TIRANË– Në unison shoqatat e gazetarëve, jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj, kanë dënuar pa mëdyshje rregulloren e re të GJKKO-së e cila rikthen censurën ndaj mediave. Dokumenti i hartuar nga kryetari në detyrë Erion Bani, vendos kufizime dhe ndalime, që praktikisht e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë. Publiciteti i seancave nga një rregull kthehet në përjashtim. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, shpërndau një deklaratë ku e quan rregulloren e re kufizim të lirisë së mediave, duke theksuar se drejtuesi i GJKKO-së, Erion Bani po i sheh gazetarët si rrezik për procesin gjyqësor. Çipa thekson se rregullorja e re bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si edhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbrojnë publicitetin e proceseve gjyqësore dhe të drejtën për informim.
“Ka përcaktime kufizuese, censuruese, penguese dhe aspekte burokratike të cilat në një lloj pikëpamje nuk vlejnë për atë marrëdhënie që ka përgjithësisht media dhe gazetari me kohën, Kur bëhet fjalë për procedurën e akreditimit të mediave dhe gazetarëve kemi të bëjmë me një paradoks burokratik kërkohet një regjistrim një herë në vit. Këto janë elemente të kufizimit dhe që në një lloj pikëpamje cenojnë si një precedent i rrezikshëm edhe ligjin themelor të republikës që është kushtetuta dhe në shkelje të konventës europiane”, thotë Aleksandër Çipa.
Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, po ashtu e kishte kritikuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së një ditë më parë. Ndërsa sot, kryetari Isa Myzyraj foli për një këmbanë alarmi për lirinë e medias.
Shqetësimit të gazetarëve shqiptarë i janë bashkuar përveç shoqatave vendase me shqetësim e shohin edhe ato ndërkombëtare. Federata Europiane e Gazetarëve tha për Report Tv se e konsideron Rregulloren, si regjimet më kufizuese, ndësa paralajmëron se në rast mosreflektimi çështja do të shkojë deri në Këshillin e Evropës.
“Ndalimi i përgjithshëm që planifikohet në Shqipëri është pa dyshim regjimi më kufizues i këtij lloji. Dhe ne nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë e justifikon një kufizim të tillë, i cili cenon lirinë e shtypit dhe, për rrjedhojë, edhe të drejtën e publikut për t’u informuar. A kanë gjykatat në Shqipëri diçka për të fshehur? Nëse GJKKO nuk e ndryshon qëndrimin e saj, EFJ do të paraqesë një ankesë zyrtare në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë, gjë që do ta detyrojë qeverinë shqiptare të japë shpjegime për këtë kufizim serioz të së drejtës për akses në informacion”, thuhet në reagimin për Report Tv.
Në shkelje flagrante të së drejtës së informimit, Rregullorja e kthen gazetarin në një burokrat që duhet të mbushë cdo ditë formularë për të kërkuar leje që të ndjekë seancat, ndërsa kur gjendet brenda sallës së gjyqit, trajtohet thjesht si një spektator, pa as më të voglën mundësi për të ushtruar lirisht profesionin.
Rregullorja e cila hyn në fuqi më 1 shtator, parashikon që gazetarët të kërkojnë autorizim të paktën 24 orë përpara çdo seance, kufizon numrin e gazetarëve që mund të ndjekin gjyqin në sallë, ndalon përdorimin e telefonave, tabletëve dhe laptopëve gjatë gjykimit, si edhe heq mundësinë e filmimit të minutave të para të seancave gjyqësore.
GJKKO censuron mediat, Federata Evropiane e Gazetarëve për Report Tv: Ndër regjimet më kufizuese! Nëse nuk tërhiqen nga rregullorja e re, ankohemi në KiE

Federata Evropiane e Gazetarëve në një reagim ekskluziv për Report Tv e cilëson të papranushme rregulloren e re të GJKKO-së që censuron mediat. Federata Evropiane e Gazetarëve thotë se nëse GJKKO nuk tërhiqet, do të ankohen në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë.
Reagimi i plotë
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) është e tronditur kur mëson për synimin e gjyqësorit shqiptar për të zbatuar këto dispozita, të cilat bien ndesh me transparencën që duhet të karakterizojë administrimin e drejtësisë.
Në Evropë, kufizimet për përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjyqit zbatohen ndryshe për gazetarët sesa për publikun e gjerë: edhe në rastet kur ekzistojnë rregulla që ndalojnë përdorimin e telefonave nga publiku, gazetarëve ose reporterëve të akredituar zakonisht u jepen përjashtime të kufizuara për raportim të drejtpërdrejtë me tekst, megjithëse në disa raste shumë të rralla mund të vendosen ndalime të plota ose kufizime të rrepta për shpërndarjen e materialeve dixhitale, me qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit gjyqësor.
Rregulli i zakonshëm është që gazetarëve të akredituar u lejohet të mbajnë dhe përdorin telefona celularë ose laptopë në sallën e gjyqit për komunikim të heshtur me tekst, mbajtje shënimesh në kohë reale dhe raportim të drejtpërdrejtë. Natyrisht, ne mund të kuptojmë disa kufizime: zakonisht, fotografimi, regjistrimi audio apo xhirimi i videove brenda sallës së gjyqit mbetet i ndaluar pothuajse kudo, me përjashtim të fillimit të seancave, kur kameramanët dhe fotografët zakonisht lejohen të hyjnë për disa minuta. Por ne nuk mund të pranojmë një ndalim të përgjithshëm që në praktikë i pengon gazetarët të kryejnë punën e tyre në interes të publikut.
Ndalimi i përgjithshëm që planifikohet në Shqipëri është pa dyshim regjimi më kufizues i këtij lloji. Dhe ne nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë e justifikon një kufizim të tillë, i cili cenon lirinë e shtypit dhe, për rrjedhojë, edhe të drejtën e publikut për t’u informuar. A kanë gjykatat në Shqipëri diçka për të fshehur?
EFJ mbështet plotësisht qëndrimin e organizatës së saj anëtare, Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AJA): ne besojmë se ky kufizim është krejtësisht i papranueshëm, joproporcional dhe i panevojshëm, pasi nuk ekzistojnë incidente objektive që ta justifikojnë atë. Ne i bashkohemi AJA-së duke i bërë thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të hapë një proces konsultimi me komunitetin e gazetarëve, organizatat mediatike dhe palët e tjera të interesuara.
GJKKO duhet të kuptojë se është një parim themelor i drejtësisë së hapur që procedurat gjyqësore zhvillohen, në rrethana normale, në publik dhe se media ka të drejtë të raportojë mbi këto procese në mënyrë të hapur dhe transparente. Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë ndodh në gjykata dhe tribunale, ndërsa besimi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë mbështetet pikërisht mbi transparencën.
Nëse GJKKO nuk e ndryshon qëndrimin e saj, EFJ do të paraqesë një ankesë zyrtare në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë, gjë që do ta detyrojë qeverinë shqiptare të japë shpjegime për këtë kufizim serioz të së drejtës për akses në informacion.
GJKKO censurë mediave, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Gazetarët po shihen si kërcënim! Rregullorja e re shkel Kushtetutën dhe Konventën Evropiane
Shoqatat e Gazetarëve e kanë dënuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së e cila pritet të futet në fuqi më 1 shtator dhe rikthen censurën ndaj mediave duke shuar edhe ato pak hapësira lirie informimi që kishin mbetur. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e quan rregulloren e re kufizim të lirisë së mediave, duke theksuar se drejtuesi i GJKKO-së, Erion Bani po i sheh gazetarët si rrezik për procesin gjyqësor.
“Ka përcaktime kufizuese, censuruese, penguese dhe aspekte burokratike të cilat në një lloj pikëpamje nuk vlejnë për atë marrëdhënie që ka përgjithësisht media dhe gazetari me kohën”, shprehet Aleksandër Çipa.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa në një intervistë për Report Tv thekson se rregullorja e re bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si edhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbrojnë publicitetin e proceseve gjyqësore dhe të drejtën për informim.
Shoqata ngre shqetësim edhe për detyrimin që gazetarët duhet të marrin autorizim 24 orë para seancës për të ndjekur një gjyq. Sipas saj, kjo e kthen të drejtën e medias për të qenë e pranishme në gjykatë në një ‘leje administrative’ dhe krijon kufizime për gazetarët.
Read more:Kosovë/ Kurti pas përfundimit të bisedimeve me LDK: Nuk kemi marrëveshje politike
“Kur bëhet fjalë për procedurën e akreditimit të mediave dhe gazetarëve kemi të bëjmë me një paradoks burokratik kërkohet një regjistrim një herë në vit çka do të thotë që ne e dimë fort mirë që në strukturat redaksionale të mediave tona ka lëvizje gazetarësh ka paqëndrueshmëri ka në të njëjtën kohë largime apo ë udhëtime të ndryshme të cilat mund ta zëvendësojnë reporterin apo gazetarin që ndjek këtë institucion në përditshmërinë e vetë. Atëherë për këto largime dhe ndryshime a do të pritet përsëri vendimi burokratik i gjykatës i kaluar në ato që quhet aulat e saj të procedimit burokratik. Këto janë pengime dhe në një lloj pikëpamje japin efektin e censurës”, thekson Aleksandër Çipa.
Ndalim absolut quan pikat e tjera të rregullores, të cilat nuk do të lejojnë që gazetarët të futen në gjyq me telefona, i vetmi mjet pune i lejuar deri më tani për komunikimin e informacionit në redaksi, apo ndalimin e kamerave brenda në gjyq. Nëse deri më tani lejohej filmimi i minutave të para të seancës, me rregulloren e re Bani ua kufizon edhe këtë hapësirë mediave.
Në mënyrë arbitrare GJKKO po u mbyll dyert mediave dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se në rregulloren e re nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk mund ta kundërshtojë vendimin
Për Report Tv, Çipa thotë se rregullorja e re është hatuar pa asnjë konsultim me mediat dhe i bën thirrje kryetarit të GJKKO-së që ta rishqyrtojë atë para 1 shtatorit, kur futet në fuqi.
Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e |Organizuar (GJKKO) ka publikuar vendimin nr 49, datë 17.07.2026 “ RREGULLORE E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së” dhe komentarin PËR RREGULLOREN E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së”. Janë dy dokumenta që përcaktojnë kritere, procedura dhe kufizime të reja për praninë e mediave dhe gazetarëve në këtë institucion.
Komentari shoqërues prej 532 faqesh në një kapitull të veçantë, mishëron disa kufizime që ngjallin shqetësime serioze, kur ballafaqohen me të drejtën për raportim dhe lirinë e medias. Kjo rregullore fikson procedura burokratike penguese për gazetarët, kufizime mbi numrin e gazetarëve dhe rregulla të reja për regjistrimet mediatike dhe praninë në mjediset e institucionit gjyqësor.
UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast, kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumenta udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, garanton se proceset gjyqësore zhvillohen publikisht dhe neni 10 i kësaj Konvente mbron të drejtën për informimin publik mbi funksionimin e drejtësisë.
UGSH vlerëson se këto dy dokumenta ekspozojnë bindjen e hartuesve dhe drejtuesve të këtij institucioni se media përbën një rrezik për procesin gjyqësor dhe për këtë arsye kanë krijuar një kapitull dhe pika specifike penguese e kufizuese për gazetarët, operatorët dhe mjetet profesionale të tyre në sallat e gjykimeve dhe mjediset e institucionit në fjalë.
Nga leximi i plotë i teksteve në fjalë, UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!
Pika ku përcaktohet kufizimi i gazetarëve, ku mungojnë kriteret përzgjedhëse, cënon parimin e së drejtës së pranisë së secilës media dhe pluralizmit informues. Mungesa e këtyre kritereve në Rregullore dhe Komentar, i jep atribut administratës ose strukturave të sigurisë së institucionit të selektojnë praninë e gazetarëve dhe mediave, legjitimohet diskrecioni i administratës për të lejuar dhe refuzuar hyrjen.
Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 10 përcakton se kufizimet duhet të jenë të parashikueshme dhe të bazuara në kritere të qarta. Pika tjetër e rregullores ku përcaktohet kufizimi i fotografimit dhe regjistrimit, mbart riskun e ndalimeve absolute. Ky komentar, sipas pikëpamjes sonë, është burim kufizimesh shtesë. Njëkohësisht sipas nesh, koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin, bie ndesh me parimin e publikimit të gjykimit.
Në këto dy dokumenta nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk ekziston një procedurë për të kundërshtuar vendimin.
Pika tjetër ku përcaktohen kriteret e akreditimit, paraqet probleme serioze për redaksitë dhe vetë reporterët e profilit që ndjekin proceset në këtë institucion. Realizimi i këtij procesi akreditimi nga Gjykata një herë në vit, është absurd dhe skualifikon nga kjo e drejtë jo vetëm shumë reporterë, por mund të ndodhë të pengojë edhe media që e kanë siguruar këtë akreditim, nëse reporteri, për një arsye apo tjetër, largohet për një periudhë nga puna dhe aktiviteti. Procedura e fiksuar akredituese nuk parashikon zëvendësime dhe akreditime pasuese.
UGSH sjell në vëmendje të hartuesve të këtyre dy dokumentave dhe titullarëve të këtij institucioni, se vendime dhe procese pararendëse në institucione të larta eruopiane të drejtësisë, kanë vlefshmëri reference për të mos rënë në shkelje dhe cënime të ligjit themelor dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Unioni i Gazetarëve Shiptarë, nisur nga parimi se media është rojtare publike e demokracisë, vëren se në këto dy dokumenta bazike për marrëdhënien e institucionit të GJKKO me mediat dhe gazetarët, përcaktohen orientime konkrete se si të administrohet media, kufizohet rëndë aksesi i saj, sidomos prej akreditimit të kufizuar, etj.
UGSH apelon pranë këtij institucioni për rishqyrtimin e këtyre dy dokumentave në kapitujt për marrëdhëniet me mediat. Ne kërkojmë një ndërhyrje redaktuese të menjëhershme.
Ndërkohë i drejtohemi Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë si donatore dhe mbështetëse kryesore e Reformës në Drejtësi, Ambasadës Amerikanë në Tiranë, Zyrës së Përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore në vendin tonë, të ushtrojnë ndikimin e tyre të menjëhershëm, për të mos lejuar që rregullore dhe komentarë të tillë, të shndërrohen në modele të censurës dhe shkeljes së lirisë themelore brenda një gjykate të posaçme sikundër është GJKKO.




