Protesta qytetare kundër qeverisë, e cila këtë të enjte shënoi ditën e 61-të dhe hyrjen në muajin e tretë të saj, u shoqërua edhe me mesazhe dhe pankarta të shumta drejtuar qeverisë dhe drejtuesve të saj.
Gjatë tubimit dhe marshimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit mbajtën pankarta dhe hodhën thirrje të ndryshme, ndërsa një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte shkrimi i realizuar mbi pllakat e bulevardit.
Me bojë u shkrua mesazhi: “Balluku në burg!”, i cili u pa nga qindra pjesëmarrës gjatë nisjes së marshimit.
Përgjatë manifestimit, protestuesit përsëritën edhe një sërë thirrjesh të tjera, mes tyre: “Çohuni nga kafja”, “Revolucion”, “Ndryshim sistemi”, “Arrestoni Ramën”, “Berisha në burg, Rama në burg” dhe “Ju erdhi fundi”.
Protesta vijoi më pas me marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në realizimin e kërkesave të tyre.




