Situata duket të jetë përmirësuar këtë mëngjes në fshatin Daias mes Lundrës e Priskës, pas shfaqjes së 3 vatrave mbrëmjen e së mërkurës. Report Tv ka siguruar edhe pamje me dron që tregojnë tymin që ngrihet nga vatrat dhe përhapjen e këtyre të fundit.
Forcat zjarrfikëse dhe 2 helikopterë kanë ndërhyrë për shuarjen.
Pas izolimit ditën e djeshme, zjarri në Abaze është fuqizuar sërish dhe ka përparuar gjatë natës.
Flakët u janë afruar banesave duke bërë që disa banorë të largohen. Ato janë veç 10 metra larg shtëpive, por fatmirësisht ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter. Në lagjen Boje raportohet që vatra të jetë shuar.
Ndërkohë vijon edhe djegia e vendgrumbullimit të mbeturinave në fshatin Kameras.
Në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ka nisur ndërhyrja me 2 avionë ‘Air Tractor’ për shuarjen e zjarrit, por flakët janë rreth 70 metra larg banesave. Megjithatë, janë marrë masat që të mos depërtojë.
Në Mallakastër vijon puna për izolimin e vatrës në masivin pyjor Lofkënd-Ngraçije dhe Gjinoqare, ku janë aktivizuar rreth 70 forca zjarrfikëse.
Lajm në përditësim…
Të sfilitur e të sëmurë, por me kurajë ‘të flaktë’! Komandanti i Zjarrfikëses në Krujë: 5 ditë pa gjumë, do të rrimë derisa të shuhet vatra e fundit

Të lodhur, të sfilitur dhe të vendosur për të mos u dorëzuar. Disa prej tyre edhe të sëmurë, të gjithë pa gjumë e në luftë me zjarrin e kohën, që prej ditës kur janë shfaqur vatrat në Krujë. Por, me kurajë të paimagjinueshme. Me buzëqeshje, Altin Shullazi, komandanti i zjarrfikësve që po ndihmojnë në zjarret në Krujë, refuzon ta lëshojë veten.
5 ditë e net pa gjumë, me kolegët të sëmurë, por të gjithë nuk duan që ta lënë Krujën, qytetin ku janë lindur e rritet, të digjet.
-Prej sa kohësh je këtu?
Altin Shullazi:5 ditë e 5 net. Merremi e zjarrin në Krujë, nuk do të ndalojmë derisa të shuhet. Jemi të gjithë në punë.
-Jeni lodhur e sfilitur, çfarë ju bën të keni moral kaq të lartë?
Altin Shullazi:Na dhimbset ky qytet. Jemi lindur e rritur në këtë qytet, nuk duam të shkatërrohet.
-Kemi informacion që disa prej jush janë me temperaturë, brinjë të thyera e antibiotikë.
Altin Shullazi: Pjesa më e madhe janë me temperaturë 39-40, janë këtu. Nuk do të dorëzohemi deri në fund, derisa ta mbyllim edhe vatrën e fundit të zjarrit.
Në luftë me ‘flakët’ prej disa ditësh, zjarrfikësi në Krujë: Nuk kam hequr këpucët prej disa ditësh

Zjarrfikësit në Krujë pavarësisht se prej disa ditësh kanë qenë në ‘luftë me flakët thonë se nuk do ta ndalin punën e tyre deri në shuarjen e plotë të flakëve.
Njëri prek zjarrfikësit teksa tregon për Report Tv këmbët dhe gishtat e nxirë, për shkak se nuk i ka hequr këpucët që kur kanë nisur zjarret.
“Kam një javë pa gjumë dhe as këpucët nuk kam heq që prej disa ditësh. Puna jonë kështu e ka. Edhe kolegët e tjerë kanë dëmtime në këmbë”, shprehet zjarrfikësi Eduarti.
Shfaqet vatër zjarri në Bubq

Foto ilustruese
Një tjetër vatër zjarri është raportuar në Bubq, për të cilën ka shkuar në ndihmë zjarrfikësja e Vorës.
Zjarri në Priskë/ Vullnetarët e ‘Illyrian Guard’ në terren për shuarjen e flakëve

Trajnimi dhe certifikimi i vullnetarëve të Illyrian Guard u vu sot në provë, pasi në orët e para të mëngjesit ata iu bashkuan forcave zjarrfikëse në terren për përballimin e zjarrit në zonën e Priskës, pranë Farkës.
Vullnetarët dhanë kontributin e tyre në mbështetje të forcave që menaxhuan situatën, ndërsa në terren ishte edhe administratori i Illyrian Guard, Florenc Spaho, i cili ndoqi nga afër angazhimin e ekipeve.
Të trajnuar për situata emergjente, vullnetarët tashmë janë pjesë e një strukture të gatshme për të ofruar mbështetje konkrete në raste zjarresh dhe emergjencash, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse.
Pamjet me dron/ Si paraqitet situata pas zjarrit në Lundër e Priskë (VIDEO)
Report Tv ka siguruar pamje me dron që pasqyrojnë situatën e mëngjesit të sotëm pas zjarrit të pasdites së djeshme në fshatin Daias mes Lundrës e Priskës.
Intensiteti i flakëve ka rënë ndërsa dy helikopterë janë në veprim për shuarjen e tyre, të ndihmuar edhe nga forcat në terren.
Nuk ka rrezik për banesat, ndërsa mbrëmjen e shkuar zjarri kaloi pranë 3 objekteve të pabanuara.
‘Largohu!’ Pas zjarrit, rrezik i ri në Abaze të Krujës, gurët shkëputen nga mali (VIDEO)
Një problematikë e re është shfaqur në Abaze të Krujës ku po punohet për zjarrin. Gurët kanë nisur të shkëputen nga mali dhe të rrokullisen duke rrezikuar jetën e banorëve dhe zjarrfikësve.
Ata po bashkëpunojnë mes tyre për lokalizimin e flakëve që e kanë bërë situatën mjaft kritike. Në një moment, ndërsa gurët bien nga mali, ata dëgjohen të paralajmërojnë njëri-tjetrin duke thirrur “largohu!”
Zjarri në Tiranë/ Përmirësohet situata në fshatin Daias, po punohet nga toka dhe ajri (VIDEO)
Situata duket të jetë përmirësuar këtë mëngjes në fshatin Daias mes Lundrës e Priskës, pas shfaqjes së 3 vatrave mbrëmjen e së mërkurës. Forcat zjarrfikëse nga terreni dhe një helikopter kanë ndërhyrë për shuarjen. Zjarrfikësit janë përqendruar më shumë pranë zonave të banuara, kurse helikopteri po vepron në ato që janë më të vështira për t’u depërtuar.
Mallakastër/ 70 forca punojnë për vatrat e zjarreve në Lofkënd-Ngraçije dhe Gjinoqare (VIDEO)
Në Mallakastër vijon puna për izolimin e vatrës në masivin pyjor Lofkënd-Ngraçije.
Në Gjinoqare, strukturat po operojnë por zjarri ka zgjeruar perimetrin, megjithëse intensiteti është më i vogël. 70 forca janë aktivizuar në këto operacione.
Vijon zjarri në Lurë, aktivizohet avioni ‘Air Tractor’ për shuarjen (VIDEO)
Lufta me zjarret në Lurë vijon pa ndërprerje. Siç tregojnë pamjet me dron të siguruara nga Report Tv, një avion ‘Air Tractor’ ka nisur tashmë ndërhyrjen nga ajri mbi masivin me pishë të zezë dhe bredh në këtë Park Kombëtar.




