Një instalacion artistik i pazakontë po tërheq vëmendjen në Neue Nationalgalerie në Berlin, ku qen robotikë me koka silikoni hiperrealiste të figurave të njohura publike lëvizin nëpër hapësirat e muzeut, duke krijuar një përvojë sa intriguese aq edhe shqetësuese për vizitorët.
Ekspozita, e titulluar Kafshët e Rregullta, paraqet robotë me tiparet e personaliteteve si Elon Musk, Mark Zuckerberg dhe Jeff Bezos, por edhe të ikonave të artit si Andy Warhol dhe Pablo Picasso, si dhe liderit politik Kim Jong Un. Këto figura shfaqen në formë të “kafshëve” robotike që sfidojnë perceptimin tradicional të figurave të pushtetshme dhe të famshme.
Read more (Instalacion artistik):Shkolla Finlandeze pjesë e #MyFreedomDay në CNN sërish
Çdo robot është i pajisur me kamera që regjistrojnë ambientin përreth dhe, përmes algoritmeve të inteligjencës artificiale, e përpunojnë atë në imazhe që më pas “nxirren” në mënyrë simbolike, duke ironizuar procesin e konsumit dhe prodhimit të përmbajtjes vizuale.
Veprat e krijuara pasqyrojnë stilin e secilit personazh. Roboti me tiparet e Picasso-s gjeneron forma kubiste, ndërsa ai i Warhol-it krijon imazhe në frymën e pop-art-it, duke nënvizuar mënyrën se si realiteti filtrohet dhe transformohet nga teknologjia.
Sipas kuratorëve, instalacioni synon të vërë në diskutim zhvendosjen e ndikimit kulturor, nga artistët klasikë drejt gjigantëve të teknologjisë që kontrollojnë algoritmet dhe informacionin. Ekspozita thekson përqendrimin e madh të pushtetit në epokën digjitale dhe mënyrën se si ky pushtet mund të ndikojë menjëherë në perceptimin publik.
E prezantuar fillimisht në Art Basel Miami Beach 2025, ekspozita është kuruar nga Lisa Motti, e cila e cilëson inteligjencën artificiale si një nga fenomenet më përcaktuese të kohës sonë dhe muzeun si një hapësirë për reflektim kritik.
Ndërkohë, artisti Beeple, i njohur për veprat e tij dixhitale dhe për ndikimin në artin bashkëkohor, konsiderohet një nga figurat kryesore pas këtij projekti, duke sjellë një qasje që ndërthur teknologjinë, satirën dhe kritikën sociale.





