Ngërçi me pagat e magjistratëve, të cilët ende nuk janë paguar për gushtin, solli reagimin e gjykatave e prokurorive në Tiranë. Administrata dhe sekretaret gjyqësore të Gjykatës civile të Tiranës, asaj penale, dhe Apelit, lanë punën dhe nuk ofruan shërbime, duke kërkuar një sqarim përse nuk po kalojnë pagat dhe se çfarë do të bëhet me ta.
Për të mos penalizuar personat e arrestuar të cilët duhen të dalin para togave të zeza për vlerësimin e arrestit, në gjykata do të bëhen vetëm masat e sigurisë.
Për ta zgjidhur këtë kryetarët e gjykatave u mbledhën në Gjykatën e Lartë, ku u vendos që më 10 shtator të thirret një mbledhje urgjente e Përgjithshme e Gjyqtarëve
Edhe Olsjan Çela mblodhi në mëngjes në Prokurorinë e Përgjithshme drejtuesit e prokurorive ku u theksua nevoja për një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi “u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë të sistemit të drejtësisë”.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Pagat e drejtësisë, gjyqtarët në mbledhje të jashtëzakonshme më 10 shtator

Më 10 shtator në orën 10:00, është thirrur në KLGJ Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve lidhur me ngërçin e pagave të magjistratëve.
Në rendin e ditës parashikohet përcaktimi i qëndrimit institucional të trupës gjyqësore për zgjidhjen e situatës në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit, situata “prek drejtpërdrejt funksionimin normal të gjykatave, garancitë kushtetuese të statusit të gjyqtarit, pavarësinë dhe integritetin institucional të pushtetit gjyqësor, si dhe autoritetin detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.”
Njoftimi i plotë:
Nisur nga situata e krijuar në sistemin gjyqësor, si pasojë e moszbatimit brenda afatit të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese për pagën e magjistratëve dhe e bllokimit, nga strukturat shtetërore përgjegjëse për administrimin e buxhetit, të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore;
Duke vlerësuar se kjo situatë është veçanërisht serioze dhe shqetësuese, pasi prek drejtpërdrejt funksionimin normal të gjykatave, garancitë kushtetuese të statusit të gjyqtarit, pavarësinë dhe integritetin institucional të pushtetit gjyqësor, si dhe autoritetin detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
Duke vlerësuar se respektimi i Kushtetutës, i kufijve ndërmjet pushteteve dhe i vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese përbën detyrim dhe përgjegjësi për çdo institucion shtetëror;
Duke çmuar se serioziteti i situatës kërkon një reagim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe institucional të trupës gjyqësore dhe se, për një çështje që prek të gjithë pushtetin gjyqësor, është e rëndësishme të dëgjohet zëri i çdo gjyqtari dhe gjyqësori të shprehet me një qëndrim të përbashkët;
Me qëllim zhvillimin e një diskutimi të hapur ndërmjet gjyqtarëve të të gjitha niveleve për situatën e krijuar, respektimin dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe përcaktimin e qëndrimit dhe të hapave institucionalë që çmohen të nevojshëm për zgjidhjen e saj;
Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”,
thërras Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, me këtë rend dite:
1. Diskutimi i situatës së krijuar nga bllokimi i pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore dhe përcaktimi i qëndrimit institucional të trupës gjyqësore për zgjidhjen e saj në përputhje me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën dhe garancitë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do t’i zhvillojë punimet ditën e enjte, më 10 shtator 2026, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ngërçi i pagave të gjyqësorit, Kryetarët e Gjykatave: Administrata s’është palë e debatit, të likuidohen menjëherë

Kryetarët e Gjykatave kërkojnë që të procedohet menjëherë me pagat e administratës së gjyqësorit duke e ndarë këtë të fundit nga debati që po zhvillohet lidhur me pagat e magjistratëve.
Krahas kësaj, kërkon zhbllokimin e pagave të magjistratëve sipas vendimit të Kushtetueses, përllogaritjen dhe shlyerjen e pagesave të prapambetura si dhe respektimin e integritetit të gjyqësorit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu kërkon mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve pasi sistemi gjyqësor duhet të dëgjojë zërin e secilit dhe të flasë njëzëri në mbrojtje të pavarësisë.
Deklarata e plotë:
Mbledhja e Kryetarëve të Gjykatave të Republikës së Shqipërisë, e mbledhur më 8 shtator 2026, shqyrtoi situatën e krijuar nga mosprocedimi i pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore dhe pasojat që kjo gjendje po sjell për funksionimin normal të gjykatave.
Kryetarët e gjykatave kanë përgjegjësinë të garantojnë funksionimin normal të gjykatave dhe të mbrojnë kushtet institucionale, administrative e financiare, pa të cilat drejtësia nuk mund të ushtrohet normalisht. Kur gjyqtarët dhe administrata gjyqësore vazhdojnë të kryejnë detyrën, ndërsa pagat nuk procedohen, reagimi institucional nuk është zgjedhje, por përgjegjësi.
Për administratën gjyqësore situata është veçanërisht e pajustifikueshme. Punonjësit e saj nuk janë palë në debatin mbi formulën e pagës së magjistratëve. Ata kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë detyrën, ndërsa paga për punën e kryer nuk u është dhënë. Paga për punën e kryer nuk është favor. Është detyrim. Shqetësimi i krijuar në radhët e administratës gjyqësore është real dhe nuk mund të nënvlerësohet. Reagimet e shfaqura gjatë ditës së sotme janë një tregues i tensionit që ka prodhuar mospagimi.
Mbledhja e Kryetarëve mbështet kërkesën e ligjshme të punonjësve për marrjen e pagave që u takojnë, por kjo nuk duhet të kuptohet si legjitimim i formave të reagimit që cenojnë vijimësinë e funksionimit të gjykatave. Shqetësimi duhet dëgjuar, funksionimi i drejtësisë duhet garantuar dhe pagat duhet të procedohen pa vonesë.
Në debatin publik është pohuar se gjyqtarët ose organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor i kanë rritur pagat vetes. Ky pohim nuk pasqyron thelbin juridik të çështjes. Gjyqësori nuk po kërkon të caktojë vetë pagën e tij. Po kërkon respektimin dhe zbatimin e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që ka rikonfirmuar pagën që nga viti 2016.
Vendimi nr. 15, datë 17.02.2026, i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyrueshëm. Vetë Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj publike të datës 7 shtator 2026, ritheksoi se arsyetimi dhe dispozitivi i këtij vendimi përbëjnë qëndrimin e saj zyrtar, duhet të lexohen dhe zbatohen në tërësinë e tyre dhe se respektimi i vendimeve të saj është kërkesë e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Prandaj vendimi nr. 15/2026 nuk mund të lexohet në mënyrë të fragmentuar dhe as të zbatohet në mënyrë selektive.
Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për miratimin e ndryshimeve ligjore dhe përcaktoi se efektet e shfuqizimit hyjnë në fuqi me ligjin e ri dhe, “në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026”. Ky afat ka përfunduar.
Nga data 1 gusht 2026 gjyqtarët kanë vazhduar të ushtrojnë funksionin e tyre. Detyrimi i shtetit për t’i paguar nuk mund të ketë përfunduar më 31 korrik dhe as mosveprimi i ligjvënësit nuk mund të shërbejë si arsye për rikthimin në një rregullim, efektet e shfuqizimit të të cilit Gjykata Kushtetuese i ka përcaktuar shprehimisht në kohë.
Vetë ekzekutivi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet. Atëherë ai duhet të zbatohet. Edhe për pagesat e prapambetura vendimi është i qartë. Paragrafi 110 përcakton se, nëse ndryshimet ligjore nuk bëheshin deri më 31 korrik 2026, llogaritja e tyre do të kryhej me formulën që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, sipas vendimit nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese. Afati përfundoi dhe ligji nuk u miratua.
Mbledhja e Kryetarëve vlerëson se për mënyrën dhe afatin e shlyerjes së pagesave të prapambetura mund të përcaktohet një “skemë e arsyeshme përshtatjeje”, por vetë detyrimi nuk mund të vihet në diskutim. Pagesat e prapambetura duhet të përllogariten dhe shlyerja e tyre duhet të fillojë.
Çështja, tashmë, nuk është vetëm financiare. Bllokimi i pagave të sistemit gjyqësor, i shoqëruar me qëndrime të kundërta për efektet e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, prek drejtpërdrejt pavarësinë e gjyqësorit, integritetin institucional të tij, funksionimin normal të gjykatave dhe autoritetin e rendit kushtetues.
Paprekshmëria e pagës së gjyqtarit nuk është privilegj ekonomik. Ajo është një prej garancive të pavarësisë së gjyqësorit dhe, përmes saj, e së drejtës së qytetarit për një drejtësi të pavarur.
Në një shtet të së drejtës, asnjë institucion nuk mund të zgjedhë cilën pjesë të një vendimi kushtetues do të zbatojë dhe cilën do ta shtyjë. Respektimi i Kushtetutës, i kufijve ndërmjet pushteteve dhe i vendimeve përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese është detyrim dhe përgjegjësi e çdo institucioni shtetëror. Secili prej tyre duhet të ushtrojë kompetencat që i janë besuar për rivendosjen pa vonesë të ligjshmërisë dhe normalitetit kushtetues.
Mbledhja e Kryetarëve kërkon:
· procedimin e menjëhershëm të pagave të administratës gjyqësore, si dhe zhbllokimin dhe pagesën e pagave të gjyqtarëve në përputhje me efektet e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese;
· përllogaritjen dhe fillimin e shlyerjes së pagesave të prapambetura sipas paragrafit 110 të vendimit;
· respektimin nga çdo institucion të pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të tij institucional dhe autoritetit detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Qëllimi ynë nuk është përplasja ndërmjet pushteteve. Është rivendosja e normalitetit kushtetues. Nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë respektimin e Kushtetutës, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të pavarësisë së gjyqësorit.
Mbledhja e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se, përballë seriozitetit të situatës së krijuar, duhet të thirret sa më parë Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Në një moment që prek të gjithë sistemin, gjyqësori duhet të dëgjojë zërin e çdo gjyqtari, të bashkojë qëndrimet e tij mbi parimet themelore që janë në diskutim dhe të flasë me një zë të vetëm në mbrojtje të pavarësisë së tij, integritetit institucional dhe rendit kushtetues.
Gjyqësori do të vazhdojë të përmbushë detyrën e tij. Institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë të tyren. Zgjidhja nuk mund të shtyhet më: ajo duhet të jetë e menjëhershme, ligjore dhe kushtetuese.
Pagat e bllokuara/ Çela mbledh prokurorët: Kuvendi të japë zgjidhje të shpejtë! Nëse s’miratohet rritja, do ndjekim rrugën ligjore

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela mblodhi drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve për ngërçin me pagat. Në takim u kërkua një zgjidhje e shpejtë nga Kuvendi, pa cenuar pavarësinë e drejtësisë. Prokurorët mësohet se do të ndjekin rrugën ligjore nëse Kuvendi nuk miraton rritjen e pagës.
Reagimi për mediat i Prokurorisë së Përgjithshme
Mbi mbledhjen lidhur me situatën e pagesave të magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë
Sot, më datë 8 shtator 2026, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një mbledhje e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës.
Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.
Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.
Ngërçi me pagat e drejtësisë, edhe administrata e Apelit në bojkot (VIDEO)
Edhe administrata e Gjykatës së Apelit i është bashkuar bojkotit, pas ngërçit për pagat në sistemin e drejtësisë.
Ngërçi me pagat, edhe administrata e Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës në bojkot, bllokon shërbimet (VIDEO)
Pas ngërcit me pagat në sistemin e drejtësisë, edhe administrata e Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës ka nisur bojkotin dhe ka bllokuar shërbimet.
Ngërçi për pagat e magjistratëve, Prokuroria e Përgjithshme: Zgjidhja do të kërkohet përmes instrumenteve ligjore

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela zhvilloi një mbledhje sot për çështjen e pagave të bllokuara të magjistratëve. Në takim ku ishin të pranishëm drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.
Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.




