
Sulmuesi 19-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, Yan Diomande, është shndërruar në një nga objektivat kryesorë të verës për Liverpoolin, teksa klubi anglez po përgatitet për një epokë të re në repartin ofensivë.
Sipas mediave angleze, kushtet personale nuk pritet të jenë problem në rast të një transferimi të mundshëm, pasi lojtari është i interesuar për një kalim në “Anfield”. Liverpooli e ka ndjekur nga afër progresin e tij për më shumë se një vit, duke vlerësuar ngritjen e tij të shpejtë në Bundesliga.
Me largimin e Mohamed Salah në fund të sezonit, Diomande shihet si një zëvendësim afatgjatë ideal për repartin ofensivë të “The Reds”.

Talenti i ri ka spikatur me RB Leipzig që nga ardhja e tij verën e kaluar, duke u dalluar për shpejtësinë, driblimin dhe finalizimin e saktë.
Në këtë sezon, ai ka regjistruar 12 gola dhe 7 asiste në 29 paraqitje në kampionat, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
Megjithatë, një transferim i tillë nuk do të jetë i lehtë. Leipzig raportohet se kërkon rreth 100 milionë euro për kartonin e tij, duke e bërë këtë një nga lëvizjet më të kushtueshme të mundshme të verës. /Telegrafi/


