirë do ta blesh në dyqan, shprehet banori.
Gjithashtu një banor i po asaj zone thotë se ujin e rubinetit e përdorin vetëm për larje, ndërsa për konsum zgjedhin ta blejnë, pasi nuk kanë besim te cilësia e tij.
“Jo, për gatim nuk e përdorim, por për të larë po. Për të pirë nuk e përdorim, blejmë ujë, sepse nuk dihet si vjen. Edhe të tjerët këtë përgjigje do të të japin: uji nuk është i pijshëm”, shprehet ai.




