Bashkimi Europian përmes një reagimi për Report Tv ka deklaruar se është në dijeni të rregullores së re të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila censuron punën e mediave dhe kufizon avokatët në ushtrimin e profesionit të tyre, si dhe të pandehurit për të marrë mbrojtjen e nevojshme të parashikuar në ligj.
BE ka theksuar se po e monitoron procesin, me qëllim gjetjen e një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion, si dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet europiane.
Në reagim, BE nënvizon gjithashtu se janë të gatshëm që të vijojnë të ofrojnë ekspertisë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik.
Read more:Eurostat: Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit! ‘Prin’ Maqedonia e Veriut
“Bashkimi Europian është në dijeni të një rregulloreje të re të brendshme për sigurinë, rendin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila merr parasysh karakteristikat e veçanta organizative, operacionale dhe të sigurisë që lidhen me GJKKO-në dhe proceset gjyqësore të saj.
BE-ja është e gatshme të vijojë të ofrojë ekspertizë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik, në mbështetje të gjetjes së një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet dhe parimet evropiane. BE-ja do të vijojë t’i monitorojë nga afër këto çështje në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, thuhet në reagimin e BE për Report Tv.
Rregullorja e Brendshme, e hartuar nga kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erion Bani dhe e miratuar së fundmi për të hyrë në fuqi më 1 shtator, ka shuar edhe ato pak hapësira lirie informimi që kishin mbetur ende.
Në shkelje flagrante të së drejtës së informimit, rregullorja e kthen gazetarin në një burokrat që duhet të mbushë çdo ditë formularë për të kërkuar leje që të ndjekë seancat, ndërsa kur gjendet brenda sallës së gjyqit, trajtohet thjesht si një spektator, pa as më të voglën mundësi për të ushtruar lirisht profesionin.
Edhe i vetmi mjet pune, deri më tani i lejuar, telefoni celular, i përdorur ekskluzivisht për komunikimin e informacionit në redaksi, përmes mesazheve me tekst, tani bëhet i ndaluar. Një rikthim ky në ‘epokën e gurit.’
Në sallë nuk lejohen as tabletat, e as laptopët. Kufizim ka edhe për praninë e kamerave më seancë. Ky kufizim shtrihet edhe për të pandehurit e avokatët, nëse kryesuesi i trupit gjykues “çmon se përdorimi i tyre cënon sigurinë, rendin, solemnitetin dhe administrimin e rregullt të drejtësisë”. Dhe kjo në një kohë kur vetë dosjet e SPAK, arrijnë në dhjetra mijëra faqe.




