Sot mbahet ceremonia mortore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
Arkmorti mbërriti në sheshin Skënderbej në orën 09:00 dhe u vendos në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Homazhet në nder të Pëllumbit nisën në orën 09:30 dhe në orën 12:00 do të mbahen homazhet zyrtare.
Në orën 12:30 do të mbahet ceremonia e përcjelljes së tij drejt banesës së fundit. Shoqërimi do të bëhet sipas protokollit shtetëror. Në orën 13:00 kortezhi do të niset për në varrezat e Sharrës, ku do të prehet trupi i Servet Pëllumbit.
Pëllumbi u shua pak javë para ditëlindjes së 35-të të PS, partisë së cilës i dha një kontribut të çmuar që në fillimet e saj.
Ai njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare. Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetar i Parlamentit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.
Pëllumbi u diplomua për studimet e larta në Universitetin e Petersburgut me titullin doktor i shkencave në Letërsi. Nga viti 1960 – 1963, ai punoi si pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ushtroi këtë profesion deri më 1977. Në po këtë vit ai u zgjodh anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës. Për gati tre vjet ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai është autor i dhjetëra librave dhe studimeve në filozofi, politikë dhe demokraci. Ndryshimet demokratike në vitin 1990 e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, si pjesa konservatore e kësaj partie, përballë rrymës liberale të Fatos Nanos. Këtë post ai e mbajti deri në vitin 1996.
Lajm në përditësim…
U shua në moshën 89-vjeçare, Braho për Servet Pëllumbin: Sot është një ditë zie për një burrë të madh që ndikoi në reformimin e Partisë Socialiste
Ish-deputeti socialist Spartak Braho ishte i pranishëm në homazhet që po mbahen për ish-kryertarin e Kuvendit Servet Pëllumbi.
“E kisha për detyrë të shkruaja një libër të veçantë për të. Sot është një ditë zie për një burrë të madh që ndikoi në reformimin e Partisë Socialiste”, tha Spartak Braho.
Homazhet për Servet Pëllumbin, ish-presidenti Topi: Një nga zërat më të ekuilibruar dhe një njeri reformator
Ish presidenti Bamir Topi ka marrë pjesë në homazhet në nder të ish kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi.
Për mediat, Topi u shpreh se Pëllumbi ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar të politikës. Topi e cilësoi Pëllumbin njeri reformator dhe shtoi se ka qenë një nga burrat më të mirë që ka pasur rastin të bashkëpunojë në politikë.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet për familjen. Jam njohur gjatë aktivitetit tim politik nga afër me profesor Pëllumbin. Vjen si një bindje e brendshme dhe konstante, ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS në veçanti. Një njeri reformator. Ka shumë për të folur, por unë do ta mbyll me këto fjalë, është një nga burrat më të mirë që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj në politik”, tha ai.
U shua në moshën 89-vjeçare, prefekti i Tiranës për Servet Pëllumbin: Politikan vizionar dhe me parime të forta! Është një busull për të rinjtë
Shkëlqim Hajdari, prefekt i Tiranës, gjatë homazheve për ish kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi tha se ai ishte një politikan vizionar dhe me parime të forta.
“Servet Pëllumbi mbetet filozof i së majtës europiane, i cili në dallgët që ka kaluar politika shqiptare qëndroi si një politikan vizionar dhe me parime të forta, ishte një intelektual. Sot ka shumë politikanë jo vetëm nga e majta, por edhe e djathta sepse shembulli i tij ishte që politika duhet t’i shërbejë qytetarëve dhe kombit. Është një busull për të gjithë politikanët e rinj. Lamtumirë profesor Servet Pëllumbi, do të mbetesh një thesar i madh”, tha Shkëlqim Hajdari.
Djali i Servet Pëllumbit: Për mua ishe udhërrëfyes! Largimi lë boshllëk të pazëvendësueshëm, por vepra do të jetojë përherë

Arben Pëllumbi ka bërë një postim të mbushur me hidhërim, por edhe mirënjohje për babain e tij, Servet Pëllumbin, i cili u nda nga jeta të martën. Ai shkruan në rrjetet sociale se për të ishte më shumë se një prind pasi e shihte si udhërrëfyes e mësues. Më tej, shprehet se largimi i ka lënë një boshllëk, por gjithçka ka mbetur pas prej tij do të jetojë përherë.
“Sot u nda nga jeta babai im, Servet Pëllumbi.
Profesori, siç e thërrisnin të gjithë, ishte një njeri që jetoi me dinjitet, mendim të thellë dhe dashuri të pakushtëzuar për familjen, dijen dhe Shqipërinë. Për mua ai ishte më shumë se një prind — ishte udhërrëfyes, mësues dhe forca ime morale.
Largimi i tij më lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, por vepra, fjala dhe shembulli i tij do të jetojnë përherë.
Mirënjohje pa fund që pata fatin ta kem baba.
Read more:Detyra jote është e thjeshtë, por sfiduese – duhet të gjesh se cila vazo do të thyhet
U prehsh në paqe!”, shkruan Arben Pëllumbi.
Homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi, Zogaj: Me vdekjen e tij politika e shqiptare është më e varfër
Në homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj ka kujtuar figurën e tij me fjalë të ndjera, duke vlerësuar shembullin e tij në politkën shqiptare.
“Servet Pëllumbi, ishte i fundit i të moderuarve, i të urtëve në nivel lideri politik në Shqipëri. Besnik i parimeve të së majtës europiane. La në Shqipëri shembullin e politikanit fleksibël, të urave të dialogut, të zgjidhjeve të vështira si pak kush tjetër. Me vdekjen e tij politika e shqiptare është më e varfër”, tha Zogaj gjatë prononcimit për media.
Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, ngushëllimi i Metës: Ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të gjatë tranzicionit të vendit

Ish-presidenti Ilir Meta ka dërguar mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbit. Meta vlerëson kontributet e tij politike dhe akademike, ndërsa shprehet se ka qenë kënaqësi të bashkëpunonte në periudhën e tranzicionit.
“Me hidhërim të thellë mësova mbrëmë vonë për ndarjen nga jeta të Prof. Servet Pëllumbit, një figurë e shquar në jetën politike dhe institucionale të vendit, me kontribute shumë të rëndësishme jo vetëm në jetën politike, por edhe akademike.
Për mua ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të në një periudhë shumë të vështirë të tranzicionit të vendit.
Ngushëllimet më sinqerta për bashkëshorten e tij, djemtë dhe gjithë familjen Pëllumbi për ikjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur, por edhe për të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit.
Të prehet në paqen e merituar!
I paharruar kujtimi i Prof. Servet Pëllumbit!”, shkruan Meta në rrjetet sociale.




