Report Tv ka siguruar foton e 65-vjeçarit Viktor (Marku) Bardhi, vrasja e të cilit, e ndodhur mëngjesin e së enjtes në fshatin Ndërfushas të Mirditës, vijon të mbetet pa autor. Policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, ka kryer një sërë veprimesh përgjatë 24 orëve, por deri tani pa mundur të zbardhë rrethanat dhe autorësinë e ngjarjes.
Burimet bëjnë me dije se rreth 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga grupi hetimor, mes tyre edhe anëtarë të fisit Reçi pasi po hetohet pista e mundshme e gjakmarrjeve për shkak të një konflikti të hershëm dhe hakmarrjes mes fiseve në Mirditë, ku në harkun kohor të tre viteve janë vrarë tre anëtarë të fisit Bardhi. Bëhet fjalë për Martin Bardhin, i ekzekutuar në Rrëshen në vitin 2023, dhe Kristjan Bardhin (Marku), i vrarë në Novoselë të Vlorës.
Pas dhënies së dëshmive, ata janë lënë të lirë, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar personat që mund të kenë dijeni apo lidhje me vrasjen.
Read more:Aksident me vdekje në Shkodër, makina përplas motorin, humb jetën 17-vjeçari! Plagoset shoku i tij
Një prej vështirësive kryesore për hetuesit është mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja. Për këtë arsye, grupi hetimor po analizon pamjet filmike të kamerave në hyrje të qytetit të Rrëshenit, si dhe përgjatë aksit të Rrugës së Kombit, me qëllim identifikimin e lëvizjeve të automjeteve të dyshuara.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe janë përpjekur të mos lënë gjurmë. Viktima, Viktor (Marku) Bardhi, u qëllua me armë zjarri, dyshohet me silenciator, rreth 1 kilometër larg banesës së tij në Ndërfushas. Pas atentatit, ata kanë djegur makinën në Munaz të Rubikut, rreth 10 kilometra larg vendgjarjes.
65-vjeçari ishte punonjës i Ujësjellësit të Mirditës dhe kishte dalë nga banesa për të hapur furnizimin me ujë të pijshëm në zonë. Makina e tij, Mercedes Benz e bardhë, u gjet e bërë shoshë nga plumbat.
Pavarësisht konfliktit të mëparshëm mes familjeve, 65-vjeçari vijonte të lëvizte i lirë dhe nuk kishte masa të veçanta mbrojtjeje.
Atentati ndaj Viktor Bardhit, autorët s’u kapën nga kamerat e sigurisë! Dyshohet se u ndihmuan nga të tjerë, asnjë provë në mjetin që u gjet i djegur

Një tjetër detaj mësohet lidhur me atentatin e një dite më parë ndaj Viktor Bardhit në Ndërfushaz të Mirditës.
Në hyrje të fshatit ka kamera sigurie, por asnjë mjet nuk shihet të lëvizë gjatë orëve kur dyshohet se është kryer ekzekutimi. Dyshimet janë se autorët që u përfshinë në këtë vrasje mund të kenë përdorur nënkalimin e “Rrugës së Kombit“ ose mund të kenë kaluar barrierat mbrojtëse të rrugës në këmbë, pasi ndodhen pak metra larg vendit të pritës, për t’u arratisur menjëherë pasi është kryer vrasja.
Edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit nuk është evidentuar asnjë gjurmë e automjetit të autorëve, i cili u gjet i djegur në Munaz rreth 20 minuta pas njoftimit të dhënë nga familjarët e 65-vjeçarit Viktor Marku, të cilët e gjetën atë të pajetë.
Ekzekutorët dyshohet se janë ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët i kanë pritur me automjet për t’u larguar dhe për të humbur gjurmët nga policia. Në automjetin që u gjet i djegur nuk u gjetën as armë dhe as prova të tjera. Ky është një tjetër dyshim se mjeti i djegur mund të mos jetë automjeti i autorëve, por një mënyrë për të devijuar hetimet nga mjete të tjera që kanë lëvizur në orarin kur dyshohet se është kryer vrasja.
I zunë pritë dhe e vranë një ditë më parë në Mirditë, Report Tv siguron foton e Viktor Bardhit

Report Tv ka siguruar foton e Viktor Bardhit, 65-vjeçarit të vrarë një ditë më parë në Ndërfushaz të Mirditës.
Read more:Kthyen 2 banesa në ‘shtëpi bari’ në fshatin Barbullush, arrestohen 2 të rinjtë në Shkodër (EMRAT)
Viktima punonte te ujësjellësi dhe në momentin e ekzekutimit, kishte shkuar për të hapur furnizimin me ujin e pijshëm për fshatin. Dyshohet se motivi është hakmarrja për shkak të një historiku me fisin Reçi ku më e hershmja e dokumentuar është më 9 shtator 2016.
Përpara atentatit të Bardhit, u vranë edhe dy anëtarë të tjerë të fisit, Martin Bardhi, i ekzekutuar në Rrëshen në vitin 2023, dhe Kristjan Bardhi (Marku), i vrarë në Novoselë të Vlorës më 13 janar 2025.




