Vendimi vjen në një kohë kur inflacioni vijon të mbetet pranë objektivit të bankës, ndërsa ekonomia shqiptare shfaq ritme të qëndrueshme rritjeje.
Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%”, u shpreh guvernatori Sejko.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë vëren se rreziqet nga mjedisi i jashtëm mbeten të larta. Sipas guvernatorit, tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i tyre në tregjet ndërkombëtare mund të sjellin rritje të çmimeve të karburanteve dhe të ushtrojnë presione të reja inflacioniste. Nga ana tjetër, këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht edhe në ritmin e rritjes ekonomike.
“Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i këtij konflikti në tregjet ndërkombëtare e mban balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm”,shtoi Sejko.
Guvernatori në këtë konferencë të politikës monetare konfirmoi se në muajin nëntor Shqipëria do t’i bashkohet platformës evropiane të pagesave të menjëhershme “Instant Payment” e cila do të mundësojë kryerjen e transfertave në kohë reale.




