Partia Socialiste ka rrëzuar me 72 vota kundër dhe vetëm 2 vota pro kërkesën për zhvillimin e një interpelance në Kuvend lidhur me çështjen e Zvërnecit dhe Rrjollit.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi rezultatin e votimit, duke deklaruar se kërkesa nuk u miratua.
“Kalojmë në votim. Kush është pro, kundër, abstenim. 72 kundër, 2 pro, abstenim nuk ka. Kërkesa nuk miratohet. Nuk ka interpelancë për Zvërnecin”, tha Peleshi.
Kërkesa ishte depozituar nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili kërkoi interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, për çështjet e Rrjollit dhe Zvërnecit.
Gjatë seancës, Peleshi u shpreh se kjo çështje ishte trajtuar më herët në Kuvend në një seancë me ministrin Lamallari dhe për këtë arsye nuk përbënte më objekt diskutimi.
Ndërkohë, deputeti Kapri e cilësoi vendimin si një akt censurimi nga mazhoranca. Ai akuzoi ministrin e Brendshëm për mosfunksionim të Policisë së Shtetit dhe kërkoi që çështjet e ngritura nga qytetarët të diskutohen në parlament.




