KRUJË– Flakët u futën në oborret e banesave, iu afruan magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit. Për disa orë, Kruja u rrethua nga zjarri, ndërsa qindra banorë u evakuuan nga shtëpitë mes frikës se flakët mund t’u përpinin gjithçka.
Situata më e vështirë ishte në Barabit dhe Lluban. Zjarri, i favorizuar nga era, avancoi me shpejtësi drejt zonave të banuara. Sot, gjithçka përreth banesave është shkrumbuar. Shtëpitë shpëtuan pa dëme, por gjithçka nëpër oborre është shkrumbuar, gjurmë që tregojnë sa pranë tyre kaloi rreziku.
Pas natës së frikshme, banorët e Krujës ka nisur të rikthehen në shtëpi. Ata tregojnë për Report Tv betejën me zjarret.
“Mua shyqyr më shpëtuan fëmijët. Se çfarë ka qenë këtu mbrëmë, vetëm shpirti ynë e di. Dy djemtë i kam pasur mes flakësh. Nuk kam ecur dot prej flakësh, më kapën dhe më çuan poshtë. U tmerruan fëmijët, mirë ne të vjetrit”, thotë një e moshuar.
Për disa orë, banorët panë zjarrin t’u vinte nga të gjitha anët. Mes tymit dhe kaosit, familjet nxorën fëmijët dhe u larguan, ndërsa disa që refuzuan të braktisnin banesat u evakuuan nga autoritetet.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Mami thoshte ‘nuk dal nga shtëpia, të digjem brenda’. Dolëm, nxorëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz. Ka qenë një kaos i paparë. E gjithë lagjja u tmerrua”, tregon një banor.
Por kishte edhe nga ata që qëndruan përballë flakëve, për të mos lejuar që mundi i një jete të shkrumbohej. Kova me ujë dhe mjete rrethanore u bënë mburoja e fundit kur flakët arritën deri te tjegullat.
“Një tmerr i jashtëzakonshëm. Nuk e kemi parë veten më ngushtë se këtë herë, flaka deri në kupë të qiellit. Vetëm me kova e mjete rrethanore kemi arritur të mbrojmë dy shtëpitë. Zjarrin e kishim ngjitur fare në banesë, deri sipër tjegullave. Brenda në shtëpi nuk kemi dëm”, tregon një tjetër banor për Report Tv.
“Ne e kemi mbajt situatën vetë në kontroll me dy autobote uji. Zjarrfikësit kanë ardhur sa për të shuar vatrat e vogla”, tha një tjetër.
Pamjet nga lart tregojnë qartë çfarë la pas zjarri. Sipërfaqe të tëra me bimësi janë djegur, ndërsa gjithçka rreth e rrotull banesave është shkrumbuar.
Flakët kërcënuan edhe Spitalin e Krujës. Zjarri u afrua rreth 50 metra pranë godinës, duke detyruar evakuimin e pacientëve drejt Tiranës. Në pesë lagje u ndërpre edhe energjia elektrike.
Gjatë gjithë natës, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe banorët luftuan me flakët. Me zbardhjen e ditës, Kruja mori frymë disi. Dy vatra mbeten ende aktive, ndërsa dy helikopterë kanë nisur operacionin nga ajri për të shuar plotësisht zjarrin.
Për zjarrin në Krujë është arrestuar Qemal Berhami. Sipas policisë, ai kishte ndezur barishte pranë shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik një pjesë të Krujës.
Dy vatra zjarri aktive raportohen sërish në Mallakastër. Një prej vatrave është riaktivizuar në zonën e Panahorit, ndërsa flakët tashmë po avancojnë edhe në drejtim të Greshicës. Vatra tjetër vijon të jetë aktive në zonën mes fshatrave Drenije të bashkisë Patos dhe Vlosht të bashkisë Roskovec.
Lajmi në përditësim….
‘Zjarri arriti te tjegullat e banesës’, banori në Krujë: Mbrojtëm shtëpitë me kova, tmerr i jashtëzakonshëm
Një tjetër banor i Krujës rrëfen betejën për të shpëtuar banesën nga flakët, të cilat kishin arritur deri në çati. Ai tregon se luftuan me kova dhe mjete rrethanore për të mbrojtur dy shtëpi, ndërsa zjarrfikëset, sipas tij, mbërritën me vonesë.
“Një tmerr i jashtëzakonshëm. Nuk e kemi parë veten më ngushtë se këtë herë, flaka deri në kupë të qiellit. S’i bënim dot asgjë, vetëm me kova e mjete rrethanore kemi arritur të mbrojmë dy shtëpitë. Falë miqve që kemi pasur. Erdhën me vonesë, njëra ishte sipër, mbaroi ujti. Kur erdhi ajo ne e kishim shuar. Zjarrin e kishim ngjitur fare në banesë, deri sipër tjegullave. Brenda në shtëpi nuk kemi dëm”, thotw ai.
Zjarri shkrumbon magazinën e rezinit në Krujë, ja pasojat
Një magazinë rezini ka pësuar dëme nga zjarri që përpiu mbrëmjen e 8 gushtit Krujën.
Read more:Inflacioni në Kosovë arrin 7.5 për qind, këto janë produktet më të shtrenjta
Banorja e Krujës tregon betejën me zjarrin: Më shpëtuan fëmijët, më kapën dhe më çuan poshtë
Një tjetër banore e Krujës ka rrëfyer për Report Tv momentet e përjetuara gjatë zjarrit, kur flakët rrethuan zonën dhe detyruan familjet të largoheshin nga banesat. Ajo tregon se dy djemtë e saj mbetën mes flakëve, ndërsa vetë nuk mundi të largohej për shkak të zjarrit.
“Mua shyqyr më shpëtuan fëmijët. Se ca ka qenë këtu mbrëmë, vetëm shpirti jonë di. Kemi marrë fëmijët kemi iku tek goca. Dy djemtë i kam pas mes flakësh. Dëme ka pasur, vetëm shtëpitë kanë shpëtuar. Helikopterët deri në darkë kanë qenë këtu. Nuk kam ec dot prej flakësh, më kapën dhe më çuan poshtë. U tmerruan fëmijët, mirë ne të vjetrit”, tha banorja.
‘Për 5 minuta zjarri rrethoi shtëpinë’, banori rrëfen tmerrin në Krujë: Nëna nuk donte të largohej, nxorëm fëmijët! E gjithë lagjja po evakuohej (VIDEO)
Një banor i Krujës ka rrëfyer për Report Tv momentet e frikës teksa flakët iu afruan banesës së tij dhe brenda pak minutash rrethuan të gjithë zonën. Ai tregon se familjarët dhe banorët u përpoqën të mbanin zjarrin nën kontroll me autobotë uji, ndërsa nxorën me shpejtësi fëmijët nga shtëpia. Sipas tij, situata u kthye në kaos teksa e gjithë lagjja po evakuohej dhe ekzistonte frika se flakët mund të përfshinin edhe një fasoneri.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Ne e kemi mbajt situatën vetë në kontroll me dy autobotë uji. Zjarrfikësit kanë ardhur sa për të shuar vatrat e vogla. Mami thonte nuk dal nga shtëpia, të digjem brenda,. Dolëm, nxorrëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz që e kemi mbajt zjarrin. Ato zjarrfikëset e mbajtën në kontroll deri nga ora 10. Iu afrua më pas shtëpisë, doli zjarri para. Morën magazinat e ujësjellësit. Ka qenë një kaos i paparë. Nuk ka bërë vaki ndonjëherë. E gjithë lagjja po evakuohej, u bllokua rruga e zjarrfikëses. E gjithë lagjja u tmerrua. Kishim frikë mos shpërthente një fasoneri”, tha ai.
Zjarri rrethoi banesat në Krujë, gjithçka rreth e rrotull e shkrumbuar! Pasojat që lanë pas flakët (VIDEO)
Këto janë pasojat që la pas zjarri në rrethoi Krujën mbrëmjen e 8 gushtit, duke vënë në rrezik banesa e biznese. Masive të tëra pyjesh janë shkrumbuar nga flakët të cilat u arritën të neutralizohen vetëm orët e para të mëngjesit të sotëm.
Siç shihet edhe nga pamjet, flakët kishin rrethuar oborrin e banesave. Hiri vihet re rreth e rrotull tyre.
Mallakastra 6 ditë betejë me zjarret, ende vatra aktive! Digjen masivet pyjore në 4 fshatra
Prej 6 ditësh Mallakastra vijon betejën me flakët. Aktualisht raportohet vatra zjarri në këto fshatra, Panhor, Greshic, Drenie, Vlosht, ku po digjen masive pyjore.




