Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar fuqizimin e sistemit të Burgjeve me automjete të blinduara, autoburgje, të cilat do të përdoren për shoqërimin e të burgosurve jashtë ambienteve të Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit.
Përmes një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë të ditur se mjetet e reja janë të destinuara veçanërisht për transportin e personave me rrezikshmëri të lartë, duke synuar rritjen e sigurisë gjatë çdo lëvizjeje dhe shoqërimi.
Sipas Drejtorisë, kjo masë synon të ofrojë më shumë mbrojtje jo vetëm për personat e privuar nga liria, por edhe për punonjësit e Burgjeve që angazhohen në transportin dhe shoqërimin e tyre.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Siguria nis nga mënyra se si kryhet çdo lëvizje. Për herë të parë, sistemi penitenciar po fuqizohet me automjete të blinduara, autoburgje, duke sjellë një standard të ri në transportin dhe shoqërimin e të burgosurve jashtë ambienteve të IEVP-ve.
Mjetet e reja janë të destinuara për transportin e personave me rrezikshmëri të lartë, duke rritur ndjeshëm sigurinë gjatë çdo shoqërimi.
Por kjo risi nuk lidhet vetëm me sigurinë e të burgosurve. Ajo garanton më shumë mbrojtje edhe për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët angazhohen në transportin dhe shoqërimin e tyre.
Më shumë siguri për të privuarit nga liria. Më shumë mbrojtje për punonjësit. Një sistem penitenciar më modern.




