Në fund të vitit 2025, në Shqipëri rezultonin 32.163 të huaj me leje qëndrimi, me një rritje prej 46,6% krahasuar me vitin 2024, ku numri i tyre ishte rreth 21 mijë e 900.
Sipas INSTAT, 55,1% e lejeve të qëndrimit të të huajve në vendin tonë janë për arsye punësimi, i pasuar nga bashkimi familjar, me 19,8% të lejeve, ndërsa14,1% janë dhënë për arsye të tjera. Qëllimet humanitare përfaqësojnë 7,9% dhe studimi vetëm 3,1%.
Kosova vazhdon të mbajë vendin e parë, me 6.284 persona që kanë kërkuar leje qëndrimi ndërsa Italia renditet e dyta me 4.065 persona, ose 12,6%.
India dhe Filipinet kanë shënuar edhe ritmet më të larta të rritjes. Numri i shtetasve nga Filipinet është rritur me 136,1%, ndërsa ai i shtetasve indianë me 87,6% krahasuar me vitin 2024. Vetëm këta shtetas përbëjnë 26,6% të të gjitha aplikimeve, ose më shumë se një në çdo katër kërkesa.
65% e të huajve me leje qëndrimi janë meshkuj dhe 35% femra, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30-39 vjeç, me 24,5% të totalit.
Gjatë vitit 2025 janë identifikuar edhe 1.926 të huaj të parregullt, nga 1.540 persona në vitin 2024, ose rreth 25% më shumë.




