Himarë- Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme lagjen 1 Maji të Himarës, ku flakët po përhapet me shpejtësi drejt zonave të banuara. Raportohet deri më tani për dy banesa të djegura, ndërkohë që forca zjarrfikëse të bashkisë Himarë, por edhe të bashkive të tjera fqinje ndodhen në terren për shuarjen e flakëve.
Gjithashtu mësohet se në rrezik nga flakët ndodhen edhe 40 banesa të tjera të zonës, ndërkohë është kërkuar edhe ndërhyrja e ushtrisë për të bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit.
Deri më tani raportohet se në ndihmë të forcave operacionale të bashkisë Himarë, kanë shkuar forca nga Zjarrfikësja Vlorë, Finiq, Delvinë dhe Sarandë dhe 50 forca ushtarake, të cilët po bëjnë të mundur evakuimin e njerëzve dhe ruajtjen e perimetrit rreth shtëpive. Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, u ka bërë thirrje banorëve të Himarës të largohen urgjentisht nga shtëpitë dhe bizneset, në mënyrë që të mos u rrezikohet jeta.
Fier-Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe disa zona të Fierit, duke rrezikuar banesa, biznese dhe banorët. Zjarri ka nisur në fshatin Fermë Çlirim dhe, për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në drejtim të Radostinës, Levanit, Peshtanit të Vogël, Frakullës dhe Zhupanit.
Tre persona janë asfiksuar nga tymi, të cilët kanë shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë si pasojë e përhapjes së flakëve janë dëmtuar disa banesa dhe biznese.
Deri më tani raportohet për 10 familje të evakuuara, ndërkohë që në operacionin për shuarjen e flakëve, veç forcave zjarrfikëse të bashkisë së Fierit dhe bashkive fqinje, kanë marrë pjesë edhe 2 helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Në terren ka ‘zbarkuar’ edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili nga Levani i Fierit, ka pohuar se situata e zjarrit që ka përfshirë 6 fshatra vijon të mbetet problematike.
Çako u shpreh se prioriteti kryesor është shpëtimi i jetës së njerëzve, ndërsa teksa theksoi se dyshonte për zjarrvënie të qëllimshme, u kërkoi organeve kompetente që ndaj autorëve të jepet dënimi maksimal i parashikuar nga ligji.
“Po vazhdojmë punën. Ka disa orë që Levani dhe kodrinat e Fierit janë përshkruar nga një zjarr masiv. Problemi i vënies para përgjegjësisë ligjore është kompetencë e organeve kompetente, e Policisë dhe organeve të drejtësisë, që duhet të jenë më korrekte dhe drastike ndaj autorëve të zjarrvënies. Do të duhet që gjithësecili të përgjigjet ligjërisht dhe pse jo edhe me sanksione ekstreme”, tha mes të tjerash Çako.
Gjatë mbrëmjes së sotme, në Levan ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili ka ndjekur nga afër situatën e krijuar nga zjarri në zonë.
Ministri është informuar për përhapjen e flakëve, situatën në terren dhe masat e marra nga strukturat e emergjencave për të mbajtur nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të garantuar sigurinë e banorëve. Ministri Nufi e ka cilësuar ditën e sotme, si një nga ditët më sfiduese të sezonit, përsa i takon situatës së zjarreve.
Krahas operacionit për përballimin e situatës, autoritetet kanë nisur edhe hetimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit, në rast se do të rezultojë se zjarri është shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Lezhë-Ndërkohë 10 banesa të djegura në fshatrat Kalivaç e Zimaj raportohen në njësinë vendore Ungrej të bashkisë Lezhë. Flakët nuk kursyen as bagëtitë që u dogjën brenda kasolleve. S’ka ende një bilanc për numrin e krerëve. Zjarri i përmasave të mëdha vazhdon dhe sot dhe ka përshkuar rreth 200 hektarë pyje. Flakët janë përhapur dhe në territorin e Vaut të Dejës, ku janë djegur 3 shtëpi të pabanuara.
Ndërhyrja nga toka në Ungrej është e vështirë, ndaj bashkia e Lezhës ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes për ndërjyrje nga ajri me helikopterë.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri vijon aktive në Malësinë e Kurbinit. Edhe në këtë zonë ndërhyrja nga toka është e vështirë megjihatë deri tani nuk përbën rrezik për zonat e banuara. Në Greps, njësia vendore e Niklës, në Krujë ka rënë zjarr në zonë pyjore dhe flakët po përhapen nga era.
Zjarri masiv në Himarë, Gjikuria për Report Tv: Banorët po lagin me ujë oborret e shtëpive të tyre! Lajmi i mirë është që era është qetësuar

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, në një telefonatë për Report Tv ka bërë një pasqyrim të situatës së zjarrit në Himarë, ku tha strukturat e bashkisë janë ‘në këmbë’ për vënien nën kontroll të flakëve.
Gjikuria tha se banorët e Potamit, por edhe të zonave të tjera të rrezikuara, po lagin me ujë oborret e shtëpive të tyre. Sipas tij, nëse zjarri do të zbresë poshtë, do të ketë edhe një urdhër evakuimi për banorët e Potamit. Ndërkohë sipas Gjikurisë, lajmi i mirë është që era, e cila po favorizonte përhapjen e flakëve, është qetësuar.
“Gjithë aparati shtetëror është në zonë. Po na vijnë zjarrfikëse edhe nga qytetet e tjera. Situata është alarmante këtë moment. Gjithë forcat tona janë në terren. Po luftojmë me zjarrin, çfarë të them në këtë moment. Zjarrfikësit janë në luftë me zjarrin. Personeli i Bashkisë është i gjithi në këmbë.
Zona e ‘1 Majit’ është më e kërcënuara. Pra nga Potami e deri te pjesa e bajpasit mbrapa. Potami është një zonë e populluar. Pjesa e Stefanelit gjithashtu. Zjarri ka rënë në zonën e 1 Majit. Kam fjalë që mund të jenë djegur shtëpi, por asgjë zyrtare. Banorët janë duke lagur oborret e tyre, duke bërë pjesën që duhet të bëjnë për të ruajtur pronat e tyre.
Këtej poshtë në Potam nuk ka panik. Njerëzit janë në pritje le të themi. Nëse do të kemi zbritje të zjarrit poshtë, do të kemi një urdhër evakuimi. Lajmi i mirë është që era është qetësuar. Në rast se do të jetë e nevojshme për evakuim, do të bëhet edhe evakuimi i turistëve. Jemi të gatshëm për gjithçka që mund të ndodhë dhe kemi edhe mbështetjen e plotë nga aparati qëndror”, tha mes të tjerash Gjikuria.
Haki Çako për Report Tv: Zjarri në Himarë nën kontroll, turistët e banorët janë të sigurt

Kreu i emergjencave civile, Haki Çako thotë për Report Tv se një pjesë e banorëve që kërcënoheshin nga flakët në Himarë janë evakuuar. Ai thekson se situata është vënë në kontroll, duke theksuar se turistët janë të sigurt.
“Zjarr masiv në pjesën veriore të qytetit të Himarës, zjarr që ka krijuar edhe vështirësi për zonën e banuar në kufi me qytetin. Situata është nën kontroll, janë përqendruar forca të shumta zjarrfikëse nga gjithë jugu. Zjarri është vënën nën kontroll. Janë evakuuar një pjesë e banorëve, do të presim ende derisa të vihet nën kontroll të plotë dhe pastaj do të rikthehen në banesa. Një pjesë që kanë qenë në zonën e zjarrit janë evakuuar. Për momentin ka ndryshuar situata, zjarrfikëset janë shtuar. Situata është më në kontroll. Turistët janë të sigurt. Të gjitha strukturat janë prezent. Ata që kanë qenë në atë zonë u është dashur të evakuohen për momentin, por nuk përbën asnjë rrezik”, thekson Haki Çako.
Zjarret, ministri Nufi nga Levani i Fierit: Dita e sotme, ndër më të vështirat e këtij sezoni! (VIDEO)
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ishte mbrëmjen e sotme në Levan të Fierit, ku pa nga afër situatën e krijuar nga zjarret gjatë orëve të pasdites. Sipas tij, situata në 6 fshatrat e Fierit është tashmë shumë më e qetë.
“Situata në Levan është shumë më e qetë se ç’ishte gjatë orëve të pasdites. Janë dy vatra që po monitorohen dhe do të aksesohen përsëri nesër në mëngjes, si nga toka, por me shumë mundësi edhe nga ajri”, deklaroi Ministri Nufi.
Ministri e cilësoi ditën e sotme si një ndër ditët më të vështira të sezonit të zjarreve, teksa evidentoi angazhimin e forcave në disa zona të vendit, përfshirë Lezhën, Dibrën, Matin, Qinamin dhe Levanin në Fier.
“Sot ka qenë një ndër ditët më të vështira të situatës së zjarreve gjatë gjithë sezonit veror. Ka patur një angazhim të jashtëzakonshëm, duke filluar nga Lezha, nga Dibra, nga Mati, nga Qinami në Tiranë, nga Levani këtu në Fier, ku ka patur një shtrirje prej 4 kilometrash”, u shpreh ministri Nufi.
Sipas tij, në operacionin për shuarjen e zjarrit në Levan janë angazhuar mbi 100 forca në terren, dy helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se pas Levanit do të vijojë drejt Himarës për të parë nga afër situatën dhe nevojat e strukturave në terren.
Ministri Nufi theksoi se prioritet mbetet ndërhyrja në kohë për çdo vatër zjarri, ndërsa konfirmoi se deri tani nuk ka pasur humbje jete.
“Po bëjmë çmos që çdo situatë të adresohet në kohën e duhur. Deri tani fatmirësisht nuk kemi asnjë jetë të humbur, përveç disa banesave të përshkuara nga zjarret, por falë ndërhyrjes në kohë dhe falë përpjekjeve të të gjithë njerëzve situata është nën kontroll”, deklaroi Ministri Nufi.
Situatë alarmante nga zjarri në Himarë, kryebashkiaku Tavo thirrje banorëve: Largohuni urgjent nga shtëpitë dhe bizneset, mund të rrezikoni jetën!

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, u ka bërë thirrje banorëve të Himarës që të largohen nga shtëpitë e tyre, bizneset apo ambiente të tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën e tyre, teksa zjarri masiv që ka përfshirë qytetin po avancon.
Teksa ka bërë publik disa numra kontakti në terren, Tavo u ka bërë thirrje qytetarëve që të kërkojnë ndihmën e organeve të Policisë së rendit, Policisë Bashkiake, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore në çdo kohë.
Njoftimi i Tavos:
THIRRJE URGJENTE
PËR BANORËT E HIMARËS!
Për shkak të zjarrit të papritur që po përparon drejt zonave të banuara, ju bëjmë thirrje të largoheni nga shtëpitë, bizneset apo ambiente të tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën.
Ju lutemi, kërkoni ndihmën e organeve të policisë së rendit, policisë bashkiak, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore në çdo kohë.
Ruani qetësinë dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve!
NUMRA KONTAKTI NË TERREN
+355 69 600 0200
+355 69 260 4355
+355 69 478 6723
+355 69 726 6533
+355 69 252 1907
+355 69 240 6302
+355 69 539 2571
+355 69 580 3899
+355 69 323 7130
+355 69 463 6213
Zjarr në Picar të Gjirokastrës, flakët rrezikojnë të përhapen drejt banesave të fshatit! 2 grupe zjarrfikëse në terren (VIDEO)
Zjarr në kurorën e gjelbër të fshatit Picar të Gjirokastës. Forcat zjarrefikëse konstatuan se flakët kishin rënë në zonën pyjore në hyrje të fshatit, në një terren të vështirë për ndërhyrje, për shkak të dendësisë së shkurreve dhe pyllit.
Situata paraqet rrezik për fshatin Picar, pasi zjarri ndodhet në afërsi të zonës së banuar dhe egziston rreziku i përhapjes së flakëve në drejtim të fshatit.
Aktualisht, në aksionin për shuarjen e flakëve ndodhen dy grupe të shërbimit zjarrfikës, ndërsa po mbërrin edhe grupi i tretë, me qëllim vënien sa më shpejt të situatës nën kontroll dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt banesave të fshatit Picar.
Prioriteti kryesor i ndërhyrjes është mbrojtja e fshatit Picar dhe banorëve të tij nga përhapja e flakëve.
Zjarr masiv në Himarë, flakët përhapen me shpejtësi! Digjen 2 banesa, në rrezik edhe 40 të tjera! Nis evakuimi i banorëve (VIDEO)
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të premteje lagjen 1 Maji në qytetin e Himarës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në kodrat pranë lagjes 1 Maji, duke rrezikuar rreth 40 banesa, por edhe sipërfaqet me pemëtari që ndodhen në këtë zonë. Deri më tani raportohet për dy banesa të djegura. Ndërkohë ka nisur edhe evakuimi i banorëve të zonës.
Në terren ndodhen banorë të Himarës, të cilët po ndihmojnë forcat zjarrfikëse në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët. Për shkak të situatës së vështirë dhe erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit, zjarrfikësit kanë kërkuar edhe ndihmën e forcave zjarrfikëse nga bashkitë fqinje. Pra në terren janë edhe mjete zjarrfikëse nga Vlora, Saranda, Delvina dhe Finiqi, si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura.
Për momentin, puna e forcave në terren është përqendruar në izolimin e përparimit të flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe pronave që ndodhen në zonë.
Zjarret në Fier, Rama publikon pamjet nga ndërhyrja me helikopterë: Urgjenca shëndetësore në gatishmëri të plotë (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga operacioni për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatrat Drizë, Vadhizë dhe Radostinë të Fierit, ku po vijon ndërhyrja nga ajri.
“Vijon ndërhyrja nga ajri për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatrat Drizë, Vadhizë, Radostinë”, shkruan Rama.
Kryeministri bën të ditur se për shkak të situatës është vendosur në gatishmëri edhe shërbimi shëndetësor.
“Në gatishmëri të plotë është edhe shërbimi shëndetësor, me ekipet e urgjencës dhe strukturat përkatëse për t’iu përgjigjur çdo situate të mundshme”, shkruan Rama.
Zjarret në vend, 10 familje evakuohen në Fier! Ushtria në terren me qindra efektivë dhe helikopterë, shuhet vatra në Zall-Herr (VIDEO)
Forcat e Armatosura vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, ndërsa situata më problematike paraqitet në Fier, ku 10 familje janë evakuuar për shkak të flakëve në fshatin Drizë-Radostinë.
Sipas përditësimit të fundit të situatës nga ana e ministrit Ermal Nufi, në këtë zonë janë angazhuar 55 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore për të vënë nën kontroll zjarrin.
Një tjetër operacion po zhvillohet në Njësinë Administrative Ungrej, në bashkinë Lezhë, ku në terren ndodhen 80 efektivë dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Në Dajt vijon ndërhyrja me 30 efektivë dhe një helikopter, ndërsa në Mallunxë të Matit janë angazhuar 30 efektivë dhe një automjet zjarrfikës. Sipas njoftimit, aktualisht në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.
Ndërkohë, zjarri në fshatin Qinam të Zall-Herrit konsiderohet i fikur. Për shuarjen e tij u angazhuan pesë automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Forcat e Armatosura bëjnë të ditur se efektivët janë angazhuar në terren që prej orëve të para të ditës dhe vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje në zonat e prekura nga zjarret.
Zjarri masiv në 6 fshatrat e Fierit, Haki Çako ‘zbarkon’ në Levan: Duket se është zjarrvënie e qëllimshme, sanksione ekstreme ndaj autorëve (VIDEO)
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, nga Levani i Fierit, ka pohuar se situata e zjarrit që ka përfshirë 6 fshatra vijon të mbetet problematike.
Çako u shpreh se prioriteti kryesor është shpëtimi i jetës së njerëzve, ndërsa u kërkoi organeve kompetente që ndaj autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme të jepet dënimi maksimal i parashikuar nga ligji.
“Po vazhdojmë punën. Ka disa orë që Levani dhe kodrinat e Fierit janë përshkruar nga një zjarr masiv. Ullishtet janë shumica e tyre të papastruara dhe kanë shkurre masive që bëhen shkak për përhapjen e zjarreve. Helikopterët dhe avioni po punojnë dhe kanë vënë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të flakëve, që kanë rrezikuar edhe biznese e banesa. Tashmë lokalet, prefektura, bashkia, ka të gjithë organizimin e mundshëm për të evidentuar lëvizjen e njerëzve. Zjarri kryesisht ka përshkruar zonë pemëtarie, por është një ndezje nga dora e njeriut. Natën helikopterët nuk operojnë dot. Do të operohet me forca nga toka. Problemi i vënies para përgjegjësisë ligjore është kompetencë e organeve kompetente, e Policisë dhe organeve të drejtësisë, që duhet të jenë më korrekte dhe drastike ndaj autorëve të zjarrvënies. Do të duhet që gjithësecili të përgjigjet ligjërisht dhe pse jo edhe me sanksione ekstreme”, tha mes të tjerash Çako.
Fier/ Zjarri masiv në zonën e Levanit, 3 persona të asfiksuar! Paraqiten në spital për të marrë ndihmë mjekësore
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Levanit në Fier, 3 persona janë paraqitur me shenja asfiksie për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Memorial Fier.
Përmes një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se 9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan dhe dy autoambulanca me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal Fier janë angazhuar në terren, për çdo situatë të mundshme.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:
Gatishmëri e plotë e strukturave shëndetësore në zonën e Levanit
Në vijim të situatës së krijuar nga zjarret në zonën e Levanit, ekipet shëndetësore janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje apo emergjence shëndetësore.
9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan dhe dy autoambulanca me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal Fier janë angazhuar në terren. Njëra autoambulancë është e stacionuar në Levan, ndërsa tjetra është në gatishmëri për ndërhyrje sipas nevojës.
Deri në këto momente, 3 persona janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e nevojshme shëndetësore.
Për çdo rast të mundshëm të urgjencës kardiake, është koordinuar trajtimi pranë Spitalit Memorial Fier, për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe të specializuar.
Strukturat shëndetësore vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës dhe mbeten në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje të qytetarëve.
Pamje ‘apokaliptike’ nga zjarret në Fier, banorët: Na janë djegur qindra rrënjë ullinj, po na rrezikohen shtëpitë! Do marrim plaçkat dhe do ikim nga Shqipëria
Banorët e fshatit Peshtan i Vogël në Fier, i cili është përfshirë ditën e sotme nga flakët, e kanë përshkruar situatën si tejet dramatike.
Duke folur për Report Tv, njëri prej banorëve tha se e kishte evakuuar familjen e tij larg fshatit, teksa shtoi se atij i rrezikohej banesa dhe me qindra rrënjë ullinj.
Ai theksoi gjithashtu se nga shërbimi zjarrfikës nuk ishte bërë puna e duhur, për shuarjen në kohë të flakëve.
“Jam banor i Peshtanit të Vogël. Nga banesa jam evakuuar. I dërgova prindërit e mi larg që këtu. Rrezikohen shtëpitë. Ullinj janë shumë, janë rreth 700 rrënjë që rrezikohen. Nuk jemi dëmshpërblyer asnjëherë. Asnjë mjet zjarrfikës, asgjë. Këtu ka mbaruar çdo gjë, shteti ka mbaruar. S’ka përgjegjës. Le të ikin edhe këta që kanë mbetur dhe ta gëzojnë qeveritarët”, tha një banor i zonës.
Më tej, një tjetër banor i zonës theksoi se i ishin djegur rreth 250 rrënjë ullinj, teska shtoi se nuk u kishte ngelur rrugëzgjidhje tjetër, veçse të largoheshin nga Shqipëria.
“E njëjta gjë na ndodhi edhe herën e parë që na u dogjën ullinjtë andej. Unë mbi 250 drunj ullinj, të gjithë në prodhim. Plus lere ullinjtë, por rrezikojnë edhe shtëpitë. Unë kam shtëpitë atje. Zjarri mund të ishte parandaluar që në fillim. Nuk ka shtet këtu, nuk funksionon asgjë. Ku e ke helikopterin tani? Ku e ke zjarrfikësen? Një helikopter është ai, çfarë do bëjë më para? Kështu që të ngarkojmë plaçkat ne dhe të largohemi nga Shqipëria. Janë ullinjtë në prodhim, atje i kishim shpresat ne. Po kaloi zjarri kthesën këtu, mbaruam”, tha një tjetër banor i zonës.
Zjarri i përmasave të mëdha në Fier, shtëllungat e tymit mbërrijnë edhe në Vlorë! Qielli i nxirë mbi qytetin bregdetar
Përmasat masive të zjarri që ka rënë ditën e sotme në kodrat e Radostinës në Fier, kanë bërë që shtëllungat e tymit të mbërrijnë edhe në Vlorë.
Report Tv ka siguruar pamjet nga qyteti bregdetar, ku duket se një pjesë e qiellit në hyrje të Vlorës ka marrë ngjyrën e zezë, për shkak të tymit të ardhur nga zjarri në Fier, ç’ka tregon ndotjen e madhe që vjen edhe drejt Vlorës nga kjo situatë e rrezikshme.
Zjarri në kodrat e Radostinës, shefi i Mbrojtjes Civile të Prefekturës Fier: Kemi evakuuar 7-8 familje, 2 helikopterë në terren
Shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj, ka treguar se zjarret e rëna në kodrat e Radostinës, nisën fillimisht në fshatin Drizë dhe Fadis dhe u përhapën për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë malor.
Për Report Tv, Ymeraj tha se në aksionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar jo vetëm strukturat vendore të Bashkisë, por edhe strukturat vendore të bashkive fqinje.
Ymeraj tregoi se janë evakuuar 7-8 familje, ndërkohë që sipas tij, nuk raportohet për banesa të dëmtuara.
Ai tha gjithashtu se 2 helikopterë po ndihmojnë nga ajri për shuarjen e flakëve, teksa shtoi se në zonën e prekur nga zjarri ka jo vetëm banesa, por edhe biznese.
“Zjarri ka nisur që në mesditë, në fshatin Drizë dhe Fadis. Për shkak të erës dhe terrenit të vështirë ka marrë një përhapje edhe në zona të tjera. Ka arritur deri këtu në zonën e liqenit që i themi ne, në pyllin e Peshtanit. Ka prekur edhe masivin pyjor të zonës së mbrojtur këtej. Menjëherë me marrjen e njoftimit janë angazhuar strukturat vendore të bashkisë me 4 mjete zjarrfikëse për vënien nën kontroll të zjarreve. Duke vlerësuar situatën që paraqitej problematike, kemi angazhuar edhe kapacitete të tjera të bashkive fqinje.
Kemi bërë kërkesë menjëherë për ndërhyrje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrës dhe vënien nën kontroll të zjarreve. Në këtë perimetër zjarri ka edhe njësi ekonomike dhe zona të banuara. Kemi bërë edhe evakuimin e disa familjeve, mund të jenë diku te 7-8 familje që janë evakuuar. Aktualisht nga të dhënat paraprake nuk kemi banesa të dëmtuara, por kemi vetëm prezencë të zjarreve në oborret e banesave. Falë ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur deri tani që të mos kemi djegie të banesave.
Të gjitha forcat nga toka dhe ajri po operojnë për vënien nën kontroll të zjarreve. Aktualisht janë 2 helikopterë që po operojnë. Ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar. Ndërhyrja nga ajri ka filluar që kur vatra e zjarrit ka qenë në zona të tjera. Për shkak të frikës që kanë qytetarët, mund ta konsiderojnë si ndërhyrje të vonuar. Do të punohet me të gjitha forcat dhe kapacitetet për ta vënë zjarrin nën kontroll”, tha mes të tjerash shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj.
Krujë/ Zjarr në mes të zonës së banuar në Bilaj, flakët rrezikojnë banesat! Në terren vetëm polici i zonës, lufton me mjete rrethanore
Një vatër zjarri është regjistruar pak më parë në fshatin Bilaj, në mes të një lagjeje të banuar, ndërsa flakët po përhapen të favorizuara nga era dhe rrezikojnë disa banesa.
Zona ku ka rënë zjarri ka bimësi të dendur dhe është e mbuluar me shkurre e ferra, çka po favorizon përhapjen e flakëve dhe po shton rrezikun që ato t’u afrohen shtëpive.
Deri në këto momente, në vendngjarje nuk kanë mbërritur ende forcat zjarrfikëse apo shërbimet e emergjencës.
I vetmi që po ndërhyn për të frenuar zjarrin është oficeri i Policisë së zonës, i cili po përpiqet me mjete rrethanore të mbajë nën kontroll flakët dhe të pengojë përhapjen e tyre drejt banesave.
Situata mbetet shqetësuese, pasi zjarri vijon të përhapet i favorizuar nga era, ndërsa pritet mbërritja e forcave zjarrfikëse dhe të emergjencave.
Izolohen flakët në fshatin Qinam të Niklës, shmanget rreziku nga banesat
Zjarri në Qinam të Niklës ka mundur të izolohet, falë ndërhyrjes nga forcat zjarrfikëse të Kamzës. Flakët vijojnë të jenë intensive, por fatmirësisht është mundur të shmanget rreziku nga banesat.
Zjarri në kodrat e Radostinës në Fier, punonjësja e lokalit: Miliona lekë të hedhura, katastrofë!
Punonjësja e njërit prej lokaleve që rrezikohen nga zjarri në kodrat e Radostinës në Fier e përshkruan situatën me fjalën “katastrofë.” Ajo shpreh keqardhje për punonjësit e tjerë dhe pronarin të cilët të gjithë bashkë po përpiqen të shuajnë flakët.
“Janë shpenzime të mëdha, atje punojmë. Kemi një vit e gjysmë që punojmë atje. Mos të kapë te lokali, janë miliona lekë të hedhura, punëtorë janë të gjithë, është shumë e vështirë për të gjithë. Zjarri ka përmasa të mëdha, ullinj, anash lokalit. Është katastrofë!”, thotë punonjësja.
Zjarri u afrohet lokaleve në Levan, flakët vetëm 200 metra larg! Pronarët evakuojnë stafin: Duhet ndërhyrje nga ajri
Një zjarr i përmasave të mëdha që ka përfshirë kodrat pranë Radostinit është drejtuar me shpejtësi drejt zonës së liqenit të Levanit, duke krijuar një situatë serioze për disa biznese dhe banesa në këtë zonë.
Flakët janë afruar në mënyrë të rrezikshme pranë dy lokaleve, ndërsa zjarri ka prekur kurorën mbi objektet dhe ndodhet rreth 200 metra larg tyre, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e flakëve drejt ambienteve të shërbimit.
Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet.
Sipas pronarëve, ndërhyrja nga ajri është tashmë e domosdoshme, pasi terreni e vështirëson ndërhyrjen tokësore dhe zjarri po avancon me shpejtësi.
Fier/ Zjarr në kodrat e Radostinës, era dhe terreni i thyer sfidojnë zjarrfikësit (VIDEO)
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në kodrat e Radostinës në Fier, në vendin e quajtur “ Fiqtë”.
Zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve që favorizohen nga era e fortë duke vështirësuar ndërhyrjen. Një tjetër problem për ekipet zjarrfikëse mbetet terreni i thyer.
Zjarr në Greps të Niklës, flakët djegin pyje e shkurre (VIDEO)
Një vatër zjarri është regjistruar në Greps të Niklës. Zjarrfikëset nga Kruja e Tirana po përpiqen të lokalizojnë flakët e favorizuara nga era, të cilat po përhapen drejt pyjeve e shkurreve.
P.J/E.H/Shqiptarja.com





LAJMET MË TË VLERËSUARA