Të paktën 10 persona, shumica të armatosur, dyshohet se janë paraqitur te Hotel Regina Palm në Vlorë, ku kanë kërcënuar pronarin Vasil Bedinaj, i cili në polici ka deklaruar se është shantazhuar dhe i është kërkuar 5 milionë euro. Ka qenë vetë Bedinaj që ka njoftuar policinë për ngjarjen, e cila ka ndodhur pak pas mesditës së sotme në zonën e Rradhimës në Vlorë. Ai ka pretenduar se një grup personash të armatosur dyshohet se e kanë kërcënuar që t’i jepte 5 milionë euro ose ndryshe të largohej nga vendi brenda 24 orëve.
“5 milionë euro gjobë ndryshe zhduku nga Shqipëria”, ka dëshmuar Vasil Bedinaj në polici.
Sipas informacioneve paraprake mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes. Mësohet se Bedinaj ka qenë në konflikt me biznesmenin e delës, Luan Muça. Ky i fundit ka qenë i pranishëm në hotel dhe është ulur në tavolinë me Bedinajn. Ndërkohë, personat e armatosur raportohet se kanë qenë punonjës të “SWAT Security”, një kompani private sigurie në pronësi të Mandrit Lleshaj. Rezulton se kjo kompani është e kontraktuar nga Muça për të garantuar sigurinë në bizneset e tij.
Pas kallëzimit në polici nga Bedinaj, blutë kanë ndërmarrë një operacion për kapjen e autorëve. Gjatë këtij aksioni në afërsi të Pusit të Mezinit, ata kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë ndjekjes makina tip ‘Range Rover’ ku ndodheshin 3 prej autorëve të dyshuar është aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Dy prej tyre janë dërguar në spital ndërsa i treti është dërguar në Komisariat. Njëri ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa tjetri ka marrë lëndime më të lehta.
Gjatë kontrolleve në automjet u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri. Ndërkohë Policia ka ngritur postoblloqe në Fier, Vlorë, Himarë e Tepelenë për kapjen e personave të tjerë. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Read more:Hodhën nga makina qesen me kanabis, arrestohen dy të rinj në Devoll

Hoteli Regina Palm ku ka ndodhur ngjarja
Lajm në përditësim….
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Pronari i ‘Delta’ në konflikt me Vasil Bedinajn, i shkoi në hotel bashkë me personat e armatosur! Punonjës të një kompanie private sigurie
Biznesmeni Luan Muça është personi që dyshohet se është përfshirë në një konflikt me biznesmenin tjetër Vasil Bedinaj. Ky i fundit denoncoi sot se u kërcënua nga 10 persona të armatosur. Burime për Report Tv thonë se vetë Muça, pronari i delta Group dhe i “Deutsch Color”, ka qenë në ambientet e hotelit të Bedinajt në momentin kur ka ndodhur përplasja. Ndërkohë, personat e armatosur raportohet se kanë qenë punonjës të “SWAT Security”, një kompani private sigurie në pronësi të Madrit Lleshaj. Rezulton se kjo kompani është e kontraktuar nga Muça për të garantuar sigurinë në bizneset e tij.
Vasil Bedinaj denoncoi se u kërcënua, 8 makina mbërrijnë para hotelit të tij! Momenti kur zbresin disa persona (VIDEO)
Report Tv ka siguruar pamjet kur 8 automjete të zeza dhe xhama të zinj mbërrijnë në Hotel Regina Palm në Vlorë, ku sipas biznesmenit Vasil Bedinaj e kanë kërcënuar. Në pamje dallohet momenti kur mjetet ndalojnë një nga një para hotelit, ndërsa nga makinat dalin rreth 10 persona.
Pasi kërcënuan me armë Vasil Bedinajn, autorët ndiqen nga policia nëpër rrugët e Vlorës! VIDEO e ‘Range Rover’-it që përfundoi i përmbysur në rrugë (VIDEO)
Të paktën 10 persona të armatosur dyshohet se kërcënuan biznesmenin Vasil Bedinaj në një prej hoteleve të tij në Vlorë. Ai ka lajmëruar policinë duke deklaruar se autorët e armatosur i kanë kërkuar 5 mln euro. Menjëherë ata u larguan nga hoteli, por policia duke shkuar drejt vendit të ngjarjes ka pikasur në rrugë një mjet duke lëvizur me shpejtësi, së cilës iu vunë në ndjekje.
Në makinë u gjend një armë dhe 3 prej autorëve të dyshuar. Në përpjekje për t’i ikur Policisë, drejtuesi i Range Rover-it ka humbur kontrollin dhe mjeti ka përfunduar i përmbysur në rrugë, siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv.
Disa persona kanë rrethuar makinën në përpjekje për të nxjerrë nga aty 3 autorët e dyshuar. Dy prej tyre kanë përfunduar në spital, ndërsa njëri është dërguar në komisariat.
“Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli. Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, njoftoi Policia.




