Goditja e grupeve kriminale, kapja e personave që lëvizin me armë e drogë, arrestimi i personave në kërkim dhe lufta kundër krimeve kufitare ishin porositë kryesore që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, u dha strukturave të Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër gjatë takimeve me drejtuesit vendorë dhe kufitarë.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Hita e vendosi theksin te siguria e nxënësve, duke kërkuar që drejtuesit e policive vendore të monitorojnë personalisht zbatimin e planit të masave për garantimin e sigurisë në shkolla dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Ai kërkoi intensifikimin e kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me qëllim identifikimin dhe goditjen e elementeve që nxisin nxënësit të përfshihen në veprimtari kriminale.
Read more:Shkodër/ Kërcënuan me kallash e pistoletë dy persona pas sherrit me një të mitur, 2 në kërkim
Hita u ndal më pas te lufta kundër kriminalitetit, duke kërkuar nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale. Një tjetër porosi ishte forcimi i luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, përmes hetimeve proaktive.
Gjatë takimeve, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi edhe përmirësimin e performancës së Policisë së Shtetit dhe ofrimin e një shërbimi me etikë ndaj qytetarëve, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë e të drejtpërdrejtë me ta.
Në fokus ishte edhe siguria rrugore. Hita kërkoi rritjen e përdorimit të teknologjisë nga strukturat e Policisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Drejtori i Përgjithshëm theksoi gjithashtu se besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit mbetet elementi kyç për përmbushjen e detyrave funksionale të institucionit.
Sipas tij, ky besim mund të forcohet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe përdorimin e burimeve njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese, informuese dhe zgjidhëse shqetësimet apo pretendimet e qytetarëve që i drejtohen Policisë së Shtetit përmes platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj.




